E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi politizimin e debatit të integrimit në BE

Gjergji Vurmo* 

Çështja e kapaciteteve të vendit për t'u përballur me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian është mbase një nga temat, që vitet e fundit ka filluar të tërheqë më shumë vëmendjen e debatit publik, si edhe atë të aktorëve e subjekteve kryesore të debatit. Duke qenë një nga kriteret bazë të anëtarësimit në BE, kapacitete administrative për t'iu përgjigjur detyrimeve të anëtarësimit, sigurisht që aktualizimi i debatit përbën një element të nevojshëm, jo vetëm për vetë procesin, por edhe për informimin adekuat të publikut. Sidoqoftë, ndërkohë që në pjesën më të madhe debati fokusohet tek kapacitetet administrative të vendit, shumë pak vëmendje u është kushtuar në fakt subjekteve të këtij debati, ose më saktë kapaciteteve të tyre për t'u përfshirë në të dhe për të kontribuar realisht në procesin e integrimit. Sfida e konsolidimit të kapaciteteve administrative të vendit është një proces, i cili ka filluar prej kohësh, por pyetja shtrohet a ka filluar procesi i ndërtimit të kapaciteteve të aktorëve aktivë të debatit publik si opinionbërës, media, politika, qendra studimore etj.?
Në secilin prej rrafsheve, mbarëvajtja e procesit dhe informimi i publikut, cilësia dhe intensiteti i debatit luajnë një rol të rëndësishëm. Megjithatë, ajo çka i mungon këtij diskutimi është elementi kryesor i gjithë përpjekjes, ndikimi tek subjektet e synuara...dhe kjo fatkeqësisht edhe për shkak të cilësisë së debatit të opinionbërësve. Ka një sërë sondazhesh dhe studimesh, të cilat deri më sot kanë evidentuar (keq)perceptimet e publikut shqiptar në lidhje me procesin e integrimit, ku disa prej gjetjeve kryesore janë vërtet zhgënjyese (për shembull, përfitimi kryesor që publiku pret nga anëtarësimi në BE është lëvizja e lirë; mangësi të theksuara në njohuritë e tyre mbi institucionet e BE etj.). Megjithatë akoma më zhgënjyes është fakti se të njëjtat (keq)perceptime ekzistojnë edhe në komunitetin e opinion-bërësve dhe në fjalorin e tyre, ku shpesh nuk bëhet dallim mes "Këshillit të Evropës" dhe "Këshilli evropian" (apo "komisionit europian"), mes "instrumenteve të asistencës së BE" dhe "projekteve të veçanta të financuara nga këta instrumente", mes dokumenteve të ndryshme të KE (raport, komunikatë etj) apo akteve ligjore të njohura si acquis (rregullore, direktiva etj.) Dhe shumë e shumë koncepteve të tjera. Ndonëse marrësi i informacionit nuk është domosdoshmërisht i detyruar ta njohë terminologjinë e BE dhe të procesit të integrimit, përçuesi i këtij informacioni (opinionbërës, analist, politikan a çfarëdo qoftë) duhet minimalisht të sigurohet se kontributi i tij në debatin publik apo në nivel ekspertësh është imun ndaj gafave të tilla.
Cilësia e informacionit është ndikuar edhe nga mungesa e vëmendjes së medias ndaj debatit të ekspertëve, të cilët ofrojnë argumente reale dhe objektive në mbështetje të qëndrimeve të tyre, ndryshe nga "opinionbërësit" e kolumnave (sigurisht, jo të gjithë) të cilët e tërheqin vëmendjen e medias më lehtë nëpërmjet kritikave ndaj njërës apo tjetrës parti dhe nëpërmjet "satanizimit" të njërit apo tjetrit politikan. Shembuj konkretë të këtij problemi vërehen shpesh në debatin mediatik, ku vëmendja përqendrohet kryesisht në deklaratat apo akuzat politike dhe shumë pak në argumentet e ekspertëve të fushës. Konkretisht, vetëm pak ditë më parë media përcolli deklaratën e zv. presidentit të KE mbi prospektet e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Ndërsa në thelb deklarata ishte tërësisht korrekte dhe standarde për zyrtarë të KE, duhet theksuar se ajo nuk përcolli asgjë të re përtej qëndrimeve të shprehura edhe më 3 qershor 2008 (kur u dorëzua udhërrëfyesi dhe u theksua se ai nuk përcakton data konkrete) apo qoftë edhe përtej asaj që dihet gjerësisht nga njohësit e fushës, fakti që KE është mjaft i kujdesshëm në hapat që ndërmerr në marrëdhëniet me një vend të caktuar, veçanërisht në një vit elektoral. Duke synuar informimin e publikut (dhe jo justifikimin e politikës), më duhet të theksoj se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave thjesht përcakton fushat prioritare për reforma, të cilat prej kohësh janë futur në kuadrin e strategjive kombëtare (qoftë strategji të tjera sektoriale). Në këtë kuptim, ajo çka duhet monitoruar është progresi dhe jo domosdoshmërisht shtimi i numrit të strategjive kombëtare (sa për informacion, në shtator 2008 komisionit i është dorëzuar një dokument voluminoz, i cili raporton progresin dhe përcakton hapat pasues në drejtim të adresimit të çështjeve të identifikuara në udhërrëfyes). Mediatizimi i çështjes së liberalizimit të vizave nëpërmjet debateve të pabazuara mbi indikatorë realë, që tregojnë progresin apo mungesën e tij dhe sidomos nëpërmjet spekulimeve mbi datat, sërish nuk do të ndihmonte në informimin e publikut dhe as në përmirësimin e procesit.
Një tjetër shembull konkret i mungesës së (përfshirjes) kontributit të specialistëve, përbën edhe debati mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, i cili në fakt para disa muajsh ngjalli interesin e medias dhe të publikut për vetë domethënien, që ka ky stad i procesit të integrimit. Megjithatë, vetë mënyra e transmetimit të këtij debati tek publiku dhe aspektet e pakta që u trajtuan në të, bënë që diskutimi publik mbi një nga fazat më të rëndësishme të integrimit të sfumohej brenda pak javësh. Për më tepër, debati shënoi një nga të paktat çështje së të gjithë historikut shqiptar të integrimit në BE, për të cilin politika shqiptare nuk arriti në një qëndrim të përbashkët. Nga ana tjetër, as përfshirja e ekspertëve dhe organizatave studimore nuk ndoqi ritmin e debatit me synim thellimin e tij dhe rrjedhimisht u kufizua vetëm tek kontributi (mjaft i vlefshëm) i dokumentit të promovuar nga instituti "Agenda". Le të shpresojmë se në javët në vijim ky kontribut i "Agenda"-s do të aktualizohet sërish në publik edhe nëpërmjet një dokumenti politikash të IDN, i cili detajon aspektet thelbësore të procesit të aplikimit për anëtarësim. Kjo mbase do të shënojë diçka të re në sfidën e aktualizimit të debatit publik mbi çështje strategjike nëpërmjet kontributeve të mirëfillta dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet politizimit të çdo lloj argumenti dhe mediatizimit të çdo lloj deklarate, që ofron shumë debate politike dhe (as)pak informacion.
Për të arritur në këtë stad të debatit, roli i komunitetit të ekspertëve dhe organizatave studimore duhet të fokusojë më tepër energji tek strategjitë për të influencuar procesin dhe politikëbërësit. Po aq e rëndësishme mbetet edhe sfida e konsolidimit dhe promovimit të kapaciteteve të aktorëve të tjerë, të cilët realisht mund ta pasurojnë procesin nëpërmjet argumentimit të politikave dhe jo nëpërmjet politizimit të argumenteve. Një qasje e tillë sigurisht që do të ndikojë pozitivisht në informimin e publikut, vendosjen e debatit në terma realë dhe veçanërisht në përmirësimin e rolit të politikës në këtë proces....duke filluar nga gjetja e konsensusit për momentin e aplikimit për anëtarësim në BE.
*Instituti për demokraci dhe ndërmjetësim (IDN)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›