Spitali, dje 4 ditë pa energji
FIER - Spitali i Fierit kaloi dje ditën e katërt të mungesës së energjisë. Edhe gjatë të dielës shumë pacientë i janë drejtuar derës së spitalit, por e kanë gjetur sërish në gjendje "gjumi". Ndërsa operacionet e planifikuara janë shtyrë dhe vetëm në rastet urgjente ndizet gjeneratori, të tjerë pacientë që kanë nevojë për ndihmën mjekësore kanë shkuar më kot para dyerve të spitalit. Pjesa dërrmuese e të paraqiturve ishin me probleme të kockave, por nuk munguan edhe rastet e tjera kur disa paraqiteshin me shqetësime të organeve të brendshme. "Jam paralizuar nga këmba fare. Kam disa ditë që vij këtu. Më kanë thënë që e kam thyerje, por i kam vendosur vetëm ilaçe popullore me qëllim mbajtjen nën kontroll. Edhe sot erdha, sërish e njëjta gjë. Mjekët më kanë thënë që ka një javë që gjendja është e njëjtë, por unë kam këtu 3 ditë që po e provoj vetë", thotë Mistoja, i cili ka dëmtuar këmbën e djathtë. Mungesën e energjisë e kanë përjetuar me të njëjtën dhimbje edhe vetë mjekët. Një infermiere thotë se edhe injeksionet i bëjnë nën dritën e qiririt, si në mesjetë apo duke përdorur çakmak apo dritën e celularëve. "Ka pasur raste që i kemi shtrirë pacientët këtu jashtë në korridor sepse nuk mund të punojmë dot brenda për shkak të errësirës së plotë", shprehet një tjetër. Burime brenda Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes thonë se një defekt i shkaktuar i ka detyruar të bëjnë remont në të gjithë pjesën e rrjetit, me qëllim që të mos përsëritet e njëjta histori. "E njohim situatën dhe po punojmë, por vetëm sot arritëm të ecim para, se ishte krijuar lagështi nga shirat. Po mundohemi të kurojmë rrjetin që të mos përsëritet situata në këto institucione të rëndësisë së veçantë". m.r