E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkatarët kapin “tigrin” e detit në Vlorë, alarmohen pushuesit

VLORE – Një peshkaqen 4 metra i gjatë ka mbetur në rrjetat e peshkarexhës “Amerika”, në ujërat e Gjirit të Vlorës mëngjesin e djeshëm. 

Peshkaqeni, pesha e të cilit arrinte në 500 kilogramë, u kap rreth 15 milje larg bregut në një thellësi prej 150 metrash dhe i përkiste familjes “tigër”. Ai cilësohet si shumë i rrezikshëm, edhe pse është një peshkaqen, që zakonisht qëndron larg bregut. Pas kapjes së këtij gjahu, ekuipazhi prej tre personash i anijes “Amerika” është kthyer në breg, ku për pak orë ka shitur gjithë mishin e peshkaqenit. Sipas kapitenit të peshkarexhës, Thoma Diamanti 45 vjeç, ata kanë dalë për peshkim me anijen e tyre në orën 06:00 të mëngjesit. “Mbasi shkuam 15 milje larg bregut të detit, pranë ishullit të Sazanit hodhëm rrjetat për të zënë peshk në thellësinë ujore 150 metra”, pohoi ai. Sipas Diamantit, 30 minuta pasi kanë hedhur rrjetën, ajo ka filluar të tërhiqej, aq sa po lëvizte dhe anijen. “Pasi kuptuam se në rrjeta kishte rënë ndonjë egërsirë, peshkaqen, delfin apo ndonjë tjetër specie ujore e fuqishme vendosëm t’i tërhiqnim për në anije rreth orës 10:00", tregoi kapiteni Diamanti. Pasi kanë ngritur rrjetat peshkatarët kanë vërejtur egërsirën e kapur. Pesha e madhe e gjahut u ka marrë peshkatarëve dy orë kohë për ta hipur në kuvertën e peshkarexhës. Pas tre orësh ata janë kthyer në port ku edhe e kanë shitur mishin e kërkuar kryesisht nga restorantet. Peshkaqeni i familjes “tigër” ka dy palë dhëmbë. Nëse i dëmtohen një palë dhëmbë ai i ripërtërin brenda 24 orëve. Jashtë vendit mishi i këtij lloj peshkaqeni kushton nga 30 deri në 50 euro kilogrami, ndërsa në Shqipëri nga 1200 deri në 1500 lekë për kilogram.    q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›