"ARMO", Qeveria dhe "Patom Bogs" me çmime të ndryshme
Konsulenti jep një çmim dy herë më të ulët se ai që kanë paraqitur drejtues të "ARMO"
Kur mbeten edhe 17 ditë nga shpallja e ofertave për privatizimin e kompanisë "ARMO", një nga pikat e rëndësishme të këtij privatizimi është çmimi i shitjes. Në raportin e saj të vlerësimit për kompaninë "ARMO", konsulenti "Patom Bogs" i ka bërë të ditur Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, se pavarësisht se në shumë raporte të bëra publike edhe nga media, çmimi i privatizimit llogaritet në rreth 100 milionë dollarë ose më shumë, kompania mund të mos arrijë këtë vlerë në shitje. Madje në raportin e bërë nga ana e kompanisë konsulente amerikane "Patom Bogs" sqarohet se një çmim prej 100 milionë dollarësh i dhënë publikisht, është spekulim. Por shifra e dhënë për shitjen e kësaj kompanie ka qenë nga vetë "ARMO" dhe Ministria e Ekonomisë me rreth 170 milionë dollarë, ose 110 milionë euro. Kjo nuk është hera e parë që në privatizimet strategjike ndodhin përplasje midis vlerësimit të konsulentëve të huaj dhe çmimeve të kërkuara nga ana e qeverisë shqiptare. Vetëm 2 ditë më parë ka qenë Ambasada Amerikanë në Tiranë që ka lëshuar një deklaratë publike në drejtim të qeverisë, për këtë privatizim strategjik. Ambasada Amerikane në Tiranë i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ndjekë një procedurë transparente dhe të hapur për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, "ARMO". Apeli u bë vetëm 17 ditë para mbylljes së kohës së pranimit të ofertave nga kompanitë e interesuara për këtë privatizim strategjik të qeverisë shqiptare. "Ne po e ndjekim privatizimin (e ARMO-s) nga afër dhe presim që qeveria e Shqipërisë ta kryejë atë në mënyrë transparente dhe të hapur, duke siguruar një fushë të njëtrajtshme loje për të gjitha palët e interesuara",- u shpreh zyra e shtypit e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
***
Konsulenti për privatizimin e "ARMO"-s, "Patom Bogs", në raportin e dorëzuar në qeveri në muajin tetor, jep edhe vlerësimet e tij për shitjen e kompanisë shtetërore të naftës. Në analizën e bërë nga ana e konsulentit, duke marrë parasysh asetet e kompanisë, bilancet financiare të viteve 2004, 2005 dhe 2006 dhe blerjet e mundshme nga ana e investitorëve të kësaj pasurie jepen edhe skenarët e mundshëm të këtij privatizimi. Në këtë vlerësim nuk është marrë parasysh viti 2007, që është edhe më i rëndësishmi përsa i përket fitimeve të nxjerra nga ana e kompanisë shtetërore. Vetëm fitimi i "ARMO"-s gjatë vitit 2007, krahasuar me vitin 2004, është 5 herë më i lartë. Fitimi në vitin 2007 arriti në 1 miliardë e 700 milionë lekë, ndërsa në vitin 2004, ishte vetëm 365 milionë lekë. ARMO ka një vlerë të kapitalit të nënshkruar, që mund të jetë në nivelin e 50-60 milionë euro, ndërsa një vlerë të aseteve, si vlerë në kontabilitet, në rreth 100 milionë euro. Kjo është një vlerë kontabël, vlerë e aseteve të blera në vite, të investuara në vite, siç janë të regjistruara në kontabilitet
***
Në 18 shkurt, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës vendosi të hapë procedurat e tenderit për shitjen e kompanisë "ARMO". Pas kësaj, 15 kompani ndërkombëtare tërhoqën dokumentacionin. Sipas raportit të konsulentit amerikan, lista me kompanitë potenciale e propozuar ishte mbi 200. Një pjesë e kompanive që kanë marrë në këtë tender janë me aksionar rus, ndërsa pjesë e këtij tenderi është bërë edhe kompania që tashmë ka një aktivitet në fushën e naftës në vend, "Bankers Petrolium". Qeveria do të shesë vetëm 85 për qind të aksioneve në këtë privatizim strategjik, me një shumë që nga vetë qeveria është vlerësuar mbi 110 milionë euro. Vetëm vitin e kaluar, kompania "ARMO" realizoi gati 10 milionë euro fitim neto, dhe për specialistë të ekonomisë, ky është një bilanc në rritje. Por dhe çmimet e tregut të brendshëm të karburanteve në rritje të vazhdueshme, ku "ARMO" zë 25% të tregut, ndikuan në të ardhurat e kompanisë. Rritja e çmimeve nga operatorët privatë është shoqëruar me një rritje të moderuar nga kompania, duke ndikuar disi në amortizimin e efektit të rritjes galopante të çmimeve nga grosistët shqiptarë. "ARMO", sipas burimeve nga kompania, ka tregtuar gjatë këtij viti gazoil me çmimin deri në 95.11 lekë/litër.