E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tec-i me qymyr që penalizon turizmin

Prof Dr. Besnik Baraj 

Një mundësi për të realizuar fitime në kurriz të të tjerëve, është abuzimi në ato që perëndia ja ka dhënë të gjithëve, por asnjërit në formë pronësie: si ajri, deti, lumi, toka e pyjet. Fitimet janë miliarda, por shumë më të mëdha janë humbjet që pëson shoqëria, qoftë nga pikëpamja financiare, qoftë shëndetësore. Shpesh, për shkak të investimeve industriale ku fitimi është kriteri prioritar, viktimizohen banorët përreth.  Viktimave, ngadalë e si pa u ndjerë iu shfaqen sëmundje që në rastin më të mirë nuk i marrin jetën menjëherë, por i bën të jetojnë një agoni të zgjatur, më e keqe se vetë vdekja. Ata që s’janë prekur nga sëmundjet nuk mendojnë për rrezikun, ndërsa ata që sëmuren mallkojnë fatin, kur në fakt atë fat e kemi përcjellë me qëndrimet tona, e kemi shkaktuar drejtpërdrejt apo tërthorazi vetë, shpesh herë për padije apo indiferentizëm. 
Tashmë është provuar se për shkak të rritjes së paqëndrueshme urbane dhe ritmeve të larta të zhvillimeve industriale, jeta në tokë po rrezikohet. Lirimi i mjaft gazeve ka sjellë shfaqjen e efektit serë, i cili duket më kërcënues se mendohesh për shkak të ritmeve më të shpejta të ndryshimeve globale. Janë bërë paralajmërime nga organizma të OKB se impaktin më të madh në ndryshimet klimatike do e pësojnë vendet e varfra. Protokolli i Kyotos ka vendosur limite të çlirimit të CO2 për vendet e zhvilluara, por për të mos kufizuar nevojat e tyre për energji, ka lënë një dritë jeshile. Këto vende mund të hapin aktivitete industriale në vende të tjera, të cilat kanë kuota të ulëta të lirimit të CO2. Politika e këtyre organizmave të OKB është: Investitorët duhet të paguajnë një taksë në vendin ku zhvillohet ky aktivitet. Ky plan mendohet se mund të sjellë efekte pozitive në zhvillimin e zonave më të varfra, duke vendosur ekuilibra më të drejtë ekonomikë në përgjithësi. Një sërë shtetesh, por jo Shqipëria, janë duke përfituar nga kjo mundësi legale e do thosha ligjore.
Por ç’po ndodh me vendimet e fundit të Qeverisë Berisha? Personalisht nuk do isha dakord me ndërtimin e TEC-ve me qymyr, që kapin një vlerë prej 2500 megavat (tre parashikohen të ndërtohen në Porto Romano). Jo vetëm për shkak të impaktit mjedisor e shëndetësor, por edhe atë ekonomik. Sigurisht kjo s’varet nga vullneti im, vendimi është marrë, por absurdi shkon më tej, palës investuese nuk i kërkohet të aplikohet taksa e karbonit, tashmë e ligjëruar në tregun Evropian. Shqipëria do jetë përgjegjëse për lirimin e gazit karbonik edhe pse energjia nuk do përdoret prej tyre. Pyetja që dua të shtroj është përse nuk do të merret taksa e karbonit? Përse pala shqiptare nuk zbaton një praktikë të afirmuar ndërkombëtare, ku vendi mund të përfitojë financiarisht? Në shumicën e materialeve të botuara për Shqipërinë nga organizma ndërkombëtare, kjo perspektivë financiare (në kuadrin e taksës së karbonit) shihet si një mundësi për të siguruar fonde. Vlera e këtyre fondeve nuk është e vogël. Në tregun Evropian sot, për çdo m3 CO2 të çliruar nga TEC-i duhet të paguhen 20 deri 70 Euro. Këto fonde fare mirë mund të përdoren për pyllëzime apo përmirësim të infrastrukturës mjedisore për banorët dhe aspekte që lidhen me mbrojtjen e burimeve natyrore, duke zbutur sado pak efektin e gazrave që do të lirohen nga këto gjigandë të prodhimit të energjisë dhe njëkohësisht prodhues të gazrave të dëmshëm për ekuilibrat e jetës në tokë. Dhe nuk janë pak. Po të mendojmë se TEC-i do të punojë 330 ditë të vitit me kapacitet 1600 megavat orë, me çmimin e tregut të sotëm 80-90 Euro 1 megavat, të ardhurat janë më shumë se 1 miliard euro. Të ardhurat janë marramendëse, bile edhe nëse do të zbritesh një taks karboni prej 20 Euro, që do të kapte shumën rreth 150 milionë Euro. Por shqiptarët nuk do të kenë mundësi të përfitojnë, pasi zoti Berisha e ka vendosur këtë kontratë diskriminuese. Kur bisedoja me një ekspert holandez për këtë fakt, ai hapi sytë tej mase duke shtuar, qeveria juaj nuk do as vendin, as vetveten. A mund të ndodhë të mos duan vetveten? Apo ka rrugë të tjera si mund të ndihmohet vetvetja, apo xhepi i tyre. Kësaj radhe duket sheshit, ata kanë ardhur me mendjen “të marrim ç’të mundim, pasi nuk i dihet ç’ndodh në 2009".
Nëse qeveria në praktikat e saja do të ishte serioze, transparente dhe e pakorruptuar, do vepronte sipas rregullave që ofrojnë vendet demokratike. Do pyetej komuniteti (në takimin me banorët e Vorës asnjë nga komuniteti nuk ishte dakord të ndërtohej ky TEC), do pyeteshin ekspertët e njohur të vendit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, do vlerësoheshin avantazhet dhe problemet, do të diskutohej në parlament e deri nëse ka objeksione mund të bëhesh referendum.
Si për çudi, TEC-i do të ndërtohet në Porto Romano, në tokën e të përfolurit Fazlliç. Duket se interesa të mëdha financiare fshihen prapa kësaj zemërgjerësie të qeverisë Berisha. Por në kurriz të kujt? Sigurisht të atyre që banojnë në Durrës, atyre që kanë investuar në plazhet pranë, të paktën me një rreze 50 km. 90% e energjisë të prodhuar do të shkojë në vendet fqinjë, duke mos qenë një eksport ku vendi përfiton. Ajo që do të mbetet këtu nga ndërtimi i vetëm një TEC-i me fuqi 1600 megavat janë 8 milionë m3  gaz karbonik, aq sa çliron sot Shqipëria në vit nga të gjithë burimet e saja (makina etj) si dhe mijëra m3  SO2­  dhe NOx, aq të dëmshme për shëndetin e njeriut. Bile këto të fundit, të njohur edhe për efekte kancerogjene. Cila është arsyeja që pala italiane nuk e bën këtë investim në Itali, aq më tepër kur ekonomikisht do i duhet të ndërtojë një rrjet nënujor për transferimin e saj nga Shqipëria në Itali? E vërteta është e thjeshtë, komuniteti aty do të reagonte si dhe taksat që do duhej të paguanin, do zvogëlonin fitimin e kompanisë.
Nuk do të isha kundër një investimi në drejtim të turizmit, agrobiznesit apo industri të tjera që nuk kanë impakt negativ në jetën e banorëve të këtij vendi. Ato pak qindra vende pune që do hapen, janë asgjë përballë problemeve mjedisore e shëndetësorë që do të krijohen për dhjetëra mijëra njerëz. Pa folur këtu për kompromentimin e vlerave turistike të tërë asaj zone, që përkthehet në papunësi. Hidhini një sy Malit të Zi, Maqedonisë, pa folur për Slloveninë e Kroacinë, se cilat janë politikat mjedisore të tyre. A do i pranonin këto vende TEC-e të tilla me kushte të tilla?
Ky realitet qeverisës po e zhyt vendin në një borxh financiar, mjedisor e moral të paprecedent. Me sa duket Shqipërinë duan ta kthejnë në një gropë të zezë Ballkanike, të destinuar për TEC-e dhe fabrika çimentosh. Për ta mbyllur panoramën, së shpejti “shpresoj” do të dëgjojmë djegien në Shqipëri të mbeturinave të rajonit, qofshin ato të ngurta apo të lëngëta, gjoja në emër të prodhimit të energjisë!! Me këtë rast shqiptarët i ofrojnë dhe një shërbim humanizmit, duke u bërë  objekt studimi lidhur me impaktin e këtyre industrive në specien njerëzore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›