E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbillen 37 500 pisha në një territor të zhveshur

Një sipërfaqe e madhe është ripyllëzuar në rrethin e Lushnjës. Mësohet nga shërbimi pyjor i këtij rrethi se bëhet fjalë për një sipërfaqe të konsiderueshme toke të zhveshur, e cila është prekur nga ripyllëzimi. Shërbimi pyjor i rrethit Lushnje deklaron se ka ndërmarrë një aksion për mbjelljen me pisha të mjaft tokave, të zhveshura nga pemët që si të tilla ndikonin në favorizimin e rrëshqitjes së tokës. Bëhet fjalë për një fond prej tre milion lekësh. Sipas drejtuesve të shërbimit pyjor, mësohet se deri tani janë mbjellë mbi 37 500 rrënjë me pisha të buta. Pemët e reja janë mbjellë në komunën e Ballagatit, rreth 20 kilometra larg qendrës së Lushnjës pikërisht në malin Dardhas. Shpyllëzimi i këtij mali ka ndodhur si shkak i vatrave të shumta të zjarreve të rënë gjatë viteve të fundit, të cilat kanë djegur me qindra pisha e pemë. Por, sipas specialistëve të pyjores, mësohet se shpyllëzimi ka ndodhur edhe si shkak i prerjeve pa kriter që banorët e zonës kanë kryer me qëllim ngrohjen apo dhe zhvillimin e aktiviteteve të tyre private. Gjatë dy viteve të fundit shpyllëzimi i zonës në fjalë ka sjellë mjaft probleme me rrëshqitjen e tokës, e cila në fakt ka dëmtuar mjaft banesa, por ka rrezikuar disa fshatra dhe rrugë, të cilat janë prekur në shumë vende nga çarja e tokës, si dhe dëmtime të tjera. Drejtuesit e pyjores kanë menduar që të mbjellin pisha edhe për faktin se toka që po pyllëzohet është mjaft e përshtatshme për këtë varietet. Po specialistët e pyjores deklarojnë se brenda një kohe shumë të shkurtër sipërfaqja e pyllëzuar së fundmi do të bashkohet me pyllin e vjetër. Kjo është nisma e parë që merret nga drejtuesit e pyjores së Lushnjës pas shumë vitesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›