“Pse e vrava shokun e ngushtë”
pogradec / JORGJETA GJANÇI
Në gjendje disi më të përmirësuar shëndetësore, 55-vjeçari shfaqi pendesë për krimin e kryer, duke deponuar gjithçka kishte ndodhur brenda në shtëpinë e tij. "Më shau rëndë. E godita dhe ai vdiq. U pendova, por ishte vonë". Kështu e nisi rrëfimin Bashkim Muçka dje në mëngjes, në ambientet e policisë së Pogradecit. Grupi i hetimit, që në fillim të pyetjeve, tentoi të provokonte të arrestuarin për dyshimin e tyre në lidhje me tentativën e një grabitjeje të mundshme. Por Muçka hodhi poshtë këtë dyshim, duke argumentuar gjendjen e mirë ekonomike të tij. "Ishte një moment gjaknxehtësie kur e godita. Të dy ishim të dehur dhe nuk e kontrolluam veten. U ndeshëm në fillim me grushte e më pas e qëllova me çekiç. Kur e pashë që vdiq u pendova, por ishte vonë. Tani drejtësia le të vendosë për mua", vijoi deklarimet e tij 55-vjeçari, duke mohuar se ngjarja të ketë pasur motiv grabitjen apo ndonjë konflikt të mëparshëm. Ai pohoi se gjithçka kishte ndodhur fare papritur. Kishin nisur të debatonin, më pas shkalla e acarimit ishte rritur, derisa viktima e kishte sharë duke i përmendur njerëz të familjes. Muçka deponoi se i kishte ikur situata nga kontrolli, në momentin që miku i tij i ngushtë kishte nisur t'i përmende gruan, vajzën... Pas marrjes në pyetje të autorit, policia arriti në konkluzionin se vrasja është kryer rreth orës 14:00 të ditës së shtunë dhe se autori i krimit Bashkim Muçka e ka realizuar vrasjen me mjete të forta mprehëse, një thikë dhe një çekan. Grupi i hetimet duke e vlerësuar gjendjen e tij mendore brenda kufijve normalë, ka kërkuar hollësi rreth ngjarjes, duke këmbëngulur në pistën e grabitjes së kambistit. Autori i arrestuar e ka mohuar kategorikisht këtë akuzë me faktin se ai ishte mirë nga gjendja ekonomike dhe nuk kishte pse të grabiste Beqirin. "Që të dy punonim dhe kishim para. Rrinim shpesh bashkë në lokale. Dje e ftova në shtëpinë time për të kaluar kohën se isha vetëm. Gruaja kishte shkuar në punë. Gjatë bisedës u grindëm e shamë. Beqiri, në një moment mbaj mend që më shau rëndë, aq sa unë nuk pashë se ç'bëra më pas". Me gjithë pendesën e shprehur për krimin, Muçka tentoi të justifikonte masakrën me gjendjen e dehur. Por grupi i hetimit e hedh poshtë këtë pretendim, pasi vërtetoi gjatë kryerjes së analizave në laborator, se ai nuk kishte përbërës alkooli apo të ndonjë substance tjetër, që mund të stimulonte veprime agresive. Ai akuzohet për "Vrasje me dashje". Viktima dhe autori kanë qenë oficerë të ushtrisë për vite me radhë. Atje janë miqësuar me njëri-tjetrin. Miqësinë e kishin ruajtur edhe pasi dolën në lirim. Me fëmijë të rritur e të larguar jashtë vendit, ata ngushëlloheshin si miq, shpesh edhe para filxhanit të kafesë apo gotës së pijes.