Mbikalimet e paligjshme, rreziqet e hekurudhës
Vija Hekurudhore e Qarkut të Fierit prej disa kohësh është kthyer burim aksidentesh. I fundit ishte ai i javës së shkuar kur një tren goditi një furgon pasagjerësh, për fat të mirë pa viktima. Me një total prej 52 mbikalimesh të paligjshme dhe 320 ndërtime pa leje, të cilat nuk kanë respektuar distancën prej 25 metrash larg shinave, kjo hekurudhë konsiderohet si nga një më të rrezikshmet në vendin tonë. Mbikalimet, të cilat nuk figurojnë në hartën e hekurudhës së këtij Qarku janë zona të banuara. Qytetarët, ndonëse mjaft prej tyre janë vetë autorë të hapjes së mbikalimeve të paligjshme, shprehin shqetësimin për këtë realitet sa herë që ndodh ndonjë aksident apo sa herë që intervistohen nga media. Por asnjë prej tyre nuk u ka drejtuar ndonjë ankesë zyrtare institucioneve përgjegjëse. Të vetmet ankesa zyrtare janë ato të Drejtuesve të Hekurudhës, drejtuar Policisë Ndërtimore të Bashkisë së Fierit, ku kërkohet prishja e mbikalimeve të paligjshme.