E Diel, 1 Nëntor 2026

Riza Kishta, deputeti i famshëm i dy regjimeve

1945, kur gjyshi im, Riza Kishta, konkurroi për deputet në Qarkun e Elbasanit si kandidat i Frontit Demokratik i propozuar nga Partia Komuniste, ndaj tij filluan survejimet dhe sulmet. Në atë kohë, organet e Sigurimit të Shtetit e thërrisnin pothuaj çdo ditë babanë tim, Qemalin, dhe e pyesnin se me kë takohej i ati i tij, Rizai, dhe cilët ishin njerëzit që vinin në shtëpi për të biseduar me të. Duke parë situatën në të cilën ndodhej, dhe pasi biseduan gjatë në shtëpi, aty nga muaji shtator i vitit 1946, gjyshi im, Riza Kishta, së bashku me dy djemtë e tij, Qemalin dhe Qazimin, ikën nga shtëpia dhe dolën në mal në arrati. Mbas 17 muajsh arratie, duke qëndruar në pyjet e rrethit të Lushnjës, Dumresë dhe Gramshit, Riza Kishta me dy djemtë dhe personat e tjerë që i shoqëronin ata gjatë asaj kohe në arrati vendosën të dorëzoheshin, duke lajmëruar Forcat e Ndjekjes. Pasi u dorëzuan, ata i mbyllën në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Gramshit dhe pasi i mbajtën disa kohë aty, i transferuan të gjithë në Degën e Punëve të Brendshme të Elbasanit, ku Riza Kishta vdiq në tortura, pa dalë fare në gjyq". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë ekskluzivisht për gazetën "Shqip" është 50-vjeçari Hilmi Kishta, i cili rrëfen të gjithë historinë e familjes së tij dhe gjyshit, Riza Kishtës, ish-oficer i Gardës Mbretërore të Zogut, Qarkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës e Peshkopisë dhe deputet në Parlamentin shqiptar nga viti 1927 deri në 1936-ën. Rizai, gjatë periudhës së pushtimit të vendit nga italianët u internua nga Kryeministri Shefqet Vërlaci në Itali, pasi kishte ndihmuar forcat partizane të Mestan Ujanikut dhe po në periudhën e luftës kishte shpëtuar Enver Hoxhën dhe disa pjesëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm në Operacionin gjerman të Dimrit të 1944-ës. Dhe për këtë gjë, si dhe për kontributin e tij gjatë luftës, Rizai ishte zgjedhur anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar në Kongresin e Përmetit, në majin e vitit 1944 dhe më pas në Mbledhjen e Beratit. Po kush ishte Riza Kishta dhe cila ishte origjina dhe e kaluara e familjes së tij? Si mundi ai të shkollohej në akademitë ushtarake të Turqisë e Italisë dhe përse Mbreti Zog e hoqi nga Grada Mbretërore, duke e kandiduar për deputet të Parlamentit shqiptar? Përse Riza Kishta nuk pranoi që të sulmonte forcat partizane të Mestan Ujanikut dhe si mundi ai që ta shpëtonte Enver Hoxhën dhe disa anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm gjatë dimrit të egër të 1944-ës, nga konfrontimi që ata do të kishin me forcat balliste? Cilat ishin arsyet që ish-deputeti i Monarkisë së Zogut, Riza Kishta, u zgjodh dhe në Kryesinë e Përgjithshme të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar në Kongresin e Përmetit dhe më pas në Berat? Përse në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 ai pranoi të kandidonte si deputet i zonës së tij, i propozuar nga Partia Komuniste si përfaqësues i Frontit Demokratik të kryesuar nga Enver Hoxha dhe cilat ishin arsyet që e detyruan atë të arratisej në mal së bashku me dy djemtë e tij? Cila është e vërteta e vdekjes së Riza Kishtës në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit në vitin 1947 dhe si u persekutua më pas familja dhe gjithë fisi i tij nga regjimi komunist? Për të gjitha këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte që kanë të bëjnë me figurën e Riza Kishtës, një prej personaliteteve të rrallë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, i cili arriti të jetë deputet në dy regjime, na njohin mjaft dokumente të nxjerra nga arkivat e shtetit shqiptar, si dhe dëshmitë e nipit të tij, Hilmi Kishtës.

Kush ishte Riza Kishta?

Riza Kishta u lind në vitin 1897, në fshatin Kishtë të Rrethit të Gramshit, prej nga është dhe origjina e hershme e asaj familjeje, e cila, së bashku me familjet Musai, Dërmishi dhe Shahini, janë ndër shtëpitë më të njohura të asaj krahine. Familja Kishta ka qenë një ndër familjet e pasura të asaj zone, dhe përveç shtëpisë së madhe (me dy kate dhe 12 dhoma), në fshatin Kishtë, ajo kishte në pronësi të saj edhe disa hektarë tokë e qindra kokë dele e kullota. Ndonëse Xhemal Kishta, i pari i asaj familjeje të famshme nuk ishte vetë i shkolluar dhe merrej vetëm me administrimin e pasurisë së tij, ai kishte dëshirë që dy djemtë e tij, Rizain e Nazifin, t‘i shkollonte, duke i dërguar për studime në Turqi. Por, Xhemali me bashkëshorten e tij vdiqën në një moshë fare të re dhe dy djemtë e tyre mbetën jetimë në një moshë të njomë. Pas vdekjes së dy prindërve, me shumë mundime Rizai mundi të mbaronte shkollën Unike (në gjuhën turke), në fshatin e tij të lindjes, Kishtë. Pas kësaj, disa nga të afërmit e familjes, si për të mbajtur amanetin e Xhemalit, u kujdesën për Rizain dhe e dërguan atë në qytetin e Elbasanit, ku ato vite sapo ishte hapur shkolla "Normale". Gjatë atyre viteve që Rizai ndiqte mësimet në "Normale", për të u kujdesën disa nga familjet e njohura të qytetit të Elbasanit si: Hasekiu, Peni, Dakli, Daiu etj. Pasi Rizai mbaroi shkollën "Normale", duke u diplomuar me rezultate të larta, në vitin 1914 ai u emërua si mësues i lëndës së Gjuhës Shqipe në Komunën e Rishtanit (e cila asokohe ishte nën juridiksionin e Gramshit), ku shërbeu për disa vjet. Sipas disa dëshmive të njerëzve të afërm të familjes së Riza Kishtës, thuhet se gjatë kësaj periudhe ai u njoh me Ahmet Zogun, kur ai mori pjesë në Kongresin e Elbasanit në vitin 1917. Lidhur me veprimtarinë e mëtejshme të Riza Kishtës, nipi i tij, Hilmi Kishta, dëshmon: "Pasi Rizai shërbeu për disa vjet si mësues në komunën e Rashtanit, ai u thërrit nga kryetari i Komunës, Asllan Shahini, dhe u emërua si sekretar i asaj komune. Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur krahina e Gramshit kaloi nën juridiksionin e trupave ushtarake franceze që ishin në Shqipëri, në vitin 1918, Rizai u transferua që andej dhe u emërua po si sekretar komune në Sojnik, ku kryetar ishte Refat Dermishi. Pasi shërbeu për disa vjet si mësues dhe sekretar i atyre komunave, në vitin 1919, Rizai shkoi në Stamboll dhe studioi për një vit në akademinë ushtarake të atij qyteti, ku dhe u diplomua në degën e Artilerisë, duke marrë gradën e togerit".

Diplomimi në Akademinë Ushtarake të Firences

Pas diplomimit në armën//////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////// e Artilerisë së Akademisë Ushtarake të Stambollit, Riza Kishta u kthye në Shqipëri diku aty nga fundi i vitit 1919 dhe pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, e futi atë në listën e oficerëve që do të shkonin për të studiuar në akademitë ushtarake të Italisë. Pas kësaj, Rizai shkoi në Itali dhe studioi për dy vjet në Akademinë Ushtarake të Firencës, ku dhe u diplomua me rezultate të larta në degën e Kavalerisë. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: "Pas diplomimit në Akademinë Ushtarake të Firences, gjyshi im, Riza Kishta, u kthye menjëherë në Shqipëri dhe Ahmet Zogu, i cili në atë kohë ishte në postin e Kryeministrit, e emëroi atë në një nga repartet e Kavalerisë që kishte asokohe Garnizoni Ushtarak i Tiranës. Pasi shërbeu për disa vjet pranë atij reparti, në janarin e vitit 1925, kur sapo ishte rikrijuar Garda Kombëtare, Ahmet Zogu e emëroi Rizain si oficer efektiv të atij reparti special. Ky emërim erdhi pasi Rizai kishte treguar shenja besnikërie ndaj tij që në qershorin e vitit 1924, kur ai nuk kishte pranuar të vihej nën urdhrat e ushtarakëve që dolën kundër Zogut dhe u bashkuan me forcat fanoliste që ndërmorën kryengritjen e armatosur ndaj qeverisë së ligjshme të asaj kohe, të kryesuar prej Shefqet Vërlacit. Në Gardën Kombëtare Shqiptare, Riza Kishta shërbeu deri në vitin 1927, duke u njohur si një nga oficerët besnikë të Kryeministrit dhe kryetarit të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ahmet Zogut".

Deputet në Parlamentin shqiptar në vitet 1927-1936

Lidhur me largimin nga Garda Kombëtare të Riza Kishtës, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: "Në atë kohë (viti 1927), Riza Kishta u largua nga Garda Kombëtare dhe ikja e tij u bë me kërkesën direkte të Ahmet Zogut, i cili, duke e vlerësuar atë si një nga njerëzit më besnikë, i propozoi që të kandidonte për deputet në zgjedhjet parlamentare. Riza e pranoi propozimin e kryetarit të shtetit, Ahmet Zogut, dhe kandidoi në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën po atë vit. Kështu, Riza Kishta u zgjodh si deputet i Gramshit në Parlamentin shqiptar të asaj kohe, duke arritur që të zgjidhej edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare e dalë nga ai Parlament. Gjatë viteve 1927-1936, kohë në të cilën Riza Kishta ushtroi dy mandate deputeti në Parlamentin shqiptar, ai u mor shumë me hallet dhe problemet që kishin banorët e zonës së tij elektorale në krahinën e Gramshit. Gjatë atyre viteve, shtëpia e tij në Kishtë të Gramshit ishte një derë e hapur për të gjithë banorët dhe hallexhinjtë e asaj krahine. Si rezultat i kësaj dhe ndihmës e përkrahjes së madhe që ai u jepte hallexhinjve dhe banorëve të asaj krahine, Riza Kishta konsiderohej dhe u quajt: "Jorgani i krahinës së Vërçës", dëshmon Hilmi Kishta për gjyshin e tij, Rizain, i cili pasi ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Turqisë dhe Italisë, shërbeu për disa vjet si oficer i Kavalerisë në Gardën Kombëtare Shqiptare, për t‘u zgjedhur më pas deputet në Parlamentin shqiptar pas kërkesës dhe propozimit që i bëri Kryeministri Ahmet Zogu.

Qarkomandant i Xhandarmërisë në Gjirokastër

Pas vitit 1936, kur Riza Kishta u largua nga detyra e deputetit, ku kishte shërbyer në dy mandate për dhjetë vjet me radhë, ai u kthye në jetën e tij private, duke u marrë me pronat dhe pasurinë e familjes së tij. Në atë kohë ai bleu një sasi të madhe toke kullotash në fshatin Cerragë të krahinës së Dumresë së Elbasanit, si dhe një tokë tjetër truall, ku ndërtoi një shtëpi të madhe për familjen e tij. Edhe pas ndërtimit të kësaj shtëpie të madhe në fshatin Cerragë, Riza Kishta nuk u shpërngul nga vendlindja e tij, Kishtë, por vazhdoi të qëndronte atje ku kishte dhe një pjesë të madh të pasurisë së familjes së tij. Ndërkohë, pas vitit 1935, kur ishte shtypur Kryengritja e Fierit, Mbreti Zog u kujdes që në disa prej prefekturave që konsideroheshin si më problematiket të dërgonte si qarkomandant xhandarmërie disa prej njerëzve të tij më besnikë dhe të përgatitur nga ana profesionale. Duke u nisur nga kjo gjë, në fillimin e vitit 1936 Mbreti Zog e emëroi kapiten Riza Kishtën në detyrën e Qarkomandantit të Xhandarmërisë në Prefekturën e Gjirokastrës. Lidhur me këtë, nipi i tij, Hilmi Kishta, dëshmon: "Pasi gjyshi im, Riza Kishta, shërbeu për afro tre vjet me radhë në detyrën e Qarkomandantit të Xhandarmërisë në Prefekturën e Gjirokastrës, në vitin 1938, Mbreti Zog e transferoi atë që andej dhe e dërgoi në nënprefekturën e Peshkopisë. Në atë qytet, Rizai shërbeu në të njëjtën detyrë deri në prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak, duke pushtuar Shqipërinë. Kështu, pas pushtimit të vendit tonë, Riza Kishta nuk pranoi të shërbente më në atë detyrë dhe dha dorëheqjen, duke u kthyer në fshatin e tij të lindjes, në Kishtë. Pas kthimit në fshat, ai qëndronte sa aty, sa në fshatin Cerragë, ku kishte ndërtuar shtëpinë e re. Në vitin 1940, kur filloi lufta italo-greke, italianët e thërritën Rizain dhe e emëruan në detyrën e Rrethkomandantit të Xhandarmërisë së zonës së Gramshit. Në atë kohë, ashtu si në shumë nënprefektura të tjera, edhe në nënprefekturën e Gramshit autoritetet italiane të pushtimit nisën të formonin disa batalione milicie me pagesë, të cilat u duheshin për t‘i dërguar në frontin e luftës me Greqinë. Po kështu, përveç këtyre batalioneve që u krijuan për t‘u shkuar në ndihmë forcave të rregullta ushtarake të ushtrisë italiane që ishin në frontin e luftës me Greqinë, në atë kohë u krijuan edhe disa reparte të tjera milicie që do të përdoreshin për ruajtjen e rendit dhe qetësisë nëpër prefektura të ndryshme që konsideroheshin si më problematike. Në atë kohë, për t‘ju ardhur në ndihmë shumë familjeve të varfra të krahinës së Gramshit, Riza Kishta regjistroi në mënyrë fiktive në evidencat e atyre reparteve shumë nga bashkëfshatarët e tij, të cilët u paguan rregullisht dhe përfituan edhe ushqime e veshmbathje", dëshmon Hilmi Kishta lidhur me gjyshin e tij, Rizain, për periudhën që ai shërbeu si Qarkomandant Xhandarmërie në Gjirokastër e Peshkopi, si dhe ndihmën që ai u dha bashkëfshatarëve të tij, duke i paguar ata me rroga, gjoja si efektivë të reparteve të milicisë të krijuara nga italianët për mbajtjen e rregullit e qetësisë.

Internimi në Itali, pasi nuk sulmoi partizanët

Edhe pas përfundimit të luftës italo-greke, Riza Kishta vazhdoi të shërbente në detyrën e Rrethkomandantit të Xhandarmërisë së krahinës së Gramshit. Lidhur me këtë periudhë kohe, nipi i tij, Hilmiu, dëshmon: "Gjatë atyre viteve që Rizai ishte në atë detyrë, në zonën e Gramshit dhe krahinat e tjera përreth, filluan të krijoheshin çetat e para nacionaliste dhe ato partizane. Nisur nga funksioni i Rrethkomandantit të Xhandarmërisë, Rizai kishte si detyrë që t‘i godiste ato grupe dhe çeta të armatosura, por ai jo vetëm që nuk ndërmori asnjë veprim të tillë, por përkundrazi, i ndihmoi vazhdimisht ato. Edhe pse iu dha urdhër disa herë që të godiste forcat partizane, Rizai nuk e zbatoi kurrë një urdhër të tillë dhe nuk dërgoi asnjëherë milicët që komandonte për të ndjekur forcat partizane. Një nga ato çeta që pati ndihmën e Riza Kishtës ishte ajo e Mestan Ujanikut (formacioni i parë partizan që u krijua në Shqipëri), në rrethin e Skraparit, e cila u përkrah shpesh herë nga Rizai. Komandantin legjendar dhe nacionalistin e famshëm, Mestan Ujaniku, së bashku me çetën e tij, Riza Kishta i strehoi disa herë në shtëpinë ë tij. Po kështu, përveç asaj çete, në atë kohë Riza Kishta mbante marrëdhënie korrekte edhe me forcat e milicisë, siç ishin ato të komanduara nga Xhaf Bali. Gjatë një përpjekjeje të armatosur të ndodhur në vitin 1942, kur forcat e Xhaf Balit u thyen keqazi prej forcave të çetës së Mestan Ujanikut, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Italiane në Shqipëri, në ndihmë të tij, dërgoi forca xhandarmërie (kryesisht me burra nga zona e Verçës) të komanduara nga Riza Kishta. Por, edhe pse Rizai me forcat e xhandarmërisë që komandonte shkoi në vendin ku zhvillohej përpjekja ndërmjet forcave të Mestan Ujanikut dhe atyre të Xhaf Balit, ai nuk pranoi të hynte në luftime kundër forcave partizane të Mestan Ujanikut, duke u shprehur: "Edhe ata janë djemtë tanë". Duke parë qëndrimin dashamirës të Riza Kishtës ndaj forcave partizane, dhe duke mos-zbatuar urdhrin e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Italiane në Shqipëri për të shkuar në ndihmë të forcave të milicisë së Xhaf Balit, qeveria e Kryeministrit Shefqet Vërlaci (me të cilën Rizai nuk kishte marrëdhënie të mira), nxori urdhrin dhe e internoi Rizain në Itali", dëshmon Hilmi Kishta, lidhur me veprimin e gjyshit të tij, Riza Kishtës, ish-rrethkomandant i Xhandarmërisë së Gramshit, i cili përfundoi i internuar në Itali, pasi nuk zbatoi urdhrin për të goditur çetën partizane të Mestan Ujanikut.

(vijon nesër)

Deputeti Kishta i kërkonte qeverisë të shpërndante drithë për malësinë e Gramshit dhe amnisti për të dënuarit

Debatet e Riza Kishtës në Parlamentin e Zogut në vitin 1931

Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, Riza Kishta ishte një nga deputetët më të njohur dhe mjaft aktivë të Parlamentit shqiptar, duke arritur deri në sekretar i Komisionit të Lutjeve dhe Amnistive, i cili si kryetar kishte patriotin e famshëm Jashar Erebara, një nga zërat më potencialë të atij Parlamenti. Sipas dokumenteve që gjenden në arkivat e shtetit shqiptar, bëhet e ditur se gjatë një seance parlamentare, deputeti Riza Kishta i kërkonte qeverisë që ajo të furnizonte me drithë malësinë e Gramshit. Lidhur me këtë gjë, në procesverbalin e asaj seance parlamentare midis të tjerash thuhet: "Z. Riza Kishta. Sipas përgjigjies që dha Z. Ministër i Ekonomisë Kombëtare, u kënaqëm, vetëm përsëris dhe njëherë lutjen t‘ime qi në viset e Gramshit të çohet misri me shpejtësi, se po xuni dimni, shinat bora, nuk mund të çohet kurrsesi. Me përjashtim të një sasie të pakët familjesh, nuk jam i mendjes që ky misër të jepet gratis, po kundrejt punimit në rruga. Si mbas nji hesapi qi kam ba, Gramshit i nevojitet s‘paku 3000 kuintal misër". Në një seancë tjetër, Riza Kishta i kërkonte qeverisë që ajo të zbatonte ligjin që kishte miratuar vetë për faljet e amnistitë dhe si shembull ai merrte një nga fshatarët e zonës së tij elektorale të Gramshit, i cili, dhe pse ishte falur nga qeveria, vazhdonte të ishte në arrati, pasi emri i tij nuk figuronte në listën e personave që përfitonin nga ajo amnisti. Lidhur me këtë, në mes të tjerash aty thuhet: "Kënaqem nga fjala e Z. Ministër i Punëve të Brendshëme, dhe i kujtoj Z. së tij se vetë Ministria e Brendëshme i ka njoftue autoriteteve lokale që të mos ndiqen, se do të futen në listë për falje. Shkresa e Ministrisë ka numrin 647/V m datë 2/X/1930, të cilën e kam pa vetë me sytë e mij dhe përmbajtja e saj asht qi i thohet autoriteteve t‘Elbasanit mos të ndiqen këta persona. Mbasi do të falen. Pse ka mbetë pa u shti në listë, nuk e dij. Vetëm besoj se do të jetë harrue"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›