Gjykata vendos sot për "arrestimin" e Sefgjinit
"Vihet re mungesa e bazës ligjore në mbështetjen e pretendimeve të prokurorisë për caktimin e masës"
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të shtyjë vendimin në lidhje me vendosjen apo jo të masës së sigurisë arrest shtëpie ndaj tre ish-drejtuesve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe vdekjen e shqiptaro- maqedonasit, Remzi Hoxha. Vendimi për shtyrjen e seancës është argumentuar nga gjykata me kërkesën e provave të reha nga organi i akuzës.
Kështu, gjyqtari i gatshëm i masave të sigurisë, Fran Prendi pas dëgjimit të kërkesës së prokurorit kërkoi nga ky i fundit të sjellë prova të tjera shtesë për të bindur gjykatën që të caktojë masën e sigurisë "arrest në shtëpi". Pasi sipas togave të zeza, kërkesa e prokurorisë nuk ishte e plotë dhe kishte mangësi në mbështetjen e pretendimeve të ngritura për shkakun e caktimit të kësaj mase sigurie. "Pas leximit të kërkesës së prokurorit, është vënë re mungesa e bazës ligjore në mbështetjen e pretendimeve të prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë arrest shtëpie. Për këtë shkak, gjykata vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për ditën e nesërme (për sot) që të shprehet në lidhje me kërkesën e prokurorisë dhe të vendoset në lidhje me caktimin e masave të sigurisë",-thuhet nga burimet brenda sallës së gjyqit. Ndërkohë, sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se gjykata ka kërkuar të dhëna më të detajuara në lidhje me pretendimet e ngritura nga prokuroria për arsyen e caktimit të masës së sigurisë "arrest në shtëpi" ndaj tre të pandehurve që ndodhen në gjendje të lirë. Sipas kërkesës për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë, tre të pandehurit që ndodhen në Shqipëri Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe rrezikojnë t'i shmangen hetimit gjyqësor duke u larguar nga vendi. Sipas kërkesës së prokurorit Hana, me dhënien e vendimit të masës së sigurisë "arrest shtëpie", gjykata do të urdhërojë të pandehurit të mos largohen nga banesat e tyre apo nga vendi ku kurohen apo mbahet me asistencë. Gjithashtu, në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet caktimi i masës së sigurisë "arrest shtëpie" theksohet se: "gjykata, kur është e nevojshme i vë kufizime ose ndalime të pandehurve për të komunikuar me persona të tjerë, me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me ta". Mësohet gjithashtu se Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej disa ditësh ka dërguar në çdo pikë kalimi kufitar të Shqipërisë fotografitë e të tre të pandehurve që ndodhen në Shqipëri si dhe të pandehurit në mungesë, Ilir Kumbaro, i cili mendohet se ndodhet i fshehur në Angli. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se fillimi i shqyrtimit të çështjes gjyqësore nga themeli është caktuar me 16 maj nga kryesuesi i pesëshes gjykuese, Xhelal Elezi, kur të pandehurit do të ulen për herë të parë në bankën e të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Gjithashtu mësohet se nuk mund të kërkohej një masë më e rëndë se ajo e arrestit shtëpiak për tre të pandehurit, pasi afatet e paraburgimit për ta kanë mbaruar, pas arrestimit të tyre të parë në vitin 2003.