Korbat e Edvinit po përdhosin edhe festat

Pas internimit të Pemës së Krishtlindjeve të Elbasanit, drejt një periferie pa njerëz, përdhosësit e PS-së dje u kanë dhunuar festën banorëve të një lagjeje të kryeqytetit, duke ua shëmtuar atë me xhingla-mingla, sipas imagjinatës që Edvini ka për krizën ekonomike. Situata po bëhet aq e shëmtuar, sa banorët e irrituar s’u thonë dot të dërguarve të Edi Ramës as faljen biblike “Fali Zot se s’dinë çka bajnë!”Gjuetia e korbave përdhosës të pemëve të Krishtlindjes nuk është ndaluar as ditën e djeshme. Ashtu siç edhe u paralajmërua angalla e vjetër socialiste ka vijuar dhunën në ditën festive që mbarte mbi vete një simbolikë të veçantë, atë të ngjalljes së Krishtit shpëtimtarit të njerëzimit. Edvin Rama dhe klika e korbave të zinj, vazhduan shkuljen e pemëve të Krishtlindjes, duke dhunuar haptazi çdo atmosferë apo jehonë festive aq shumë të dëshiruar për çdo banor, taksapagues dhe qytetar të këtij vendi. Brezi i dytë i nomenklaturës komuniste nuk është i interesuar për kontributin e çmuar të qytetarëve nëpërmjet taksave dhe detyrimeve të tjera tatimore që pjesërisht janë të destinuara për mbajtjen pastër të qytetit dhe krijimin e hapësirave të konsiderueshme argëtuese dhe për ditët festive, të cilat i kremton e gjithë bota e lirë dhe demokratike, por mendon ditë e natë si e si të shkatërrojë gëzimin dhe harmoninë festive. Dje u përsërit një tjetër skenar pervers dhe njëherësh poshtërues për të gjithë qytetarët dhe banorët që u ra për pjesë. Edi Rama urdhëroi në mënyrë të prerë zhdukjen e çdo dekori zbukurues në zonën e Kombinatit në shenjë proteste ndaj qeverisë qendrore. Pas Elbasanit, ku në shërbim të kënaqësive të momentit të Edvin Ramës u vu Qazim Sejdini, dje ka qenë radha e Kombinatit, ku punonjës të bashkisë së Tiranës kanë çmontuar pemën e Krishtlindjeve dhe kanë asgjësuar çdo dekor zbukurues. Situata po bëhet aq e shëmtuar, sa banorët e irrituar s’u thonë dot të dërguarve të Edvinit as faljen biblike “Fali Zot se s’dinë çka bëjnë!”Kësisoj, aktet përdhosëse të edvinistëve nuk ndalen as edhe në ditë feste. Në ditën kur kremtohet lindja e Krishtit dhe ardhja e shpresës në botë, socialistët e Edi Ramës s’e kanë pasur për gjë ta përdhosin festën, duke e përzier atë me protesta. Kështu në lagjen periferike “Kombinat” të Tiranës, Saikeq Tahiri ka qenë në krye të llurbës politike që ka punuar për zhdekorimin e një peme të Krishtlindjeve. Ashtu si një ditë më parë, kryebashkiaku i Elbasanit e internoi pemën e Krishtlindjeve, jashtë qytetit, pasi ajo prishte punë për atmosferën e krizës, që Edi Rama do të imponojë me çdo kusht në të gjithë vendin, sot në Kombinat, Pema e Krishtlindjeve është (zh)dekoruar me bidonë uji bosh, siç thotë Saikeq Tahiri, “në simbol të mungesës së ujit dhe dritave”. Por, menjëherë pas publikimit të këtij akti të dhunshëm nga redaksia e gazetës “55”, në këtë redaksi erdhën informatat e para se në zonën e Kombinatit nuk ka mungesë të ujit apo edhe të dritave.Gazeta “55” paralajmëroi edhe dje për përshkallëzimin e kësaj linje politike përdhosëse për festat, por duket se vendimet e edvinistëve tashmë nuk do të merren natën e fshehurazi, por hapur e në dritë të diellit, krejt si ata të pacipët, të cilët ndihen krenarë kur i njohin vetvetes autorësinë e sherrit...Por, dje ishte një e kremte e shënuar, që gjithsesi na e bën shumë të vështirë, t’u shqiptojmë Edvinit, Saikeqit, Ditziut e të tjerëve, faljen biblike “Fali Zot, se s’dinë çka bëjnë!”...