E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet me armë furgoni taksi, një i plagosur

Tepelenë, një banor i Dhëmblanit është plagosur teksa udhëtonte me furgonin taksi së bashku me të shoqen

TEPELENË- Mesditën e djeshme, një banor i fshatit Dhëmblan në rrethin e Tepelenës ka mbetur i plagosur me armë zjarri, por fatmirësisht pa probleme për jetën. Policia ende nuk ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes, identiteti i të cilit mbahet i fshehtë për arsye hetimi. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës kanë bërë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 11.00 të ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Sinanaj në rrethin e Tepelenës. 28-vjeçari Taulant Liçaj ka mbetur i plagosur në shpatull ndërsa ishte duke udhëtuar me furgon nga Vlora në drejtim të fshatit Dhëmblan. "Në aksin rrugor Komuna Lopës –Sevaster Vlorë, ish rruga nacionale që lidh komunën Lopës me qytetin e Vlorës, furgonit tip "Ford" me targa "VL 2118 B", i cili bën treherë në javë taksi rrugënVlorë – Komuna Lopës,i ka dalë përpara një shtetas i cili mbante një armë zjarri në dorë dhe pasi ka dalluar shtetasin Taulant Liçaj e ka qëlluar me një plumb dhe është larguar menjëherë",- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, Taulant Licaj është plagosur në supin e djathtë dhe është transportuar menjëherë për në spital, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Furgoni lëvizte nga Vlora për në drejtim të Komunës Lopës Tepelenë dhe kishte katër pasagjerë , ku i dëmtuari ishte së bashku me të shoqen. Në drejtim të vendngjarjes janë nisur forca të shumta police nga Komisariati i Policisë Tepelenë dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat po punojnë për kapjen e autorit. Sipas grupit hetimor plagosja ka ndodhur për motive të dobëta, pasi autori ka pasur një konflikt me disa shtetas dy javë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›