E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi stol...

Stolat nuk janë vetëm vende për t‘u çlodhur në natyrë. Ato kanë bërë të lindin vepra letrare, luftëra ideologjike, takime sportive dhe eksperimente teknologjike

Kanë frymëzuar shkrimtarë, regjisorë dhe komikë. Janë teatro luftërash ideologjike, shkëmbime juridike dhe karriera sportive. Janë palestra për të bërë eksperimentime dizajni dhe natyrisht lejojnë takime nga më të ndryshmet dhe ofrojnë një pushim të qetë në natyrë. Edhe pse nuk e besoni, stolat kanë një histori të paimagjinueshme dhe të vjetër, më shumë se 4 mijëvjeçare

Varre dhe nimfa

Mesa duket, emri i tyre vjen nga latinishtja, "planca", që do të thotë "tavolinë e gjatë". Gjurma e tyre e parë gjendet në Egjiptin e lashtë, mes vitit 2778 dhe 2220 para Krishtit. Përreth Gizës gjendej një varrezë e formuar nga shumë "mastabe" (varre me tulla argjile, emri i së cilës vjen nga një term arab që do të thotë "stol"). Në fakt, forma e tyre të kujtonte stolat e ndërtuar përpara shtëpive.

Mitologjia greke tregon histori të nimfave, të cilat pushonin mbi gurë të gjatë të vendosur përreth burimeve.

Shëtitje përtacie

Në Greqinë e lashtë filozofët i mbanin leksionet e tyre duke ecur; dëgjuesit uleshin ose në tokë, ose në bordurat e trotuareve. Stolat e parë lindën me një funksion praktik: për t‘u tharë pas banjave dhe që gratë të pushonin pasi të mbushnin ujë në burim. Por, me kalimin e viteve stolat u bënë vendet e lidhjeve shoqërore. Funksioni i stolave si vende pushimi u bë tepër i rëndësishëm në Mesjetë. Gjatë asaj periudhe njerëzit ecnin shumë: udhëtarë e pelegrinë kishin nevojë të pushonin. Kështu, përgjatë rrugëve me trafik filluan të ndërtoheshin dalëngadalë stolat e parë prej guri për më shumë se dy vetë.

Detyra e Leonardos

Revolucioni ndodhi mes viteve 1500-1600. Tashmë, panoramës së re të parqeve iu shtuan edhe stolat për momentet e pushimit. Gjatë periudhës së Rilindjes, parqet u bënë prona publike. Në Evropë lindi mobilimi urban: nëpër korridoret e merkatove filluan të ndërtoheshin stola të vegjël. Me kulturën borgjeze lindi edhe dëshira e bashkëbisedimit. Kështu, stolat u bënë vende takimesh edhe për eksperimentimet teknologjike. Leonardo da Vinçi përdori një stol në vend të një piloti në eksperimentet për të testuar makinat e tij fluturuese. Vetëm në vitet 1800 lindën stolat që ne i njohim sot, prej druri dhe gize, të cilat ishin në shërbim të qendrave të ndryshme. Përdoreshin për të shprehur dashurinë (mbretërit linin takime te stolat e parkut), për të diskutuar për çështje të ndryshme, por edhe për të fjetur. Ishin një lloj strehe për të papunët dhe të braktisurit e qyteteve të mëdha. Veç stolave të thjeshtë, ekzistonin edhe ato për zotërinjtë. Në shtëpitë e pasanikëve stolat ishin me ngjyra, ashtu siç tregon edhe rusi Fjodor Dostojevski në romanin e tij, "Të fyer e të poshtëruar". Në Francë, duke qëndruar ulur në stolat jeshilë të parqeve, kujton Viktor Hygo, vajzat i gjuanin të dashurit nga larg. Në parqet gjermane, disa stola u rezervoheshin familjeve borgjeze.

Gjykim në stol

Në stola kanë lindur vepra letrare. Arthur Rimbaud dhe Georges Simenon shkruanin dhe frymëzoheshin duke qëndruar ulur në stola. Në Francë, çiftet romantike të Raymond Peynet kishin bërë për vete gjithë botën: ishte një çift i dashuruar, që shpesh qëndronte ulur në një stol. Krejt ndryshe ndodhi në Amerikë, ku banka u bë pjesë e të drejtës penale "bench trial" (gjykim në stol). Është një mënyrë e zhvillimit të procesit, në të cilin i pandehuri heq dorë nga prania e jurisë, duke qëndruar ulur në vendin e të akuzuarit përpara gjykatësit. Në fakt, fjala "bankë" do të thotë tavolinë prej druri.

Mes fushave

Ndër të tjera, stolat janë sinonim i emigracionit edhe në sport: në futboll, sportistët e ulur në pankinë nuk luajnë. Hyjnë për të zëvendësuar ndonjë futbollist të lodhur, ose ndonjë që dëmtohet.

Gjithashtu, stolat janë edhe një burim gëzimi: rruga e dashurisë që ka lidhur shumë njerëz.

Panoramike

Një "hedhje" në të shkuarën

Një stol me pamje nga "Grand Canyon" SHBA. Mes turistëve, edhe një person me kapele indiane me pupla

Sportive

Duke pritur

Pankina e skuadrës australiane të basketbollit në Lojërat Olimpike, Pekin 2008

Pritjeje

Duke pritur një makinë

Një stol pritjeje në stacionin e metrosë në Londër: për fëmijët dhe të moshuarit është shumë i rëndësishëm

Romantike

Takimi i shpirtrave binjakë

Të dashuruarit e piktorit francez, Raymond Peynet, janë simboli i dashurisë romantike në parqet e qytetit

Gjurmë njerëzish

Stol guri, pranë një shtëpie të vjetër në Santorini, Greqi. Është një nga vendet e civilizimit minoik (2000 vjet para Krishtit)


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›