E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset doktori me 640 mijë dollarë në llogaritë bankare

Autori i Lajmit: red.
Ka siguruar të ardhura marramendëse, llogari me shumë zero, të cilat nuk i ka krijuar me kursimet nga rroga, por me ryshfetet për operacionet. Kështu ka shtuar llogaritë e tij deri më dje mjeku Kastriot Dautaj, kur policia e ka vënë në pranga në momentin kur ka qenë duke marrë shumën e 50 mijë lekëve, pasi kishte dalë nga salla e operacionit. Ndërkohë atij i janë bllokuar dhe dy llogari bankare prej 640 mijë dollarësh amerikanë. Ka qenë pacientja Luljeta Hoxha, e cila ishte operuar nga veshkat, gjë për të cilën kishte dhënë shumën e parave. Mjeku Dauti i kishte marrë lekët nga i ati i pacientes, Ibrahim Hoxha. Mjeku Kastriot Dautaj është arrestuar gjatë operacionit të koduar “Veshka e humbur”. Denoncimi duket se është bërë në fillim nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, që kishte administruar një derdhje parash të mjekut, në një prej bankave të nivelit të dytë në vendin tonë. Ka qenë shuma prej 268.247 mijë dollarësh që ishin derdhur që ishte deklaruar si të ardhura nga puna si mjek dhe pedagog i Fakultetit të Mjekësisë. Por kjo gjë ka sjellë dyshimet e bankës. Drejtuesit e saj kanë raportuar në Drejtorinë e Pastrimit të Parave dhe këta të fundit e kanë nisur informacionin në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar që ka nisur hetimet.
Hetimet
Pasi sektori i krimit ekonomik ka marrë informacionin, ka nisur investigimin në lidhje me shumat e parave që kishte derdhur mjeku. Njëkohësisht ai është mbajtur dhe nën vëzhgim nga agjentët e policië, që e kanë ndjekur dhe përgjuar. Por policia nuk ka ndenjur vetëm në llogarinë e parë. Kastriot Dautaj, mjek urolog në Pavijonin e Urologjisë pranë QSUT-së, e kishte deklaruar shumën si burim të ardhurash nga ushtrimi i profesionit të tij si mjek dhe si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë. Por, pas verifikimeve të një tjetër llogarie rrjedhëse në të njëjtën bankë, i dyshuari Kastriot Dautaj, bashkë me bashkëshorten kishin dhe një llogari rrjedhëse në një shumë tjetër të konsiderueshme prej 365.819 dollarësh. Hetimi i kësaj çështjeje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste që kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente.
Arrestimi
“Arrestimi i prof.dr. Kastriot Dautajt u bë, pasi u kap në flagrancë për veprat penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, shpërdorim detyre dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të parashikuara nga nenet 259 e 248 dhe 287 të Kodit Penal”, - thanë burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale të hetimit, ka rezultuar se shtetasi Kastriot Dautaj, me profesion kirurg ka marrë shumën e 50 mijë lekëve kundrejt një operacioni në spitalin nr. 2. Në momentin e arrestimit Dautajt iu sekuestruan 50 mijë lekë si dhe nga një llogari bankare në emër të tij u sekuestruan 420 mijë dollarë në një bankë të nivelit të dytë, të ardhura këto që dyshohen se kanë ardhur nga veprimet korruptive”, - konfirmoi policia. Hetimi i kësaj çështjeje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Policia tha se shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private, në të cilat ishte i punësuar, në punë të dytë.

I arrestuari
Kastriot Dautaj, mjek kirurg në repartin e Urologjisë, në Spitalin numër 2, në QSUT

Llogaritë
640 mijë dollarë në dy llogari bankare
Ky lajm është publikuar: 08/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›