Mbi gjysëm milioni shqiptarë kanë aplikuar për pasaportat e reja biometrike

Ministria e Brendshme fton qytetarët që të ndjekin të njëjtin shembull, për të përfituar sa më parë lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”
Ministria e Brendshme informon opinionin publik se deri ditën e djeshme gjysëm milion qytetarë shqiptarë kanë aplikuar për pasaporta biometrike. Saktësisht, në bazë të të dhënave të datës 18 Shkurt 2010, numri i aplikimeve për pasaporta biometrike arriti shifrën 501 mijë. Duke shprehur kënaqësinë për ritmin e shpejtë dhe suksesin e këtij procesi, mMinistria e Brendshme gjen rastin të përgëzojë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për t’u pajisur me pasaporta biometrike, këtë dokument të standarteve europiane. Ndërkohë, dëshirojmë të theksojmë se është e rëndësishme që qytetarët të paraqiten për të tërhequr pasaportat biometrike për të cilat kanë aplikuar. Në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe gjendet një sasi e madhe pasaportash biometrike, të cilat nuk janë tërhequr nga qytetarët. U bëjmë thirrje këtyre qytetarëve të nxitojnë dhe të paraqiten për të tërhequr pasaportat e tyre biometrike. Rikujtojmë gjithashtu se marrja e pasaportës së re biometrike do të shoqërohet me bërjen të pavlefshme të pasaportës në përdorim nga shtetasi në momentin e paraqitjes pranë zyrave të “Aleat” në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe. Së fundi, ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët shqiptarë që të ndjekin shembullin e mbi gjysëm milion bashkëqytetarëve që tashmë kanë siguruar dokumentin që do të mundësojë lëvizjen e lirë në të gjithë zonën Schengen të Bashkimit Europian.
...