E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbijnë” ndërtimet pa leje në bregdetin e Lukovës

Kryetari i Komunës së Lukovës denoncon në prokurori disa “zaptues” të pronave të bregdetit. 

SARANDE/SHPRESA DINE

Këta të fundit mesa duket nuk  mundin t’i bëjnë ballë tundimit të të pasurit në pronësi të tyre një truall në bregdet, qoftë edhe në kundërshtim me ligjin. Etja për fitimet e majme dhe të garantuara, që të mundëson një tokë e tillë i ka bërë disa banorë të fshatit Shëndëlli të Sarandës, të “mësyjnë” në zonën e Heremecit, Komuna Lukovë, duke zaptuar tokë, si të ishte pa zot. I menjëhershëm ka qenë reagimi i komunës, e cila ka bërë bllokimin e ndërtimeve të sapo nisura, të kategorizuara të paligjshme si edhe denoncimin e “zaptuesve” në prokurori. Lajmi konfirmohet nga vetë kreu i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi. Sipas tij, ditët e fundit është ndërhyrë në bllokimin e punimeve të nisura nga persona, të cilët kishin piketuar dhe nisur ndërtime në një truall, për të cilin nuk zotërojnë asnjë dokument pronësie. Sipas kryekomunarit Kumi, janë shtatë persona që komuna i ka përcaktuar si tentatorë për të hapur sheshe të reja në zonën e Heremecit, rreth 10 kilometra larg qytetit të Sarandës, zonë e cila është nën juridiksionin e komunës që ai drejton. Burimeve pranë kësaj komune bëjnë të ditur se bëhet fjalë për banorë të ardhur nga zonat veriore të vendit, pas lëvizjeve demografike të viteve 1990. Në mënyrë të fshehtë ata kishin filluar përpjekjet e para për ndërtime pranë vijës së bregdetit. Kreu i Komunës së Lukovës sqaroi se, bllokimi i punimeve dhe prishja e asaj që ishte ndërtuar është bërë pasi zotëruesit e tyre nuk kishin asnjë dokument për truallin ku po tentonin të ndërtonin, si dhe asnjë leje ndërtimi. Ndërhyrja është bërë e mundur nga inspektorati ndërtimor i kësaj komune, në të cilën janë nevojitur edhe fadromat. Sipas Kumit në këtë zonë ndërtimorët kanë konstatuar dy xoglatura dhe 6 gërmime të reja me sipërfaqe rreth 200 metër katror secila, të bëra gati për nisje punimesh. Nuk bëhet e ditur se çfarë profili do të kishin objektet e paligjshme, që priteshin të ndërtoheshin në këtë zonë. Inspektorati i ndërtimit i Komunës së Lukovës ka përdorur fadromë për prishjen e tyre. Pa u mjaftuar me bllokimin e punimeve të nisura, kjo strukturë e Komunës së Lukovës ka bërë edhe kallëzim penal ndaj personave të identifikuar, si edhe ka dorëzuar në prokurori gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Ndër të tjera Kumi pohoi për “Panorama”, se ndërhyrja nga ana e autoriteteve të institucionit që ai drejton, ka qenë e nevojshme të ushtrohet në emër të ligjit. Ndërhyrjet e këtyre banorëve, sipas Kumit, janë tërësisht të jashtëligjshme, pasi ata nuk kanë të drejtë, që të vijnë nga një zonë që i përket një komune tjetër e më pas të zaptojnë tokat e Komunës së Lukovës, pa asnjë dokument që të vërtetojë autorësinë e tyre mbi këto toka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›