E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e Berishës

Brisida Gjikondi 

Një popull i tërë dje u shpërfill në mënyrën më skandaloze nga Kryeministri përkatës. U shpërfill, moralisht dhe kushtetueshmërisht. Dje për të disatën herë Berisha na vuri në dukje se Shqipëria është e tij dhe dje jo vetëm na e vuri në dukje, por na e cilësoi faktin se ai është Bajraktari, Shqipëria bajraku dhe ne mëditësit e tij. Sali Berisha, Kryeministri aktual i shqiptarëve, vetëvendos se kush do të jetë orientimi ynë kombëtar, kush do jetë strategjia mbisunduese dhe profili i ardhmërisë tonë. Dhe këtë e bën duke na shpërfillur totalisht në mënyrën më cinike dhe të kompleksuar njëkohësisht, duke na shpërfillur jo vetëm ne dhe krijesat tona që do i rrisim në këtë vend, por gjithkënd që do jetojë në këtë pako territor paskëtaj. Nuk kam absolutisht asgjë me zhvillimin energjetiko-industrial të Shqipërisë, përkundrazi, siç nuk kam absolutisht asgjë me Kryeministrin italian Berluskoni, përkundrazi, personalisht kam mbresëlënie nga pozicionimet e tij proshqiptare në tragjedinë e marsit 1997, por dhe pozicionimin e tij për luftën e Kosovës. Por unë s’mund të hesht kur Kryeministri ynë aktual në mënyrë jo-transparente, fshehurazi si çakejtë e natës pa pikën e informimit, përfshirjes dhe marrjes së impaktit nga populli i tij, vendos për të shndërruar Shqipërinë në “Superfuqi energjetike në rajon”.
Për së pari ai shkel hapur aktet kombëtare dhe ndërkombëtare që vetë ai dhe ne kemi ratifikuar, akte të cilat në mënyrë eksplicite E DETYROJNE zotin Berisha të informojë PARAPRAKISHT se të nënshkruajë marrëveshje dhe kontrata se ç’orientim do i japim NE Shqipërisë?!!
Orientim turistiko-arkeologjik?!! Industrialo-energjetiko-bërthamor?!! Apo bujqësor-blegtoral me ullinj dhe rritje derrash..?!!
Kush e orienton Kryeministrin në këtë rrugëtim aventuresk?!! Ç’garanci dhe siguri ofron ky Kryeministër për vepra të tilla, kë Shqipëri po ofron, atë të përbërë nga 28.000 km2 apo një Shqipëri tjetër?!!
A e di ky Kryeministër se në mbarë botën e përparuar shmangen nënshkrimet e këtyre marrëveshjeve kaq të rëndësishme në prag të ndërrimit të pushteteve dhe zgjedhjeve parlamentare?!!
A është konsultuar ky Kryeministër me faktorët dhe grupet e interesit në mbarë vendin për këtë strategji kombëtare?!!
Për sa kohë afshi i tij për jetëgjatësi pushteti i ngjizur me kompleksitet dhe i fshehur nën petkun e shout televiziv “se sot u bë nami i madh”… do vazhdojë të rrënojë vlerat, dinjitetin dhe jetën tonë?!! Dhe sa shqiptarë duhet të ikin nga trojet e tyre dhe sa të tjerë duhet të vdesin akoma nëpër Gërdeca territorialë dhe ligjorë dhe sa ëndrra e shpresa duhet të treten ende që ne të kuptojmë se askush s’duhet të vendosë më për ne, veç nesh dhe dinjitetit tonë kombëtar. Askush s’mund të kthejë Shqipërinë e brishtë në “Depo Baruti”, Shqipëria është e të gjithëve, dhe për më tepër askush s’mund të fyejë intelektin, vetëdijen dhe dinjitetin tonë kombëtar se këto orientime i bën në emër të zhvillimit dhe integrimit në BE. Pse këto vepra “bombastike” s’ngrihen në brigjet e bukura të Italisë?!! Pse në 1987 mbarë populli italian me referendum i tha JO ngritjes së centralit bërthamor në Itali?! Si shpjegohet që komunitetet e mbarë provincave të Italisë janë pjesë aktive dhe e respektuar nga qeveritë përkatëse në vendimmarrjen e ngritjes së këtyre veprave të rëndësishme..?!! Ndërkohë që dëgjoj Kryeministrin tonë inferior në tokë të vet dhe italishtfolës, shkruaj e trishtohem, trishtohem kryesisht për nëpërkëmbjen e mbarë një populli në vendimmarrje, e më vjen ndër mend aforizmi i një italiani të mirënjohur që quhet Alsandro Manzoni, ai thotë: “Jo çdo gjë që vjen më pas është progres…”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›