E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Mos e politizoni Unazën e Madhe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prezantoi dje publikisht projektin e segmentit jugor të Unazës së Madhe, duke u dhënë fund kërkesave të qeverisë, që këtë objekt ta marrin ata përsipër për ta ndërtuar. Kryebashkiaku Rama, ndërsa ka theksuar rëndësinë themelore që ka ky projekt për Tiranën, ka kërkuar që ky projekt të mos politizohet. Ai ka përmendur "domosdoshmërinë për të ecur me hapa shumë më të shpejtë, për të kapërcyer fazën e zvarritjes në labirintet burokratike dhe ecejakeve të panevojshme mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për një projekt i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të kthehet në një argument politik apo në një çështje të politizuar, sepse është një projekt që u përket qytetarëve e vizitorëve të kryeqytetit, përtej çdo kornize të jetës politike, fushe garash e betejash, qofshin këto në kohë të normalitetit demokratik, në periudha paraelektorale apo elektorale". Sipas Ramës, ky është segmenti më i rëndësishëm, pasi jo vetëm do të garantojë një lëvizshmëri shumë më normale në një kryeqytet, i cili është në rritje të vazhdueshme dhe ku trafiku përbën një problem gjithnjë e më kompleks dhe do të garantojë kalimin shumë më normal të mjeteve që lëvizin nga veriu në jug. Rama ka theksuar më tej se ky është një projekt i studiuar sipas të gjitha standardeve evropiane dhe nuk ka në vendin tonë sot asnjë projekt më të kompletuar në sensin e parametrave evropianë. "Ky projekt, tha Rama, përbën edhe një model, se si ne duhet t‘i zhvillojmë rrugët e vendit tonë dhe se si ne duhet të zgjidhim jo vetëm problemet e të sotmes, por edhe të parashikojmë të ardhmen në shumë vite". Kryebashkiaku ka garantuar edhe për mundësinë e financimit të projektit nga BERZH. Gjatë prezantimit të pamjeve të studimit të sintetizuar të lëvizshmërisë në aksin e ri të Unazës së Re, ai konfirmoi se "kjo paraqitje është pjesë e angazhimit të BERZH, që ka dhënë disa grante për Bashkinë e Tiranës, që i paraprijnë vetë financimit të madh të projektit, për të cilin kemi marrë miratimin paraprak".

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vijoi më tej: "Paralelisht me projektin e zhvillimit të Unazës së Re, ne kemi avancuar dhe do jemi i pari qytet në Shqipëri që do të kemi një qendër të kontrollit të trafikut. Pra, në këtë kuptim do të hyjmë në Evropë, sepse për herë të parë ne do të kemi mundësinë e një kontrolli vizual mbi trafikun e qytetit dhe do të jetë e mundur përmes kësaj qendre, që të kontrollohet çdo aks, çdo shkelje që ndodh në mënyrën se si qarkullohet. Kjo shkelje do t‘u përcillet në mënyrë të kompjuterizuar organeve kompetente për ndëshkimin e tyre, me qëllim parandalimin e krijimit të konfliktit në pika të ndryshme, përmes bashkëpunimit me strukturat shtetërore kompetente, duke pasur në monitorim të vazhdueshëm si me një sy nga lart, të gjithë kryeqytetin".

Një nga segmentet më të rëndësishëm të Unazës së Madhe, ndërtimi i të cilit parashikohet të ketë një impakt të rëndësishëm në përballimin e lëvizjes në qytetin e Tiranës, është pjesa jugperëndimore e saj. Kjo rrugë do të mundësojë shmangien e një pjese të trafikut ekzistues, që sot kalon nëpër qendrën e Tiranës ose në Unazën ekzistuese të saj. Kjo pjesë e Unazës së Madhe, fillon në kryqëzimin me Rrugën e Kavajës deri në kryqëzimin me Rrugën e Elbasanit dhe ka një gjatësi prej 5.5 km. Korsia tip e Unazës ka: korsi të dedikuar për linjat e transportit publik lokal; korsi për lëvizje të biçikletave dhe këmbësorëve; për mjete motorike dhe parkim (privat, me pagesë dhe rezidencial) për mjetet përgjatë Unazës. Zbatimi i këtij projekti të rëndësishëm, më i madhi në llojin e tij për qytetin e Tiranës, pritet që të ketë një impakt shumë pozitiv në përmirësimin e lëvizjes dhe të trafikut, jo vetëm për këtë zonë, por edhe në të gjithë qytetin. Ky projekt përmirëson ndjeshëm edhe lidhjen e zonave rreth qytetit dhe në komunat kufitare me Tiranën, me vetë qytetin e Tiranës.

Siguria rrugore

Sipas vlerësimit të analizës rezulton se nëse në vitet ‘90 rreziku nga aksidentet rrugore të trafikut renditej në vendin e nëntë në listën e risqeve të jetës dhe sigurisë së saj; në vitin 2020 do të ketë një rritje të ndjeshme të këtij rreziku (për shkak të rritjes shumë të madhe të trafikut), duke e listuar këtë rrezik nga vendi i nëntë në vendin e 3-të. Për këtë qëllim, një nga çështjet më të rëndësishme që analizon projekti është minimizimi i riskut për aksidente rrugore. Për këtë janë zbatuar në projektim standardet më të mira të sigurisë rrugore (si ato amerikane, angleze etj). Nëpërmjet zbatimit të këtyre standardeve: janë minimizuar pikat konfliktuale, duke pasur kryqëzime të sigurta. Kryqëzimet kontrollohen me anën e aparaturave semaforike të teknologjisë së avancuar; rrethrrotullimi në kryqëzim përfshin hapësira të dedikuara për lëvizjen e këmbësorëve, me korsi të ndara për autobusët, (afërsisht 50 m nga kryqëzimi ndodhen qëndrime autobusi etj.).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›