E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi mekanizmat e diktaturës për degradimin e njeriut

30-07-2011 / Nga Luan Myftiu

Diktatura komuniste nuk i shihte me sy të mirë njerëzit e ndershëm. Ajo i trembej dinjitetit dhe personalitetit të lirë. Komunizmi e quante mëshirën hipokrizí, kurse mirësínë njerëzore e dënonte. Diktatura adhuronte “revolucionarin”, të pashpirtin dhe ndihej e sigurtë me njerëzit e poshtër. Kredoja e saj ishte prejardhja e njeriut pa plang e pa shtëpi, ndaj shihte me dyshim të pasurit, intelektualët dhe përndiqte njerëzit me ndjenja të mira. Besnikërínë e njerëzve e maste me shkallën e angazhimit të tyre ndaj ligësive të saj. Tërë kohën diktatura u përpoq t’u jepte viktimave të saj, fytyrën e vet. Idhull për të ishte “njeriun-shtet”, d.m.th. ai që mendonte, jetonte dhe vepronte siç donte ajo. Individualitetet e spikatura i shihte me përbuzje. Liría e njerëzve i prishte gjumin, kurse mendimi i pavarur e alarmonte. Çdo shpikje, a “novatorizëm” duhej të merrte autorësínë e kolektivit, që të miratohej. Vetëm partia i dinte të gjitha! Kultivimi i ndjenjave të delikate përbënte për të rrezik. Për diktaturën njeriu nuk duhej të ishte vetvetja. Servilizmi çmohej si virtyt, kurse hipokrizia si pjekurí politike. Spiunimi quhej detyrë patriotike, ndërsa pabesia ndaj kundërshtarit, shpërblehej. Karakteret e forta shiheshin me dyshim, ose dënoheshin. Të gjithë duhej të adhuronin Zotin tokësor, diktatorin!
Qysh në fillesat e tij komunizmi vrau mendjen të gjente mekanizmat e degradímit të  njeriut. Të zbulonte si mund të merrej njeriu peng e si të “kolektivizohej”. Si të mos gjykonte me mendjen e vet dhe si të imitonte si majmuni të tjerët. Njeriu i rí nuk duhej të krenohej me ato që e dallonin. Të mos kënaqej me dinjitetin, apo talentin e vet. Të mos ushqente dëshira për t’u bërë dikushi. Shkurt, duhej të ishte vetëm një “kapital i çmuar”, që t’i shërbente diktaturës. Komunizmi ishte seriozisht i shqetësuar për tjetërsimin e natyrës njerëzore. Duke qenë utopí, komunizmi kishte zbuluar format dhe mjetet e deformimit të njeriut. Ai kishte ngritur “kudhrat” e degradimit të tij, midis të cilave : “frikën”, “gënjeshtrën” dhe “urínë”. Terrori i tij shfaqej në një mijë forma, kurse mashtrimi ishte thelbi i gjithë edukimit. Uria ndikonte mbi “kaviet” e këtij “magjistari” me anë të pasigurísë për të nesërmen. Kurse diferencimi klasor e bënte të pranueshme varfërínë. Njeriut nuk i lejohej të kërkonte një jetë më të mirë. Ai duhej të  shqetësohej vetëm si të mos ishte më keq. Dhe njerëzit u edukuan të kënaqeshin me barazínë e tyre në mjerim. Dënimet ngriheshin vetëm mbi dyshime. Madje, dhe pa asnjë hamendje. Uría u shuante njerëzve çdo ëndërr për një jetë më të mirë. Të gjithë duhej të ndiheshin mirënjohës ndaj partisë, madje, dhe pse kishin lindur si qënie. Kurse për punën, shkollën, shtëpinë, bukën, tallonat, pakon e kafesë, televizorin, duhej të ndiheshin tërë jetën borxhlinj ndaj partisë dhe pushtetit popullor. Prandaj, që fshatari të “kënaqej” me kolektivizimin, dëboheshin nga kooperativat kulakët. Por, kur në fshat pllakoste uria, ndërsa në qytete të dëbuarit jetonin “më mirë”, merreshin këta qyqarë e flakeshin në kasolle bagëtish të baltosura, pikërisht në fshatrat nga qenë shpërngulur, me qëllim që, me mjerímin e tyre, të bënin të kënaqur “skllevërit” e kolektivizuar. Por çmoheshin veçanërisht ata fakirë, që tregoheshin të kënaqur, kur jetonin më keq. Ata që  i dorëzonin shtetit “vullnetarisht” kursimet e tyre të mjera. Ata që shprehnin dëshirën të shkonin në zona të thella, për të punuar atje dhe pa shpërblim. Ata që propozonin të shkurtohej parcela private, të hiqeshin pulat nga qymezi, të rriteshin normat e punës dhe të visheshin me kominoshe gratë. Por çmoheshin dhe ata që shprehnin kënaqësí tek dëgjonin këngë dashurie për partinë dhe traktorin e parë!   
Po individi? Si i bëhej për degradimin e tij? Për kontrollimin e jetës së tij private, familjare, për çdo intimitet të tij? Asgjë nuk duhej të mbetej jashtë vrojtimit të partisë e të pushtetit. Kurse problem për diktaturën ishte depersonalizimi i armiqve. Këta duheshin mbajtur nën mbikëqyrje të rreptë, duheshin përndjekur në çdo hap, provokuar vazhdimisht, duheshin izoluar dhe dënuar. Si të persekutuar pa faj, ata shiheshin si më të rrezikshëm, ndaj dënoheshin me hamendje, pa fakte dhe prova, madje, pa pasur ndaj tyre as dyshime. Ata ishin “kurbanët”, me të cilët “edukoheshin“ të pabindurit e shtresave me “biografí të mirë”. Armiqtë duheshin torturuar, madje, deri në pranimin për t’u bërë spiunë, bashkëpunëtorë, shkaktarë të mjerimit të njërí-tjetrit. Vetëm me “armiq” të degraduar ndihej e qetë diktatura. Sepse kështu, të rrëzuar moralisht, nga të dëmshëm, ata bëheshin të “dobishëm” për komunizmin dhe pushtetin e hurit e të litarit. Ky papital i ndyrë moral i duhej fort diktaturës. Duhej realizuar porosia “gjeniale” e Leninit se “Pushteti do të jetë i garantuar, vetëm kur çdo qytetar sovjetik të bëhet një spiun!”. Ndoshta prandaj spiunimi ishte caktuar si misioni më i lartë i hetuesive mizore komuniste. Në këto punishte të krimit përgatitej njeriu për t’u bërë i poshtër. Të arrestuar pa faj, kish raste që armiqtë hutoheshin. Kish raste që tjetërsoheshin sa të besonin se vërtet i kishin kryer ato “krime”, për të cilat akuzoheshin. Kurse torturat çnjerëzore ua rrëzonin disave dinjitetin. Ndërsa fati i zí i fëmijëve u rëndonte pa shkak në ndërgjegje. Kështu diktatura degradoi shumë karaktere shqiptare. Kështu tentoi ta bënte ajo bashkautore në krimet e saj Shqipërínë. Prandaj, kurrë nuk duhen lënë pa dënuar ata që bënë çmos të depersonalizonin kombin! Ata që dhe sot po “hakmerren” ndaj gjithë atyre, që e duan me tërë mend demokracínë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›