Nënshkrues i betimit të fshehtë
Te “Pyesni pluhurin”, botuar nga “Zenit”, John Fante vjen i qartë, i kuptueshëm dhe pranë mënyrës sonë të lexuarit, me po atë energji që ka në atdheun e shkrimit të tij, me po atë humor të lehtë e pa krisma dhe rafinitura, me një rrëfim linear ku, nën këtë linearitet, dallohen lëvizjet e mëdha e pa zhurmë, si nën sipërfaqe të detit krijimi i dallgëve përfshirëse. “Nën heshtjet e mëdha përherë rrezikon të fshihen zhurmat që të kallin datën”, thoshte Shën Agustini. Përkthyesit e vërtetë padyshim që kanë patur kurdo një betim të brendshëm për besnikëri ndaj autorëve, si dhe një përvujtëni e rregulla misionarësh ndaj atyre mijëra njerëzve, të cilëve u dërgojnë përpara kurmin e veprave të largëta, të marra nga gjuhë po aq të largëta.
Astrit Cani, duke qënë një lexues kualitetesh, me një shije të stërvitur dhe intuitë të pazakontë, njohës stilesh e gjuhësh, tendencash e shkollash letrare, kapi atë çka ishte magjike në letërsinë e Fantes, pa u sugjestionuar aspak nëse emri qe i madh apo jo. Ai i mëshoi arsyes se njerëzve u duhen më tepër veprat, sesa emrat. Madje, emrat nganjëherë janë gracka e paragjykimit të veprave, një sëmundje kjo sa e herëshme, aq dhe e përbotëshme. Një sëmundje që ka sjellë jo pak dëme në konfigurimet e hierarkive. Umberto Eco thotë se përkthyesit janë si Noe, shpëtojnë me varkën e gjuhës veprat e mëdha. Astrit Cani është padyshim një model i tillë.
Mark SIMONI
1.
Astrit Cani e ka kuptuar Fanten mirë, i ka njohur anatominë e mënyrës së të shkruarit, si procedon me gjuhën e leksikun, cila është filozofia e tij dhe mendimi konceptual që ka, e ka zbërthyer në të gjithë regjistrat, e ka bërë të vetes si autorin, ashtu edhe pluhurin urban të Los Angjelosit, ka bredhur më shumë se të tjerët rruginave e hoteleve (asaj gjeografie të ngushtë, të zakonshme e të jashtëzakonshme njëkohësisht, ku bredh e përplaset me fatet e ngjarjet John Fante dhe përsonazhi i tij Arturo Bandini). E, më në fund, e ka sprovuar nëse shkrimtari i madh amerikan mund t’i flasë shqip apo jo. Po, ka vendosur një ditë përkthyesi ynë. Shtegu gjuhësor që Astrit Cani i ka hapur Fantes është një shteg krejt fatlum për romancierin amerikan, mbasi ai tashmë erdhi te ne pa u dëmtuar me qorrsokaqet e keqkuptimeve, pa rriskun më të vogël, por ndjehet rehat si në shtëpinë e gjuhës së vet. Te “Pyesni pluhurin”, botuar nga “Zenit”, John Fante vjen i qartë, i kuptueshëm dhe pranë mënyrës sonë të lexuarit, me po atë energji që ka në atdheun e shkrimit të tij, me po atë humor të lehtë e pa krisma dhe rafinitura, me një rrëfim linear ku, nën këtë linearitet, dallohen lëvizjet e mëdha e pa zhurmë, si nën sipërfaqe të detit krijimi i dallgëve përfshirëse. “Nën heshtjet e mëdha përherë rrezikon të fshihen zhurmat që të kallin datën”, thoshte Shën Agustini.
2.
Përkthyesit e vërtetë padyshim që kanë patur kurdo një betim të brendshëm për besnikëri ndaj autorëve, si dhe një përvujtëni e rregulla misionarësh ndaj atyre mijëra njerëzve, të cilëve u dërgojnë përpara kurmin e veprave të largëta, të marra nga gjuhë po aq të largëta. Veprat duhet të mbërrinin pa dëm, pavarësisht rreziqeve që aviteshin përherë për të hyrë në shtigjet midis gjuhëve. Pra, në një farë mënyre, përkthyesit nuk janë as më pak e as më shumë, por ose urdhër murgjësh apo sekt, besim apo konsil, religjion apo llozhë, nënshkrues të një betimi të madh. Të pa tunduar nga padije të çfarëdo natyre.
Përkthimi shkon shtigjeve të rrezikshme. Diku mund të shfaqet ekuivalenca e kuptimit e sinonimia, mos kapja e nuancës së nëntekstit, devijimi i anës substanciale të tekstit, mos vendosja harmonike e të njëjtit efekt, raporti kuptim-interpretim, përmbajtja thelbësore dhe kuptimet e dyta, humbjet e firot për arsye rrethanash leksikore, kompensimet a manierat e pasurimit të tekstit, si dhe ideja e përmirësimit të veprës. Në herë të tjera duket tunduese ideja e ndërhyrjes në stilin e autorit. Në disa raste nuk kapet thelbi i fabulës, nuk njohin njërën prej kulturave (të autorit apo lexuesit), mos njohja sa duhet e situatave të amëtarëzimit apo tëhuajizimit të veprës së përkthyer, dilema dhe pavendosmëria e përkthyesit për ta modernizuar apo arkaikzuar veprën, rreziku i mosnjohjes së interpretitimit brendagjuhësor dhe kalimi te riformulimi, gabime në ndryshimin e substancës në sisteme të tjera semiotike, të njohurit e parasinonimisë, transmutacionit ose përshtatjes, të shpëtosh nga transmutime me qëllim manipulimi, të ruajturit nga përshtatja si një vepër e re, të njohurit e përkthimit dhe ontologjisë si disiplina, si dhe më kryesorja, ajo e krahasimit të vazhdueshëm të gjuhëve.
Astrit Cani ka ditur t’u shpëtojë këtyre rreziqeve dhe leqeve të përkthimit. Me ketë vepër, ashtu si dhe me të tjera, ka treguar se jo vetëm është një nga përkthyesit më të formuar e seriozë që kemi, por dhe anatomist i një kulture të madhe, estet e njohës i arteve të krijimit, stilist i leksikut dhe i sintaksës, njohës dhe njëkohësisht prodhues shijesh. Jo vetëm që i ka dhënë rëndësinë e duhur veprës amerikane, por ka zgjuar nga gjumi e pluhuri një pjesë të fjetur të gjuhës sonë të mrekullueshme, ka harlisur një pjesë apatike të fjalëve tona, si dhe u ka dhënë vendin e dinjitetin modern disa prej fjalëve të lëna në fondin e arkaizmit të leksikut shqip. Cani përpunon gjuhë, zhvillon leksikun, risjell fjalët e lëna jashtë vemendjes, u kujton disa krijuesve tanë se gjuha shqipe nuk është aq e ngushtë e pa shans për të krijuar me të vepra të mëdha, thërret në vëmendje kalke gjuhësore të herëshme dhe të reja (herë-herë të krijuara prej tij), dhe si misionar i fjalës nuk lë pa sjellë në përkthim, herë këtu e herë atje, fjalë të Camajt, Koliqit apo të doracakëve të B. Demës.
Umberto Eco thotë se përkthyesit janë si Noe, shpëtojnë me varkën e gjuhës veprat e mëdha. Astrit Cani është padyshim një model i tillë.
3.
Në një libër të Joachim Scholl, ku flet për shumë shkrimtarë me zë të shekullit të njëzetë, kërkova se mos qe dhe John Fante. Nuk e gjeta. Në një nga antologjitë më serioze të rrymave, veprave e jetëve të krijuesve amerikanë kërkova përsëri për të, por nuk gjeta gjë. Të gjithë e njihnin, e donin, e vlerësonin, por askush nuk e përfshiu në katalogje dhe antologji. Mbeti vetëm në një farë mënyre jashtë. Bukovski e lëshoi i pari zërin për ta tërhequr vëmendjen ndaj John Fantes dhe, që atëherë, emri i këtij shkrimtari mori përmasë tjetër.
“Pyesni pluhurin” është një roman me ngjarje të vogla, gati minimaliste, të sistemuara pothuaj pa ndonjë rregull, një roman në dukje linear e pa subjekt, subjekte të vogla si filma me metrazhë të shkurtër që pastaj montohen bashkë. Kjo vetëm një pamje kundruall. Por sapo i afrohesh, përfshihesh në të, në ngjarjet, urbanistikën e fatet e përsonazhit dhe të atyreve që lidhen me të, futesh në humorin e zi, humor inteligjent e pa zhurmë, rrekesh në andralla të thjeshta e të shkruara me një stil brilant, hyn në një botë me përsonazhe plot vese të një shoqërie harruar hotelesh e bujtinash të pista, rrethuar e goditur nga skamja dhe ndodhitë e shumta, por që gjithësesi ta ka ënda të jetosh në subjekte të tilla.
Shkurtinat e subjektit i japin ritëm romanit, e bëjnë të komunikueshëm me lexuesin. Monotonia ka qënë njëri prej rreziqeve të këtij romani, mbasi trajtimi linear e afronte shumë këtë rrezik. Por autori ka hedhur në aksion stilin e tij të zhdërvjelltë, rrëfimin me fjali të shkurtra, të prera, gati telegrafike e krejt të qarta, duke i motoruar ngjarjet, subjektet, situatat, lëvizjet e përsonazheve shpesh groteskë e interesantë.
Astrit Cani, duke qënë një lexues kualitetesh, me një shije të stërvitur dhe intuitë të pazakontë, njohës stilesh e gjuhësh, tendencash e shkollash letrare, kapi atë çka ishte magjike në letërsinë e Fantes, pa u sugjestionuar aspak nëse emri qe i madh apo jo. Ai i mëshoi arsyes se njerëzve u duhen më tepër veprat, sesa emrat. Madje, emrat nganjëherë janë gracka e paragjykimit të veprave, një sëmundje kjo sa e herëshme, aq dhe e përbotëshme. Një sëmundje që ka sjellë jo pak dëme në konfigurimet e hierarkive.
4.
Bash në krye të herës, kur popujt po krijonin fjalët si pjesë të marrveshjes, duhet të ketë ekzistuar padyshim ndonjë agregat i zejes së fjalës. Në fjalë të tilla si vorr, hon, gropë, top, bosh, etj. është pikërisht “o”-ja ajo që transmeton kuptimin thelbësor (kanë volumin e “o”-së); ashtu si në rastin tjetër të grupit të fjalëve tytë, fyell, gyp, grykë, fyt, frymë, frynë, etj. ku është “y”-ja ajo që transmeton kuptimin e ngushticës. Duke qënë i bindur se janë zanoret ato që mbartin atributet kryesore të kuptimësisë së fjalëve, u rreka pas këtij agregati të vjetër e magjik, dhe punova një kapitull të tërë në librin tim “Komshinjtë e vdekjes”. Por ai u zgjat aq shumë, sa doli vetë nga libri e nuk u përfshi në të.
Para shumë vitesh, kur studioja në Athinë për kulturë dhe letërsi antike, një vajzë ruse që mësonte me mua në të njëjtin kurs, më tha t’i lexoja disa poezi nga libri im “Bujtinë e çmendur”. Poezitë qenë në shqip dhe rusja s’dinte asnjë fjalë se çfarë thuhej në ato që lexoja. Më dëgjoi gjatë, gjysmë e vëmendëshme dhe gjysmë e përhumbur. Pastaj shprehu pohim e pëlqim. Mbeta. Pse dreqin thoshte ashtu, kur nuk kuptonte dot një fjalë të vetme nga shqipja?! Vazhdoj dhe sot e kësaj dite të skuqem nga naiviteti se si nuk e pata kuptuar atë vajzë të bukur ruse, atje në hotel “Omega”, që me mjete inteligjente të gjuhës, me intuitë kërkonte të kapte kodet e lidhjes së tingujve me kuptimshmërinë e fjalëve, të rrëmonte zanoresh (atje ku është enërgjia e fjalëve dhe jehonat e tyre), apo të dëgjonte bashtinglloret që e konfigurojnë fjalën grafikisht. Ajo pati kuptuar atë që kishte qënë përtej poezive të mia, një botë deshifrimesh të tjera, të reja, prej formash e realitetesh të tjera. Gjuha në atë rast më është dukur fare e ngushtë për të qënë një mjet i vetëm për ta përcjellë emocionin apo shijen e krijimit letrar. Mjete të tjera duhet medeomos t’i vijnë në ndihmë asaj. Muzikë, energji, ritëm, determinizëm, jehona, zëra zanoresh, tingëllima, shkurtica bashtinglloresh, rrëfime lineare dhe përthyrje estetike të tyre, harmoni e dizharmoni që flasin më shumë se vetë fjalët, gjuhë arkaike e thirrje pakuptim, zëra mistikë e klithje njerëzore, britma gjithfarë lloji e zhurrma natyre janë më shumë se gjuha dhe flasin po aq sa dhe gjuha më e kultivuar. Sepse, si brënda njërës palë ashtu dhe tjetrës, janë çelësat e tingujve, matricat e kuptimshmërisë, pra aty nis kuptimshmëria zanafillore.
Në përkthimin e Astrit Canit vihet re lehtë se e njeh mirë agregatin e vjetër të formimit të fjalëve, madje di me imtësi çdo ingranazh e bokëll. Ka në volumin e përkthimit fjalë të rralla e të rralluara, fjalë të lëna në harresë, fjalë të vdekura, fjalë arkaike, fjalë të shkëlqyera të fondit të traditës sonë letrare, fjalë të letërsisë letrare e të rrëfimtarisë, por edhe fjalë të formuara prej tij. Thjeshtë të bëra vetë, duke u mbështetur mbi rregullat universale të formimit, mbi ato çka e mëson agregati i zejes së parë të njerëzimit. Kemi të bëjë me guximin intelektual të një përkthyesi, që vjen prej botës së kulturës e dijes.
30 Qershor 2008