Inkurajojmë çdo transparencë që s’cënon vendimet e gjykatave
Reagimi zyrtar i qeverisë “Berisha”
Zëdhënësja e Qeverisë së Shqipërisë, Majlinda Bregu vlerësoi sot gjatë një komunikimi me median, deklaratën e Zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Stainberg, i cili rikonfirmon qëndrimin e SHBA-ve për Zgjedhjet Parlamentare të 28 Qershorit dhe Institucioneve legjitime shqiptare. Zëdhënësja Bregu, u shpreh se qeveria shqiptare në përputhje me shtetin ligjor dhe në respekt me Kushtetutën dhe institucionet demokratike të vendit, në Shqipëri është e gatshme që të bëjë çdo transparencë.
Më tej ajo u shpreh se, “Qeveria shqiptare, përshëndet qëndrimin e SHBA-e për zgjedhjet e parlamentare të 28 qershorit institucioneve legjitime shqiptare. Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit James Stainberg vlerëson përpjekjet e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe Martin Schultz për zgjidhjen e problemit të qëndrimit të opozitës shqiptare ndaj Parlamentit dhe zgjedhjeve të 28 qershorit. Qeveria shqiptare siguron Qeverinë e Shteteve të Bashkuara se në përputhje me shtetin ligjor dhe në respekt ndaj Kushtetutës dhe Institucioneve demokratike të vendit, në Shqipëri mund të bëhet transparenca e çdo dokumenti”.
Ajo vuri në dukje se qeveria është e hapur që opozitës t’i krijohen të gjitha kushtet që të paraqesë në Prokurori për hetim të mëtejshëm e të plotë çdo akt apo dokument që ajo disponon mbi pretendimet e saj. “Rikonfirmojmë se i kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias. Garantojmë se këto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në parlament”- shtoi Bregu, duke i kërkuar opozitës të dëgjojë reagimin e ndërkombëtarëve dhe të mos hedhë poshtë lëshimet e mazhorancës dhe njëherazi të dëshmojë se është një opozitë e përgjegjshme për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve në interes të vendit.