Karta e Adriatikut, sot mblidhen vendet e A5
TIRANË Në kuadër të Kryesisë Shqiptare të Kartës së Adriatikut, sot në Tiranë pritet të zhvillohet takimi i Komisionit të Partneritetit të vendeve të A5 dhe SHBA. Në këtë takim të Komisionit të Partneritetit janë ftuar të marrin pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut (A5), përfaqësuesi i SHBA-së, si dhe ministrat e punëve të jashtme të Kosovës dhe Serbisë. Çështjet kryesore që do të diskutohen në këtë takim janë siguria dhe bashkëpunimi si garanci për stabilitet rajonal e më gjerë; ecuria dhe përparimi i vendeve para Samitit të NATO-s në Çikago, si dhe çështje të tjera që lidhen me rritjen e mbështetjes publike për NATO-n duke angazhuar shoqërinë civile për integrimin euro-atlantik të Europës Juglindore. Gjithashtu, në këtë takim do të diskutohet edhe mbi bashkëpunimin praktik të vendeve të A5 në fusha të ndryshme. Në përfundim të takimit vendet anëtare të Kartës së Adriatikut pritet të miratojnë edhe një komunikatë të përbashkët.