E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të Pavel Hradecnit

Pas një lufte të pabarabartë me një sëmundje të gjatë dhe të rëndë u largua përgjithmonë nga radhët e historianëve çekë ballkanisti i shquar Pavel Hradecni, CSc. U largua jo vetëm shkencëtari i shkëlqyer, por edhe njeriu i çmuar, i cili asnjëherë nuk hezitoi, kur ishte e nevojshme, në interes të plotësimit të detyrave profesionale të shtrinte dorën për të ndihmuar. Sfera e interesave të P. Hradecnit ishin historia e re dhe moderne e Evropës Juglindore, veçanërisht e Shqipërisë, Greqisë dhe vendeve të ish-Jugosllavisë, raportet midis vendeve ballkanike dhe kontaktet e territoreve çeke me vendet e këtij rajoni.

Pavel Hradecni lindi në Brno. Me këtë qytet lidhet fëmijëria dhe studimet në shkollën e mesme dhe në universitet. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Brnos studioi në vitet 1956-1961 historinë dhe gjuhën çeke. Në kuadër të historisë, që në fillim pëlqeu të merrej me historinë e Gadishullit Ballkanik. Influencë të thellë në përgatitjen e tij patën profesorët Josef Macurek, i cili në këtë kohë merrej me historinë e Rumanisë dhe Shqipërisë, e veçanërisht bullgari dhe turkologu i shquar Josef Kabrda. Me rekomandim të këtyre profesorëve shkoi për një studim njëvjeçar në vitet 1959-1960 në Universitetin e Tiranës për të mësuar më mirë bazat e gjuhës shqipe dhe historinë e vendit. Në vitin 1966 u organizua në Sofje Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Ballkanistikës. Krahas specialistëve të njohur çekë në këtë fushë ishte edhe Pavel Hradecni, i cili si asistent i katedrës në Fakultetin e Filozofisë nga viti 1963, shkoi si specialist për Shqipërinë. Me qëllimin për të fituar eksperienca të reja në punët shkencore në vjeshtë të vitit 1966 transferohet në Pragë në Institutin e atëhershëm të Historisë së vendeve socialiste (UDESZ) pranë Akademisë së Shkencave. Nga ajo kohë e deri në fund ai qëndroi në Pragë. Për të thelluar njohjet e tij të gjuhës serbokroate dhe shqipe, instituti e dërgoi atë për një stazh pune në Universitetin e Beogradit dhe në Prishtinë, ku shkencëtari i ri thelloi njohjet me historinë dhe veçanërisht me problematikën e Kosovës. Kështu ndodhi që ndër të paktët historianë dhe albanologë çekë të bëhet njohësi më i mirë i Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë, Paveli filloi të mësojë greqishten dhe turqishten. Punimet shkencore të Hradecnit në shtypin e specializuar janë të pafundme dhe në to, padyshim në vend të parë janë studimet për Shqipërinë. Duke u njohur me fondin e pasur të Ministrisë së Jashtme të Çekosllovakisë në vitin 1967 botoi studimin rigoroz me temën "Shqipëria midis dy luftërave botërore 1918-1939", vepër për të cilën iu dha titulli shkencor PhDr.

Fluturimin shkencor drejt majave më të larta të shkencës ballkanistike e ndërprenë ngjarjet e Pranverës së Pragës, ku në kuadër të "verifikimeve biografike" rezultoi se Pavel Hradecni kishte qenë simpatizant i Pranverës së Pragës dhe ishte kundër pushtimit të vendit nga ushtritë e Traktatit të Varshavës. Kjo gjë i solli atij atë që quhej "përjashtim nga radhët e partisë", me pasojë kufizimin e veprimtarisë dhe lëvizjes së lirë të shkencëtarit shpresëmadh. Tipar themelor i karakterit të tij ishte mosdorëzimi, edhe pse i refuzoheshin sistematikisht udhëtimet studimore jashtë shtetit. Ndaj nuk rreshti së botuari punime shkencore si kontributi i tij në dy punime kolektive "Evropa Qendrore dhe Juglindore në luftë dhe revolucion" (Pragë 1969) dhe "Shtetet socialiste të Ballkanit midis dy luftërave" (Pragë 1971). Vazhdonte gjithmonë ta tërhiqte më shumë se çdo gjë Shqipëria dhe për këtë botoi një libër në formë almanaku me titull "Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë" (Pragë 1977), ndërsa në bashkëpunim me sinologen Ivana Bakeshova shkroi "Raportet kino-shqiptare 1949-1978". Është për të ardhur keq që për këtë punim, udhëheqja e atëhershme e sektorit të jashtëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Çekosllovake u shpreh se "nga pikëpamja e politikës së jashtme të shtetit çekosllovak materiali përmban pjesë të dëmshme". Studimi u botua vetëm për përdorim të brendshëm. Vetëm pas nëntorit të vitit 1989, Pavel Hradecni pati mundësi të shprehë lirshëm aftësitë shkencore-historike. Në kuadër të procesit të rehabilitimit në vitin 1991, bëri mbrojtjen e disertacionit, shkruar vite më parë, "Problematika e zhvillimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të Shqipërisë në vitet 1939-1978". Në vitet ‘90, Hradecni punoi me intensitet të jashtëzakonshëm për të fituar "kohën e humbur". Të kësaj periudhe janë publikimet "Rrethanat historike të rënies së ish-Jugosllavisë" (Pragë 1996), ku u mor gjerësisht me zhvillimet politike në Kosovë në vitet 1944-1996 dhe me kontributin e saj në dezintegrimin e Jugosllavisë, ku vend të veçantë zënë kapitujt për sovjetizimin e Shqipërisë me ndihmën e komunistëve jugosllavë dhe përpjekjet e pasuksesshme të forcave të majta në Greqi, për vendosjen e regjimit stalinist në Greqi, për të kaluar në sintezën "Sovjetizimi i Evropës Lindore në vitet 1944-1948",(Pragë 1995). Nuk mund të ngelen pa përmendur edhe vepra të tjera, si vepra kolektive nën udhëheqjen e Hradecnit "Historia e Greqisë" (Pragë 1998). Publikimi i tij "Grekët dhe Turqit. Armiq apo aleatë" (Pragë 1999) i kushtohej zhvillimit të marrëdhënieve greko-turke nga Mesjeta deri në ditët tona si reflektim i problemeve kyçe në marrëdhëniet midis dy vendeve, ndër të cilat zë vend, fjala vjen, problemi ende i pazgjidhur i çështjes së Qipros. Por vepra më madhore e jetës së tij, botimin e së cilës nuk mundi ta gëzojë, është HISTORIA E SHQIPËRISË (Pragë 2008). Ky vëllim bën pjesë në ciklin: "Historitë e vendeve të ndryshme në botë". Ndër 58 botimet e deritanishme, pas Historisë së Indisë, për nga volumi, "Historia e Shqipërisë" është në vendin e dytë (716 faqe). Është një botim i vërtetë shkencor me vlera të jashtëzakonshme.

Gjatë shërbimit tim diplomatik në Pragë e njoha Pavelin që ditët e para të qëndrimit tim. Asnjëherë nuk mungoi të vinte në ambasadë për të më takuar. Ishte një ritual javor: telefononte për të ditur nëse kisha apo jo punë dhe pas dhjetë minutash i qeshur shfaqej te porta. Sado që i ofroja çdo gjë për të pirë, ai nuk hoqi dorë nga tri kërkesa: t‘i jepja një gotë ujë... të flisnim vetëm shqip... dhe t‘i dorëzoja të gjitha gazetat e javës që kishin mbërritur nga Tirana. Donte të mësonte ndryshimet në shqipen e sotme. Në krizën e Kosovës nuk përtuam të shkruanim në shtypin çek, të jepnim intervista në radio dhe t‘u përgjigjeshim edhe letrave të atyre që nuk dinin shumë për Kosovën. Një ditë shkuam së bashku në emisionin e BBC-së në gjuhën çeke dhe me kufje në vesh u përgjigjeshim pyetjeve të dëgjuesve. Kur dolëm nga transmetimi më dha dorën me nxitim dhe më tha se duhej të ikte shpejt.

-Prit - i thashë - të çoj unë me makinë!

- Nuk ke punë ti - m‘u përgjigj buzagaz

- Si është puna?

- Më mori në telefon një serb dhe do të bisedojë me mua, se nuk i pëlqejnë shkrimet e mia për Kosovën.

- Atëherë po vij dhe unë!

- Në asnjë mënyrë!

- Po nuk ke frikë? Ti nuk e njeh atë.

- Aspak, do ta mund unë me argumentet e mia.

Pas luftës së Kosovës, me rastin e vizitës zyrtare në Çeki, në pranverën e vitit 2001, në emër të shtetit shqiptar, Presidenti Meidani e dekoroi Pavel Hradecnin me Urdhrin e Artë "Naim Frashëri". Asnjëherë nuk e kisha parë atë dhe familjen e tij kaq të lumtur. Vite më vonë, kur shkoja shpesh në Pragë për përgatitjen e projektit filmik, do të takoheshim patjetër.

Herën e fundit, i dëshpëruar se punët me buxhetin e filmit nuk ishin mirë, duke e ditur se ishte dhe i sëmurë, nuk i telefonova fare. Në mëngjes herët nuk m‘u durua dhe e lajmërova se po kthehem për Tiranë me duar bosh. Kur mësoi orarin e nisjes ia behu në Aeroportin e Pragës. Kishte marrë ngjyrën e vdekjes, por prapë më përqafonte dhe qeshte si gjithmonë me zë të lartë. Ca nga mërzia e filmit, ca nga pamja e tij, nuk i mbajta lotët. Po Paveli buzëqeshte dhe kur u përqafuam më tha:

- Të dy e kemi një mërzi, po kjo e jotja do të zgjidhet. Ti ia hodhe vdekjes e jo të mos bësh një film.

E dija se ky ishte takimi i ynë i fundit, ndaj e përqafova fort.

Ishte data 25 gusht 2005. Të nesërmen i kujtova fjalët e tij... Qeveria më bëri një shtesë buxheti dhe një javë më pas i hyra aventurës së xhirimit të filmit. Dhjetë muaj më vonë postieri më solli letrën e gruas, ku mësova për vdekjen e tij. Në premierën e filmit "Trishtimi i zonjës Shnajder" në Pragë, përveç duartrokitjeve të publikut mora dhe një dhuratë të çmuar: Librin tashmë të botuar të Pavel Hradecnit dhe në të dedikimin: "Me respektin dhe dhimbjen që nuk mund ta nënshkruante miku juaj, ua dedikon Marije Hradecni. Pragë 28 maj 2008". Ky libër meriton të flasë shqip!

Marrëdhëniet çeko-shqiptare në të kaluarën dhe sot

(kapitulli i 7-të i librit "Historia e Shqipërisë")

Fillimet e marrëdhënieve reciproke midis çekëve dhe viseve shqiptare mund të gjenden qysh në fillim të shekullit të 15-të. Motivi fillestar ishte interesi i përbashkët i banorëve çekë dhe Shqipërisë në thyerjen e ekspansionit të turqve osmanë në Evropën Jugore dhe Qendrore. Përpjekja antiturke e shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në vitet dyzet deri në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të 15-të ngjalli interes dhe admirim edhe në territoret e largëta të Çekisë. Këtë realitet e dëshmojnë disa kujtime letrare çeke dhe shënime udhëtimi në shekujt e 15 - 17-të. Me mjedisin shqiptar ranë në kontakt të drejtpërdrejtë, gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan, për shembull fisnikët Jan Hasishtejnski nga Lobkovicet dhe Krishtof Harant nga Polzhicët.

Në kohët e mëvonshme lajmet nga Shqipëria vinin prej ndërmjetësve të tjerë. Mjediset shqiptare përshkruheshin si zona ku depërtohej me vështirësi dhe me një terren të ashpër malor, ndërsa banorët përshkruheshin si një popullsi me një prapambetje të madhe. Shqiptarët në ato kohë, në mënyrë të thjeshtëzuar identifikoheshin me myslimanët turq dhe popullata çeke, si pasojë e kësaj nuk kishte mendim të mirë (në varësi të kësaj teze duhet të theksojmë se të njëjtin opinion për shqiptarët kishte deri në shekullin e 17-të dhe në pjesën më të madhe të shekullit të 19-të shumica e banorëve të Evropës së krishterë). Njohja më e afërt e historisë, gjuhës dhe kulturës së shqiptarëve erdhi afërsisht pas gjysmës së dytë të shekullit të 19-të. Kontribut të rëndësishëm në këtë patën edhe disa shkencëtarë, publicistë dhe punonjës kulture nga Çekia. Vëmendje të madhe u kushtoi shqiptarëve në kuadër të studimit historik dhe gjuhësor të pjesës qendrore dhe jugore të Ballkanit Pavel Jozef Shafarzhiku (1795-1861). Për sqarimin e shumë problemeve nga historia e Shqipërisë kontribuoi gjithashtu edhe Kostandin Jireceku (1854-1918), një ndër bashkëthemeluesit e ballkanistikës historike. Vepra e Jirecekut për periudhën Bizantine dhe Veneciane në kohën e Historisë së Shqipërisë, për zhvillimin e atëhershëm të disa qyteteve - Shkodra, Durrësi e Vlora dhe veçanërisht botimi i gjerë burimor: "Acta et diplomata res albaniae mediaetatis illustrantia I, II", të cilën e botoi së bashku me hungarezin Ludwig von Thalozi dhe kroatin Milan Shuflai në Vjenë në vitet 1913 dhe 1918, ruan deri me sot vlera të jashtëzakonshme shkencore.

Filologu më i madh çek, Jan Urban Jarnik (1848-1923) ka publikuar një sërë studimesh për gjuhën shqipe "Zur albanischen Sprachenkunde, Leipzig" (1881), "Prispevky k poznani nareci albanskym" ("Kontribute për njohjen e dialekteve të shqipes"), Pragë 1883, "Za jazykem albanskym" ("Për gjuhën shqipe"), Pragë 1916 dhe ka mbajtur kontakte me shumë personalitete të jetës kulturore të Shqipërisë. Studimin e parë praktik për raportet mbizotëruese kohore në trevat shqiptare dhe veçantitë e shoqërisë së atjeshme e ka bërë gazetari dhe publicisti, Josef Jakub Touzhimski (1848-1903), kur në revistën prageze "Rilindja" botoi, në bazë të përvojës personale, gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan me shkrimin e gjerë me titull "Albansko i Albanci" ("Shqipëria dhe Shqiptarët"). Nga pikëpamja gjeografike dhe etnografike e zonës tepër interesante të kufirit shqiptaro-malazez ka shkruar gjeografi Viktor Dvorski (1882-1960) në punimin "Cernohorsko-albanska hranice od usti Bojany k Tare", ("Kufiri malazezo-shqiptar nga gryka e Bunës deri në Tare", (1909). Shqipërinë e veriut e vizitoi dhe Josef Jan Svatek, autor i studimit "Cerna Hora a Skadar" ("Mali i Zi dhe Shkodra")(1914). Te letërsia shqipe, kryesisht te përrallat dhe legjendat popullore e hodhi vështrimin mjeku dhe shkrimtari Josef Vinarzh (1875-1963). Ky botoi edhe në çekisht një përmbledhje të poezisë shqipe "Narodni zpevy albanske" ("Këngët popullore shqiptare"), (1911). Me gjithë këto studime shkencore dhe letrare, ende në fillim të shek 20-të përshtypjet e çekëve ndaj shqiptarëve ishin të sipërfaqshme dhe të pavërteta. Çekët në këtë kohë simpatizonin luftën çlirimtare të serbëve, malazezëve dhe bullgarëve kundër Turqisë. Në këtë drejtim ndikoi për keq për shembull gazetari dhe shkrimtari Josef Holecek (1853-1929), i cili qëllimshëm i ndante sllavët e jugut në një anë dhe turqit e myslimanët shqiptarë në anën tjetër. Si gjoja aleatë të turqve i trajtonte ata kryesisht negativisht. Për shqiptarët, në Çeki mbizotëronte mendimi se janë të prapambetur në kulturë dhe politikë, se mbizotëron sistemi klanor dhe kanë mungesë të ndërgjegjes kombëtare. Në të njëjtën frymë referonte për raportet në Ballkan shumica e shtypit - me orientim thellësisht pro sllav. Për shkak se çekët në këtë kohë ushqenin antipati të thellë të politikës së jashtme të Austro-Hungarisë, kur dihej, se po përpiqej të shfrytëzonte çështjen shqiptare për forcimin e pozitave të saj dominuese në Ballkanin juglindor, nuk të çudit aspak fakti, që shumica e opinionit publik çek në kohën e luftërave ballkanike në vitet 1912-1913 ishte shumë i vakët në mendimin e krijimit dhe ekzistencës së përhershme të një shteti të pavarur shqiptar. Për njohjen e vërtetë të publikut çek në raport me Shqipërinë, ndihmoi pikërisht eksperienca e parë e qindra çekëve, që gjatë Luftës së Parë Botërore erdhën në fushëbetejat e Shqipërisë si ushtarë të armatës austro-hungareze që kishte okupuar pjesën më të madhe të territoreve shqiptare. Çekët në Shqipërinë e atëhershme zbuluan jo vetëm frymën antiturke në shumicën e shqiptarëve, por edhe cilësitë karakteristike kombëtare - aspiratën për liri, shpirtin luftarak dhe qëndresën, ndershmërinë e tyre, respektin për mikun etj. Çeku më i njohur, i cili në formë letrare i krijoi dhe më vonë i publikoi kujtimet e tij gjatë qëndrimit si ushtarak në mes të shqiptarëve, ishte Stanislav Kostka Neumann (1875-1947). Për Shqipërinë ka shkruar veçanërisht në ciklin e kujtimeve në librat "Elbasan" dhe "Baragozhda dhe tregime të tjera lufte" (1923). Këto libra u ribotuan disa herë deri në vitet ‘70 (shën. i përkth). Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, raportet çeko-shqiptare ndryshuan rrënjësisht. Marrëdhëniet zyrtare diplomatike midis shtetit të pavarur Çekosllovak dhe Shqipërisë u lidhen në korrik të vitit 1922. Zyra përfaqësuese Çekosllovake ka ekzistuar nga viti 1925 deri në shkurt të vitit 1939, fillimisht si konsullatë e përgjithshme, më vonë në formën e një agjencie diplomatike dhe në fund si Legatë. Përfaqësimi i drejtpërdrejtë i Shqipërisë në Pragë në të njëjtën kohë kufizohej me një konsullatë nderi. Ceno Kryeziu (ish-dhëndri i mbretit të atëhershëm Ahmet Zogu), i cili qysh prej vitit 1926 kryente funksionet e të dërguarit diplomatik në Mbretërinë e SHS (Serbi, Kroaci, Slloveni) dhe që në shkurt 1927 u emërua si konsulli i parë shqiptar në Çekosllovaki, më 14 tetor 1927 u vra në Pragë para se t‘i dorëzonte letrat kredenciale presidentit Masarik. Prapaskena e këtij atentati me motive politike ka ngelur deri më sot e paqartë. Marrëdhëniet reciproke midis Çekosllovakisë dhe Shqipërisë midis dy luftërave botërore u zhvilluan kryesisht në sferën ekonomike. Në gjysmën e dytë të viteve ‘20-‘30, Çekosllovakia ishte eksportuesi i dytë më i madh i mallrave në Shqipëri (në vend të parë ishte Italia). Interes në rritje në këtë kohë për Shqipërinë patën veçanërisht historianët (Josef Matoushek) gjeografët (Karel Kuharzh), ekonomistët (Vaclav Cerveni) dhe filologët. Shkencërisht me shqipen në këtë kohë u mor mbi të gjitha djali Jan Urban Jarnikut- Hertvik Jarnik (1877-1939), autor i librit "Rishkrimi i shqipes" (1926). Në Universitetin e Vjenës vepronte në këtë kohë indoeuropeisti dhe albanologu botëror Norbert Jokl, lindur në Bzenc të Moravisë, i torturuar nga nazistët gjermanë në Luftën e Dytë Botërore. Propagandist i madh i raporteve çeko-shqiptare ka qenë dhe përfaqësuesi i parë diplomatik i Çekosllovakisë në Tiranë, Josef M.Kadlec, i cili në ato vite publikoi një seri librash dhe botoi në shumë revista punime për historinë moderne të Shqipërisë "Historia diplomatike e Shqipërisë Pragë 1927". Në vitet ‘30, vepronte në Pragë një shoqatë shumë aktive- Shoqata Çekosllovako - Shqiptare, e cila në vitin 1938 botoi një almanak interesant me titull "Albanie". Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri i dha marrëdhënieve çekosllovako-shqiptare, të ndërprera në vitet 1939-1945, një hov të ri. Njohja e "Shqipërisë popullore" nga Çekosllovakia u bë më 16 nëntor 1945. Marrëdhëniet e rregullta diplomatike u rinovuan me emërimin e ambasadorit çekosllovak në Beograd si përfaqësues konsullor edhe për Shqipërinë në nëntor 1947 (ambasador ishte babai i z.Madlene Ollbrajt, i cili pas grushtit komunist të shtetit emigroi në SHBA - shën i përkth.). Por vendosja e marrëdhënieve të rregullta diplomatike u bë me hapjen e përfaqësive diplomatike në të dy vendet në vitin 1949, mbas atashimit të plotë të Çekosllovakisë në bllokun sovjetik (1948). Zhvillimi i shpejtë i marrëdhënieve bilaterale u kushtëzua nga futja e të dy vendeve në RHPV (Këshilli i marrëdhënieve ekonomike reciproke) 1949 dhe Traktati i Varshavës (1955). Nga pala Çekosllovake gjatë viteve ‘50, Shqipëria kishte ndihmë të gjithanshme politike, tekniko-ekonomike, shëndetësore, kulturore dhe arsimore. Në shkollat larta të Çekosllovakisë studiuan në këtë kohë një numër i madh studentësh. Referenca entuziaste për Shqipërinë socialiste jepte libri i Jan Pilarit "Ditari shqiptar", 1954. Më vonë Shqipërinë e popullarizuan reportazhet e Jirzhi Hanzelkes dhe Miroslav Zikmundit "Gjysmëhëna e kthyer mbrapsht". Në vitet ‘50, filloi mësimi i gjuhës shqipe në fakultetin filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë, të cilin e themeloi dhe udhëhoqi Dhimitër Pilika. Letërsisë shqipe shkencërisht dhe si përkthyese iu kushtua Hana Tomkova, që vazhdon të punojë intensivisht (ka përkthyer "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur" dhe "Prillin e thyer" të Ismail Kadaresë- shën. i përkth.). Në anën tjetër edhe shqiptarët patën mundësi të njihen me Çekosllovakinë, veçanërisht me kulturën e saj. Tepër popullor pas Luftës së Dytë Botërore pati për ta, po ka edhe sot, përkthimi i "Ushtarit të mirë Shvejk". Për përhapjen e muzikës çeke në mjedisin shqiptar, veçanërisht të veprave të Bedrzhih Smetanes, Antonin Dvorzhakut, Leosh Janackut, Josef Sukut dhe Zdenjek Fibihut meritë ka dirigjenti dhe virtuozi muzikor Mustafa Krantja (1921-2002). Me marrëdhëniet kulturore çeko (sllovako) - shqiptare punoi filologu dhe historiani kulturor Dhimitër Pilika.

Si pasojë e prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe satelitet e tij (1961) marrëdhëniet në rritje çekosllovako-shqiptare për tri dekada me radhë njohën ulje të dukshme në të gjitha sferat. Përjashtim bënë vetëm marrëdhëniet ekonomike.

Rënia e regjimeve komuniste reciprokisht armiqësore në Çekosllovaki (1989) dhe në Shqipëri (në fillim të viteve ‘90) krijuan kushte jo vetëm për normalizim të plotë midis dy vendeve por edhe për intensifikimin dhe diversifikimin e tyre. Zhvillimi pozitiv i raporteve politike nuk u pasqyrua në raportet ekonomike, të cilat nën ndikimin e disa faktorëve pësuan rënie të theksuar. Kjo gjendje vazhdoi në raportet bilaterale edhe në vitet e para të lindjes së Republikës Çeke. Rritja cilësore dhe marrëdhëniet miqësore të raporteve çeko-shqiptare më në fund përfunduan me vizitën reciproke të kryetarëve të të dy shteteve- ajo e Presidentit Havel në Shqipëri (qershor 1999) dhe e Presidentit Meidani në Republikën Çeke (prill 2001). Vizitat e ndërsjella në nivel të lartë politik vazhduan edhe në vitet në vazhdim. Në prill erdhi në Republikën Çeke, Kryetari parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Servet Pellumbi, në prill 2006 vizitoi Pragën Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në shkurt 2007 përsëri u prit miqësisht delegacioni parlamentar këtë herë i drejtuar nga Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli. Në maj 2007 qëndroi disa ditë në Republikën Çeke gjithashtu ish- presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, i cili në Brno mori pjesë në takimin e Presidentëve të Nismës së vendeve të Evropës Qendrore (SEI). Nga pala çeke kohët e fundit e vizitoi Shqipërinë, Kryetari i Senatit çek, Petr Pithart (qershor 2001), zv/kryeministri çek, Martin Jahn (shtator 2005) apo ministri Aleksander Vondra, i cili në nëntor 2006 mori pjesë (në përfaqësim të Kryeministrit çek) në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të vendeve të SEI, në nëntor 2006. Republika çeke ndihmon Shqipërinë në kuadër të procesit të afrimit të saj me strukturat evropiane dhe transatlantike (BE, NATO). I rëndësishëm është dhe kontributi i Çekisë në modernizimin dhe transformimin e ushtrisë shqiptare. Midis Ministrive të Mbrojtjes të të dy vendeve janë nënshkruar disa marrëveshje të bashkëpunimit reciprok. Raportet pozitive midis Shqipërisë dhe Çekisë përpiqet t‘i zhvillojë nga viti 2001 edhe "Shoqata Miqtë e Çekisë", ku bëjnë pjesë shumica e absolventëve të dikurshëm shqiptarë në shkollat e larta të Çekisë. Shoqata ka në gjirin e saj më shumë se 400 anëtarë dhe simpatizantë. Në anën tjetër në Republikën Çeke për zhvillimin e raporteve miqësore më shumë merita ka z. Pavel Hradecni, me nismën e të cilit lindi në vitet nëntëdhjetë "Shoqata Çeko-Shqiptare". Në vitin 2005 u themelua "Shoqata e miqve të Shqipërisë". Rritje ka shënuar vitet e fundit edhe këmbimi i mallrave. Në Republikën çeke kohët e fundit është rritur interesi për kulturën shqiptare. Vëmendje të shquar ka pasur veçanërisht përkthimi i librave të Ismail Kadaresë ("Gjenerali i ushtrisë së vdekur" - i ribotuar në Çeki në vitin 1990 dhe "Prilli i thyer" 2007). Për intensifikimin e marrëdhënieve reciproke çeko-shqiptare do të ndihmojë edhe Fjalori Shqip-Çekisht dhe Çekisht-Shqip, të cilin para disa kohësh e përgatitën Hana Tomkova dhe Virgjil Monari, një botim voluminoz i një fjalori botuar në Republikën Çeke.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›