E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mbjell hashash, se jam i varfër"

Kopshti i një shtëpie të braktisur në fshatin Bajkaj të nënprefekturës së Delvinës është kthyer në truall për kultivimin e bimëve narkotike. Burimet policore bënë të ditur se zbulimi i saj u bë i mundur dje nga bashkëpunimi i seksionit kundër krimit të organizuar dhe Komisariatit të Policisë së Delvinës. Shtëpia e pabanueshme, që figuron në pronësi të shtetasit Kolë Gjata, ishte në ruajtje nga bashkëfshatari i tij, Izet Dauti, i cili kopshtin e ka mbjellë me fidanë bimësh, që dyshohet se janë të llojit kanabis sativa. Nga kontrolli janë gjetur 63 bimë të tilla, të mbjella në rreth 15 metër katrorë tokë, të cilat do t‘i nënshtrohen analizës. Kapja në flagrancë është bërë shkak që 52-vjeçari Izet Dauti, lindur në Delvinë dhe banues në Bajkaj, të ndalohet nga uniformat blu dhe ndaj tij të ngrihet akuza për veprën penale "kultivim i lëndëve narkotike", parashikuar nga neni 284/1. Në momentin e kapjes, Izet Dauti ka pranuar se ka qenë i detyruar ta bëjë këtë, pasi është i varfër. Ky është zbulimi dhe asgjësimi i sipërfaqeve të para për këtë vit, të mbjella me bimë narkotike në rajonin më jugor të vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›