E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbivendosen 18 hektarë tokë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Në komunën e Kasharit janë kryer abuzime me pronat në 176 mijë metër katrorë, duke filluar nga mbivendosja dhe deri te dhënia e dy tapive për të njëjtën sipërfaqe. Këto janë përfundimet që ka arritur Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka mbyllur hetimet për kryekomunarët e arrestuar dhe i ka dorëzuar dosjen gjykatës. Në kërkesën për gjykim, e cila tashmë ndodhet në duart e togave të zeza janë dhjetë të dyshuar. Tre ish-kryetarët e komunave dhe vartësit e tyre në bashkëpunim dhe me punonjës të Hipotekës kanë realizuar shkeljet nga viti 2000 deri pak para arrestimit.
Dosja
Ish-punonjës të komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Burime nga organi i gjyqësorit bëjnë të ditur se të arrestuarit akuzohen për abuzime me pronat. Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se këto prona u janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. “Nga hetimet gjashtëmujore ka rezultuar se 10 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme por në mënyrë të njëjtë, kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katrorë truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre u takonin fshatarëve të Kasharit”,- thuhet në kërkesën që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë.
Periudha
Nga viti 2000 e deri pak para arrestimit, drejtuesit e komunës së Kasharit, në mënyrë abuzive, duke falsifikuar dokumente, hartën topografike dhe shumë dokumente të tjera ua kaluan këto prona të njohurve të tyre, të cilët më pas i shisnin. Pas shitjes, përvetësuesit me letra, të ardhurat materiale të shitjes i ndanin së bashku me të tjerët, duke fituar kështu shuma të majme parash, që mendohet se kapin shifrën e 20 milionë eurove”,- thuhet në kërkesën për gjykim.
Akuzat
Ndaj 10 të pandehurve të kësaj dosjeje janë ngritur një sërë veprash penale, si “falsifikim të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre në 34 raste, “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni pasiv i funksionarit të lartë shtetëror ose të zgjedhurit vendor”; “mashtrimit me pasoja të rënda”, të gjitha këto në bashkëpunim dhe kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në katër raste.
Sipas kërkesës për gjykim, Alfred Sula, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kasharit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka falsifikuar dokumentet zyrtare për përvetësimin pronave të ndryshme në 13 raste dhe mban mbi supe më shumë akuza se bashkëpunëtorët e tij. Sipas kërkesës për gjykim, 177.592 metra katrorë truall janë përfituar në mënyrë abuzive nga 15 persona, në sipërfaqe të ndryshme.
Hetimet
“Nga hetimet 6-mujore, ku janë marrë në pyetje më shumë se 50 persona, janë kryer shumë sekuestrime dhe verifikime dokumentesh. Personi që ka përfituar më shumë nga këto “grabitje” pronash është i pandehuri Xhevahir Hyka, daja i kryetarit të komunës së Kasharit, Alfred Sula, i zgjedhur në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurtit 2007 në këtë komunë. Në listën e të akuzuarve janë dhe Ismail Sula, me katër raste, duke u ndjekur më pas me të pandehurin Ruhi Valiasi, i cili ka përfituar prona me anë të falsifikimit në tre raste, duke vazhduar me përfituesin në 2 raste nga i pandehuri Ismet Bakalli”,- thuhet nga burimet zyrtare të prokurorisë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokurori Armand Gurakuqi, është evidentuar si përfitues në mënyrë të padrejtë, me dokumente të falsifikuara edhe babai i kryetarit të komunës së Kasharit, shtetasi Jakup Sula. Sipas këtyre burimeve, dosja voluminoze është depozituar në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pritet të hidhet në shortin elektronik për t u caktuar treshja gjykuese që do të shqyrtojë skandalin e pronave në komunën e Kasharit, ku është abuzuar me 18 hektarë tokë. Sipas burimeve nga akuza, priten që para gjykatës të thirren për të dëshmuar nga organi i akuzës rreth 50 dëshmitarë, mes të cilëve edhe pjesëtarë të familjes së Gani Kamberit, i gjetur i vrarë në tetorin e vitit të kaluar.

Dosja “Kashari”
Dosja “Kashari”, me 10 të pandehur, tre prej të cilëve ish-kryekomunarë: Alfred Sulaj, Faik Fejza e Naim Karaj, një kryeplak dhe disa persona të tjerë, të akuzuar për disa vepra penale, si “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” me qëllim mbivendosjen e pronave apo shitjen e tyre personave të afërt apo miqve, jo banorë të komunës Kashar. Janë mbi 2 mijë faqe materiale, brenda të cilave janë denoncimet e 70 banorëve të komunës, ekspertizat dhe dokumente të tjera të rëndësishme, me anë të të cilave prokurori do të provojë fajësinë e të pandehurve. Operacioni “Kashari” u zhvillua në shtator të vitit të kaluar, nga ku në pranga ranë fillimisht 8 persona dhe më pas pjesa tjetër.

Të arrestuarit për abuzime me pronat
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet 8 muaj më parë për 150 mijë m2 tokë, të cilat arrinin vlerën e 150 milionë lekëve. Ndërkohë që burimet nuk përjashtojnë mundësitë për një sipërfaqe toke edhe më të madhe. Në lidhje me abuzimet me tokat janë vënë në pranga krerë dhe ish-krerë të kësaj komune.

Të arrestuarit e “Kashari 2”

Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetar i komunës Kashar

Faik Fejza, 56 vjeç, ish-kryetar i komunës Kashar

Naim Karaj, 45 vjeç, ish-kryetar i komunës Kashar

Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplak

Shefqet Alikaj, 51 vjeç, punonjës i kadastrës

Ismail Sulaj, 42 vjeç

Xhevair Hyka, 43 vjeç

Ilir Sula, 33 vjeç, shofer
Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›