E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbikalimi këmbësorëve, jashtë funksionit

02/05/2005  Bashkia thotë se nuk është marrë në dorëzim për shkak të cilësisë, firma ndërtuese pretendon të kundërtën

DURRËS - Ndërtimi i mbikalimit të udhëtarëve pranë stacionit të trenit, në hyrje të Durrësit nuk ka mundur të zgjidhë kërcënimin nga aksidentet. Objekti i ndërtuar pesë vite më parë me një fond të konsideruar është dëmtuar dhe është bërë i pakalueshëm, pasi ai që nga koha e ndërtimit nuk është mirëmbajtur dhe as nuk është ruajtur. Kjo ka shtyrë qytetarët që të kalojnë nga njëra anë e rrugës në anën tjetër poshtë urës, duke vënë në rrezik jetën, ndërsa rastet e aksidenteve kanë qenë të shumta. Mbikalimi gjendet në afërsi të stacionit të trenit dhe për ndërtimin e tij janë shpenzuar 8 milionë lekë.

Në bashkinë e Durrësit thonë se objekti nuk është marrë në dorëzim, pasi, sipas tyre, nuk është respektuar projekti, ndërsa firma zbatuese e projektit, “ISHP Construksion metalik”, është shprehur se mbikalimi është dorëzuar.

Mbikalimi, i cili është ndërtuar për të shmangur aksidentet në hyrjen e vetme rrugore të Durrësit, pesë vite pas ndërtimit është bërë i pakalueshëm. Duke qenë jashtë kujdesit për mirëmbajtje, tapeti prej gome është coptuar dhe qytetarët nuk kanë asnjë mundësi të kalojnë mbi të. Por, mbikalimi që shërbente kryesisht për udhëtarët që zbrisnin nga trenat e linjave, apo që i drejtoheshin stacionit të trenit për udhëtime në qytete të tjera, ka pësuar edhe dëmtime të konstruksionit metalik, si pasojë e vjedhjes që i janë bërë, ndërsa në urë nuk është vënë dorë për ta pastruar apo për ta lyer.

Fillimisht projekti parashikonte që këmbët e urës të futeshin në stacionin e trenit, por kundërshtimi nga hekurudha ka bërë që projekti të cungohet dhe këmbët të mbesin në anë të trotuarit. Sipas bashkisë së Durrësit dëmtimi i mbikalimit është pasojë e cilësisë së dobët të punimeve të realizuara nga firma, ndërsa

firma ka akuzuar bashkinë për degradimin e mbikalimit.

Qytetarët nuk kanë mundësi tjetër për të kaluar nga njëra anë e rrugës në anën tjetër dhe pas dëmtimit të urës ata i janë kthyer vënies në rrezik të jetës.

Megjithëse policia patrullon shpesh këtë rrugë, uniformat e qarkullimit rrugor thonë se e vetmja mundësi për të shmangur aksidentet është vënia në funksionim e mbikalimit. Gjatë vitit të kaluar vetëm në këtë nyje rrugore kanë ndodhur 12 raste të

aksidenteve të rënda, si pasojë e përpjekjes së qytetarëve për të kaluar rrugën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›