Mbikalimi nuk prek arkeologjinë
Levan
Aprovohet gjurma përfundimtare mbikalimit që lidh autostradat Lushnjë-Fier dhe Levan-Vlorë. Projekti përfundimtar i këtij segmenti të rëndësishëm rrugor nuk e cenon zonën arkeologjike dhe atë turistike, megjithatë prek në formë tangjente një pjesë të vogël të saj. Ndërsa drejtuesit e pushtetit qendror shprehen optimistë se shumë shpejt do të nisin punimet e ndërtimit të mbikalimit, specialistët arkeologë kanë thënë se është zgjedhur e keqja më e vogël, përballë cenimit të rëndë që do t’i bëhej zonës arkeologjike nga projekti i mëparshëm. Ndryshimi më i fundit i projektit tregon se gjurma e By-Pass-it është larguar me një kilometër nga gjurma e mëparshme, e cila prekte zonën arkeologjike të Parkut Kombëtar Apolonia. “Arritëm të gjejmë mirëkuptimin për zhvendosjen e gjurmës më në perëndim. Një mundësi e mirë kjo për ta larguar rrugën gjithnjë e më tepër nga pikat kufitare që administron parku arkeologjik”, thotë drejtori i parkut, Marin Haxhimihali. Ndërtimi i mbikalimit diskutohet prej 6 vjetësh dhe është inauguruar disa herë nga kryeministrat.
#