E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku i plagosur në gjendje të stabilizuar shëndetësore

15/12/2008  Nuk paraqet më rrezikshmëri për jetën

TIRANE- Një ditë pas dërgimit me urgjencë në Spitalin Ushtarak, gjendja shëndetësore e mjekut Agron Ylli, të goditur me thikë, është përmirësuar dukshëm. Kjo falë ndërhyrjes në kohë të kolegëve të tij, të cilët mundësuan që parametrat jetësore të stabilizoheshin vetëm pak orë pasi ai u qëllua. Nga burime spitalore mësohet se ditën e djeshme e vetmja pjesë trupore që paraqiste ende vështirësi në mbylljen e plagës ishte barku, pasi aty Agron Ylli ishte qëlluar më me forcë dhe thika kishte depërtuar më tepër. Ndërsa plagët e marra në këmbë dhe dorë tashmë janë drejt shërimit. Sakaq, dje mjekun e vizituan disa politikanë që shfaqën shqetësimin e tyre në lidhje me këtë fenomen tashmë të përsëritur. Ngjarja ndodhi para dy ditësh kur tri goditjet me thikë nga shtetasi Bujar Valisi kanë bërë që specialisti 50-vjeçar të dërgohet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Mësohet se qëllimi i hyrjes së autorit në klinikën e mjekut, që ndodhet te “Shallvaret”, ka qenë marrja e një raporti KEMP-i për gruan e tij të sëmurë nga tiroidet. Duket se kësaj kërkese nuk i është përgjigjur pozitivisht mjeku Ylli, çka ka sjellë edhe nervozizmin e Bujar Valisit. Sulmet ndaj mjekëve janë shtuar së tepërmi. Më 24 qershor të vitit të kaluar policia e Ballshit i ka vënë prangat 18-vjeçarit Anil Toska, sepse ka qëlluar me grushte mjekun Q. Shehu, pasi sipas tij ai nuk i ka shërbyer të afërmit të tij, që ishte shtruar në spital. Ndërsa më 13 shtator 2006 u sulmua mjeku i Librazhdit Astrit Leka. Policia e Librazhdit ka arrestuar më 13 shtator 2006 Ndriçim Xhaferrin, 39 vjeç, ndërsa 59-vjeçari Leka është dërguar në spital.

Politika reagon ndaj sulmit të mjekut

Kërkohet reagim i menjëhershëm nga Qeveria

Kryeministri në një njoftim për shtyp u shpreh se duhet të dënohet agresori. Kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka deklaruar dje pasi vizituan mjekun e plagosur Agron Yll, se ndodhia nuk është rastësi, por po kthehet në një fenomen. Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka kërkuar që Kryeministri Sali Berisha të ndalë përbaltjen dhe fushatën kriminalizuese të bluzave të bardha. “Qeveria, që për fat të keq qeveriset nga një mjek, të cilit shumë herë i kemi bërë thirrje publike që të ndryshojë sjellje në qëndrimin e tij ndaj shërbimit shëndetësor; po ky burrë i madh që konsideron veten e tij tashmë, si duket, me një mendje të hipur mbi fik se çdo gjë e ka vënë në vijë, ka harruar pjesën thelbësore të qeverisjes, që është shëndetësia”, tha Vasili. Në një deklaratë për mediat, Aida Joanidhi, nënkryetarja e PDK-së që drejtohet nga Nard Ndoka, ka thënë se reformat do të mundësojnë garantimin dhe sigurinë e mjekëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›