E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbipopullohen urgjencat e QSUT-së, shtohen të prekurit nga virozat gripale

15/12/2008  Paraqiten për ndihmën mjekësore 300 pacientë në ditë

Ndryshimet e vazhdueshme të kushteve klimaterike gjatë këtyre ditëve kanë çuar në rritjen e numrit të pacientëve që janë paraqitur për trajtim në urgjencat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mjekët e shërbimeve pohojnë se çdo ditë paraqiten për ndihmën e shpejtë mjekësore në shërbimet përkatëse rreth 300 pacientë. Rastet më të shumta i përkasin urgjencës së pediatrisë (me 200 raste në ditë), ku pacientët e vegjël kanë shfaqur simptoma të virozave gripale e në raste të caktuara dhe të gripit. Ndërkohë që dhe tek të rriturit ka rezultuar të jetë i lartë numri i personave që kanë paraqitur këto komplikacione përkatësisht 80 kërkesa për ndihmë gjatë ditës. Megjithatë, kjo shifër mund të jetë shumë herë më e lartë, duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e të sëmurëve i drejtohen shërbimeve parësore për të marrë trajtimin ambulator. Më të rriskuarit nga prekja e këtyre komplikacioneve janë ato kategori, të cilat nuk kanë aplikuar dhe vaksinën mbrojtëse antigrip në periudhat e caktuara, çka sipas mjekëve bën që imuniteti i tyre trupor të jetë i dobët karshi pasojave dhe qarkullimit të këtyre virozëve. Simptomat më të shpeshta të shfaqura tek fëmijët e moshave të vogla kanë qenë ato të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes dhe veçanërisht infeksionet respiratore, të cilat në shumë raste shoqërohen dhe me temperatura të larta. Përkundrejt kësaj gjendje mjekët këshillojnë që prindërit të bëjnë shumë kujdes ndaj lëvizjeve të shpeshta të temperaturës, si dhe në dërgimin sa më të shpejtë të fëmijës për trajtim të specializuar tek mjeku. Veçanërisht për këtë kategori këshillohet shmangia e përdorimit të barnave qetësuese të marra në farmaci pa këshillimin e mjekut. “Është e nevojshme që për rastet kur shfaqen këto simptoma, sidomos tek fëmijët të bëhet kujdes me izolimin e tyre nga ambientet ku qëndrojnë shumë persona, sepse përveç riskut të transmetimit të sëmundjes rrezikohen që të përkeqësohen vetë edhe më shumë”, pohon mjekia. Ndërsa tek moshat e treta, veçanërisht janë manifestuar probleme tek ata që vuajnë dhe nga sëmundje të tjera kronike siç janë ato të zemrës, apo diabeti dhe astma, ku janë përforcuar problemet shëndetësore. Kjo kategori duhet të qëndrojë në ambiente të mbyllura dhe të ngrohta, si dhe të bëjë kujdes me përdorimin e ilaçeve që kanë për sëmundjet e tjera kronike nga të cilat vuajnë. Përveç rëndësisë së marrjes së vaksinës, mjekët pohojnë se individët e sëmurë dhe pjesa tjetër e popullatës duhet të bëjnë kujdes edhe në ambientin ku qëndrojnë. Kështu individët duhet të evitojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale; si dhe ata që janë prekur nga gripi të evitojnë kontaktet me personat e tjerë. Njëkohësisht kërkohen që të merren masat bazë higjienike në veçanti, mbulimi kur kollitemi dhe teshtijmë, eliminimi i pështyrjes në tokë dhe larja e duarve.

Rastet

Mjekët e shërbimeve pohojnë se çdo ditë paraqiten për ndihmën e shpejtë mjekësore në shërbimet përkatëse rreth 300 pacientë. Rastet më të shumta i përkasin urgjencës së pediatrisë (me 200 raste në ditë), ku pacientët e vegjël kanë shfaqur simptoma të virozëve gripale e në raste të caktuara dhe të gripit. Ndërkohë që dhe tek të rriturit ka rezultuar të jetë i lartë numri i personave që kanë paraqitur këto komplikacione përkatësisht 80 kërkesa për ndihmë gjatë ditës.

Këshillat

Përveç rëndësisë së marrjes së vaksinës, mjekët pohojnë se individët e sëmurë dhe pjesa tjetër e popullatës duhet të bëjnë kujdes edhe në ambientin ku qëndrojnë. Kështu pacientët duhet të evitojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale; si dhe ata që janë prekur nga gripi të evitojnë kontaktet me personat e tjerë. Njëkohësisht kërkohen që të merren masat bazë higjienike në veçanti, mbulimi kur kollitemi dhe teshtijmë, eliminimi i pështyrjes në tokë dhe larja e duarve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›