E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi martirët dhe tiranët

Liria kërkon të flijosh gjak martirësh dhe tiranësh, pati thënë presidenti Xheferson. Por çfarë tipi lirie është ajo të cilës i kemi falë gjak martirësh, por jo edhe gjak tiranësh? Kjo është një liri me martirë të vdekur dhe me tiranë të gjallë. Mbase ky fakt i bën shqiptarët që heronjtë t’i kenë të vdekur, e asnjëherë të mos kemi hero të gjallë, siç kanë e gjithë bota. Nuk më ka shkuar mendja të thur dy fjalë për përvjetorin e LDK-së, pasi, ditë më parë, një lider, deklaroi në gazetë se “kur ne luftonim me armë, disa bënin luftë vetëm verbale”! Shumësi i përemrit “ne” nënkupton që brenda atyre “ne” kishte luftuar me armë edhe lideri i deklaratës! Pra personalizimi i luftës dhe distancimi nga rezistenca “verbale” e intelektualëve, rezistenca “me fjalë” e jo me pushkë - në këtë rast nënkupton – “konformizmin” dhe “komiditetin” e luftës intelektuale “në tavolinë” përballë heroizmit dhe sakrificës së luftës së armatosur në front. Kjo të bën të dyshosh se ata 800.000 shqiptarë që kaluan nëpër purgatorin e “trajtimeve” policore të “bisedave informative” dhe mbajtjes së burgjeve me kohëzgjatje të gjatë, pa marrë asnjëherë pushkën në dorë, paskan qenë “verbalistë”, paskan bërë rezistencë vetëm me fjalë, paskan qenë pallavragji!Asnjë histori nuk mund të jetë objektive kur autori është personazh i saj. Dhjetëra e dhjetëra biseda, intervista dhe debate që u dëgjuan dhe u panë këtyre ditëve (me rastin e 20-vjetorit të LDK-së), nuk mund të çliroheshin nga “veta e parë” subjektive e “personalizimit” të historisë, madje edhe kur përmendej “distanca kohore” përballë saj. Ky pozicion i tyre imponohej paevitueshëm nga fakti se historia për të cilën flisnin, ende nuk ka përfunduar, sado që debatuesit konstatonin suksesin e “lirisë” së sotme, që historia të mund të merrte vlerësimin e saj, që shkencërisht konstatohet se historia disponon natyrë të qëndrimit indiferent, të paanshëm, josubjektiv, jopersonalizues. Heronjtë e gjallë eskivonin emrat e martirëve të vdekur ose “verbalistëve” të harruar. Më e qëlluara ishte vërejtja e Hydajet Hysenit, që duke vënë theks mbi kontinuitetin e Lëvizjes Demokratike të Kosovës që nga Lidhja e Prizrenit, tha se kush çfarë veprimesh dhe qëndrimesh ka pasur atëherë, është e arkivuar në periodikun e asaj kohe, pra në bazë të dëshmisë arkivore mund t’i vlerësojmë ata që kanë bërë “vetëm luftë verbale”, intelektuale brenda grumbull thuaja fund e krye renegatësh partiakë. Pra konsistenca dhe koherenca brenda një filarmonie dekoverzacioni, o po të doni intelektual, o po të doni thjesht politikë partikualarist, do të vërtetohej nga periodiku i asaj kohe. Le atëherë, po edhe sot, a nuk është ende dukuri dekoverzacioni, jo vetëm politik, por edhe kulturor brenda atij akademizmi të “lëvizjes kulturore” të LDK-së, por edhe më gjerë, në fraksionizmin e saj tashmë të pariparueshëm në tabanin e mosmarrëveshjeve tradicionale shqiptare?Nga kjo natyrë konformiste që sot e shquan klasën politike dhe akademike të Kosovës, ka rezultuar “kompromisi i dhembshëm” që bëri ta pranojmë lehtësisht Pakon e Ahtisarit për kushtetutë të shtetit të Kosovës. Këtu këputet ai kontinuieti i përmendur nga Hydajet Hyseni me Lidhjen e Prizrenit si program shteformimi, pra pas 1999-ës kontinuitetin e këputi LDK-ja dhe PDK-ja (UçK-ja) së bashku në koalicionet e leverdishme pushtetare politikaneske gjatë zbatimit të recetë-proceseve për realizimin e Standardeve të Shtajnerit për shtet multietnik (të BE-OKB-së). Këtu, në këtë fakt i vihet “pikë” relacionit midis martirëve të lirisë dhe atyre që “lirinë” e marrin si lëmoshë kompromisi kush më shumë tregohet paqësor, a më shumë paqësorë janë rugovistët, apo ushtarakët e Adem Jasharit? Ndaj cilët janë “paqësoret”, cilët janë “renegatët”, cilët janë “verbalistët” dhe cilët janë ushtarët me pushkë në dorë?! Kur të çlirohet Kosova, atëherë do të përfundojë historia e shtetformimit dhe do të mund të shkruhet biografia e Lëvizjes Kombëtare, dhe distanca kohore do të mundësojë që historinë të mos e shkruajnë ata që e kanë bërë historinë në vepër.Këta që vërtetë e kanë bërë historinë, sot tentojnë ta personalizojnë, sidomos kur thonë haptas se LDK-ja nuk kishte program politik dhe se Rugova erdhi në krye të saj krejt rastësisht, duke e lutur e stërlutur. Po pse kishte nevojë ta lusnin Rugovën kur kaq shumë paska pasur individualitete që do të mund ta merrnin këtë barrë të rëndë historike? Nëse nuk dimë t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, atëherë ta dëgjojmë propozimin shumë konstruktiv të Hydajet Hysenit, e t’i rikthehemi periodikut të asaj kohe, e të bindemi kush nga të gjithë “verbalistët” (pa pushkë në dorë) çfarë qëndrime kishin? Pra, deshëm nuk deshëm, nuk kemi si t’i eskivojmë shkrimet e Rugovës që nga 1979, paraqitjet e tij publike në Shoqatën e Shkrimtarëve, tubimet protestuese të intelektualëve të kohës që i udhëhiqte Rugova në Institutin Albanologjik, pra tezat djathtiste të Rugovës paraqiten në periodikun shqiptar 10 vjet para themelimit kalendarik të LDK-së. Dhe sot, pas tridhjetë vjetësh, jo vetëm që të tjerët konvertohen sipas muzikave ndërkombëtare, ose benifiteve partikulariste, por sot edhe “djathtistët” e deklaruar, ende nuk e kanë eliminuar vokabularin komunist nga fjalori i tyre. Po mos të ishte Rugova, sot nuk do të ekzistonte LDK-ja, jo për tjetër, por pse biografia e kësaj partie, që nga themelimi i saj ngarkohet nga faktet se të gjithë themeluesit e saj, atëherë e sot, ende janë të konfrontuar dhe të paaftë për marrëveshje, qoftë politike, qoftë akademike, kulturore, intelektuale. Vetëm ai ka qëndruar, të gjithë kemi ikur! Ose jemi kthyer aty, pasi që Rugova e bëri LDK-në lëvizje të përmasës më të madhe kombëtare në historinë tonë. “Bota sot”...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›