E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Shteti pak kujdes per te drejtat e qytetareve te tij

TIRANE- Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut, respektimi i të cilave është parimi bazë i Kushtetutës, vazhdon të jetë problem shqetësues në shoqërinë shqiptare.Për herë të parë 70 organizata joqeveritare, qendrore dhe lokale, hartuan së bashku një raport mbi respektimin e këtyre të drejtave, ku kanë konstatuar një sërë shkeljesh të vetë shtetit në radhë të parë, si garant i Kushtetutës, por edhe të njeriut ndaj njeriut.Konsiderohet si shqetësues aksidenti i Gërdecit, ku për shkak të pakujdesive u lejua ushtrimi i një veprimtarie me nivel shumë të lartë rreziku për jetën e banorëve, të punëtorëve, por edhe të mjedisit. Kritika vijnë edhe për sistemin e drejtësisë, kryesisht në zbulimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve apo të trajtimit të të burgosurve në burgje.Në raport përmendet fakti që ka pasur më pak vrasje se në vitin 2008, por kanë mbetur ende të pazbardhura vrasje të tilla të bujshme, si ajo e Fatmir Xhindit apo sulmi ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Ky sistem kritikohet edhe në zbatimin e vendimeve që merren nga gjykatat dhe mosekzekutimi i tyre nga Zyra e Përmbarimit, si dhe për një indiferencë ndaj dhunës që ushtrohet ndaj të miturve në dhomat e paraburgimit, dhunë e cila është denoncuar nga këta të mitur, por që nuk është hetuar.Pas një raporti të gjatë, ku konstatohen shkelje të shumta, këto organizata që e paraqitën këtë raport dje në një konferencë për shtyp, dhanë dhe rekomandimet e tyre. Fenomeni i gjakmarrjes si problem shqetësues që ka ngujuar rreth 1400 familje, kërkon sipas këtij rrjeti organizatash, forcimin e institucioneve të drejtësisë, pavarësisë së gjyqësorit, prokurorisë dhe respektimin e shtetit të së drejtës; forcimin e sanksioneve ndaj dhunuesve të pronës, të jetës, të familjes dhe dinjitetit të personit. Janë disa shoqata që kanë evidentuar se ushtrohet dhunë nga personeli i burgjeve apo i paraburgimit ndaj të ndaluarve, të dyshuarve, të arrestuarve, por edhe të sëmurëve në qendrat spitalore. Në rekomandime ata kërkojnë miratimin e ligjit që lejon monitorimin e këtyre vendeve, si dhe garantimin e “statusit të viktimës të torturës”.Për të paraburgosurit kërkohet përpjekje për të luftuar keqtrajtimet; t’u garantohet higjiena personale; drejtori i Qendrës Spitalore të Burgjeve në Tiranë duhet të urdhërojë ndërprerjen e menjëhershme të lidhjes me zinxhirë të pacientëve si praktike çnjerëzore dhe degraduese.Sa i takon të drejtave politike, ky rrjet organizatash kërkon që të parashikohet e drejta për të votuar personat me aftësi të kufizuar; për akses dhe mbështetje për kandidatët me të njëjtat aftësi. Për dhunën në familje kërkohet që në çdo komisariat të ketë seksione të veçanta për të trajtuar viktimat e kësaj dhune. Për regjistrimin e fëmijëve, organizatat sugjerojnë se duhet të jetë qeveria ajo që duhet t’i japë asistencë ligjorë falas dhe përfshirje sociale për regjistrimin e fëmijëve, veçanërisht në lehtësimin e regjistrimit të romëve dhe komuniteteve të tjera në rrezik. Sa i takon pakicave kombëtare, kërkohet që shteti të ratifikojë Kartën për Gjuhët Rajonale ose Minoritare.Ndër 70 organizatat joqeveritare, qendrore dhe lokale qe hartuan raportin jane Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, apo organizata që kanë kontribuar në hartimin e këtij raporti si CRCA-ja, KRIIK Albania, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, Instituti i Integrimit të Persekutuarve Politikë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës e shumë të tjera.(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›