Meta: S’ka kompromis për vendimet e gjykatave, opozita të vijë në parlament

UPDATE- Pas kreut të qeverisë Sali Berisha edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta i apelon kryesocialistit Edi Rama, që të heqë dorë nga pretendimet e tij, për të shkelur vendimet e sistemit gjyqësor. Meta shprehet se nuk është logjike që të kërkohet negociim për çështje që i takojnë një partie me gjykata dhe jo me sistemin partiak në tërësi. Sipas tij, çështja e kutive nuk mund të negociohet. Ai theksoi se shumica pranon të zgjidhë me opozitën çdo çështje që ka të bëjë me mazhorancën në parlament apo me qeverinë, por nuk mund të trajtojë vendimet e gjykatave.
“Ne nuk mund të na të kërkohet kompromis me mazhorancën për të dhunuar pavarësinë e gjykatave. Nuk e di se në cilin vend të Bashkimit Evropian qenkan rihapur kutitë nga një komision parlamentar hetimor pasi çështjet janë mbyllur nga gjykatat”, u shpreh ai.
Deklarata e zv/kryeministrit vjen në kuadër edhe të reagimeve të ndërkombëtarëve, për situatën politike në Shqipëri.
Me qëndrimet e tij, tha Meta, kreu i opozitës po sfidon ndërkombëtarët dhe kjo është një rrugë e gabuar.
Ai përshëndeti deklaratat e fundit të presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares, përmes një deklarata zyrtare dje, i kërkoi opozitës të heqë dorë nga kërkesat dhe t’i parashtrojë në parlament pretendimet e saj.
Ai dënoi çdo tendencë për të dhunuar sistemin gjyqësor, ndonëse mbështeti në emër të OSBE-së ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve.