E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallatet e minatorëve, në rrezik shembjeje

Në lagjen "Gjeologu" në Bulqizë, infrastruktura e parehabilituar e para viteve ‘90 rrezikon shembjen e shtëpive ku jetojnë kryesisht familjet e minatorëve. Më shumë se 100 minatorë jetojnë në apartamente të amortizuara, të cilat nuk plotësojnë kushtet minimale të banimit. Lagjja "Gjeolog" ndodhet pak metra poshtë minierës gjigante të Bulqizës. Dhjetëra pallate kryesisht dykatëshe, ish-fjetore të punëtorëve të minierës, të ndërtuara para viteve ‘90, rrezikojnë shembjen dhe qindra banorë rrezikojnë jo vetëm të mbeten pa shtëpi, por edhe të aksidentohen.

Minatorë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, në pamundësi për të qenë korrektë për paraqitjen në punë u detyruan të sistemohen në qytetin e Bulqizës, së bashku me familjet e tyre. Ishte pothuajse e pamundur për ata që të udhëtonin me orë të tëra për të qenë në orarin e përcaktuar në punë.

Kështu, vendosën të gjenin si zgjidhje bashkimin me familjet e tyre në këto qytete dhe në mungesë apartamentesh u detyruan t‘i vendosin të afërmit në ish-fjetoret e punëtorëve. Kushtet që ofronin këto banesa ishin jo vetëm të papërshtatshme për një jetesë normale. Ish-bujtina minatorësh, ndërtuar në fillimin e viteve ‘60, me sipërfaqe banimi, rreth 20 metër katrorë për çdo dhomë, aktualisht banojnë familje me nga katër deri në tetë persona. Familjet e minatorëve ushqehen, qëndrojnë, flenë, presin dhe miq në një dhomë me katër mure. Mbi 30 familje në çdo njërën nga këto bujtina, kanë një tualet të përbashkët.

Pallate të amortizuara, shkallë të dëmtuara ku ke frikë se rrëzohesh, tavane të shembura pjesërisht, mure me suva të rënë dhe me lagështirë, tualete në kushte tejet të vështira, është mjedisi ku jetojnë më shumë se 100 familje.

"Të paktën të investohet për shkallët, çatinë që pikon, ujin e pijshëm, tualetet", thonë banorët e pallateve. Ata tregojnë se në çdo fushatë elektorale u premtohen investime për rikonstruksion, ose sistemim në mjedise të reja, por deri tani nuk është bërë asgjë. Amortizimi, varfëria e tejskajshme, mungesa e rehabilitimit, dimri i ftohtë dhe i ashpër rrezikojnë për çdo ditë jetën e këtyre banorëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›