E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi të ardhmen e sigurisë në Evropë

 

Alexander Stubb*

Këtë javë, pothuajse të gjithë ministrat e jashtëm të 56 vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë do të mblidhen në kryeqytetin finlandez, për të ndërmarrë një përpjekje serioze, për të bashkëpunuar, për të krijuar stabilitet në këto kohë kritike. 
Meqenëse Finlanda, e cila mban Kryesinë e Radhës së OSBE-së për vitin 2008, pret Këshillin e Ministrave të OSBE-së në datat 4-5 dhjetor, po i kthehemi edhe një herë qytetit ku zuri fill gjithçka - Helsinkit. Ishte pikërisht ky vendi ku lindi Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila u transformua më vonë në OSBE, përmes nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit në vitin 1975. Ky është edhe vendi nga vjen shpirti krenar i OSBE-së – shpirti i Helsinkit. Është vendi i një platforme të re për dialog, një atmosfere ku vende të mëdha dhe të vogla, miq dhe armiq, u mblodhën në pozita të barabarta për të komunikuar, bashkëpunuar dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
Por nuk është momenti që OSBE-ja të reflektojë mbi arritjet e së shkuarës. Në kushtet e vënies në provë të themeleve të sigurisë dhe fateve të ekonomive tona, kjo organizatë dhe metodat kyçe të saj të punës – dialogu dhe bashkëpunimi – nevojiten më shumë se kurrë. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet tona, ne duhet të gjejmë rrugë konkrete për të promovuar një siguri bashkëpunuese.
Unë pres me padurim t’u uroj mirëseardhjen ministrave të jashtëm të rajonit të OSBE-së në qytetin tim. Prania e tyre për dy ditë në Qendrën e Panaireve të Helsinkit tregon besimin e tyre në rolin që ka kjo organizatë në sigurinë evropiane dhe atë rajonale. Ne nuk kemi për të humbur aspak kohë, por do të fillojmë me diskutime të hapura rreth të ardhmes së sigurisë në Evropë.
Na duhet të arrijmë një progres konkret në promovimin e vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, mbi të cilat mbështetet siguria jonë e përbashkët. Gjithashtu, duhet të forcojmë bashkëpunimin midis vendeve anëtare të OSBE-së, veçanërisht për çështje që lidhen me sigurinë, duke përfshirë edhe  sigurinë politiko-ushtarake dhe kërcënimet e reja. Ne duhet, gjithashtu, të japim edhe një kontribut të vendosur drejt zgjidhjes së konflikteve të pazgjidhura në zonën e OSBE-së. Kriza e kohëve të fundit në Gjeorgji nxori në pah nevojën për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme atje, si edhe për trajtimin e tensioneve në Moldavi dhe atyre midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Me 3000 punonjës dhe 19 operacione në terren, OSBE-ja është organizata më e madhe në botë për siguri rajonale– një forum i rëndësishëm për dialog dhe një platformë efektive për veprime që promovojnë sigurinë.
Ky gur themeli i sigurisë në Evropë është hedhur 33 vjet më parë në Helsinki. Këtë javë, na takon ne të sigurohemi se bisedimet tona do të çojnë drejt një progresi real në terren, duke rënë dakord për rrugën që do të marrë siguria jonë bashkëpunuese. Unë jam i sigurt se shpirti i Helsinkit do të na ndihmojë edhe një herë t’ia dalim mbanë. 

*Shkrimi i Kryetarit të Radhës së OSBE-ë, njëkohësisht Ministër i Jashtëm i Finlandës botohet në disa vende pjesëmarrëse në prag të takimit të  Këshillit të Ministrave të OSBE-së që fillon nesër në Helsinki. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›