E Diel, 1 Nëntor 2026

Të transformosh përtej një kredie

"Opportunity Albania" në kuadër të përmbushjes së vizionit për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së komuniteteve, jo vetëm nëpërmjet kredive, por edhe projekteve sociale, po zhvillon projektin "Aftësimi me njohuritë bazë të kompjuterit për fëmijët dhe të rinjtë e fshatrave Shalës, Shëndëlli dhe Vrinë". Më 16 maj 2008, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të kabinetit informatik në shkollën "Rait Bajo" në Shalës. Ngritja dhe pajisja me një kabinet të tillë ka qenë pjesë e projektit, që "Opportunity Albania" po zhvillon në këtë rajon. Bëhet fjalë për dy shkolla 9-vjeçare, "Rait Bajo" në Shalës dhe shkolla "Vrinë", që është e përbashkët për fshatrat Shëndëlli dhe Vrinë. Këto shkolla janë pajisur me kabinete informatike në sajë të mbështetjes financiare të OA, duke u krijuar më tepër mundësi nxënësve që i frekuentojnë ato, në përvetësimin e njohurive bazë të kompjuterit. Fshatrat Shalës, Shëndëlli dhe Vrinë, janë fshatra ku institucioni mikrofinanciar "Opportunity Albania" (OA), ka ofruar i pari mikrokredi dhe ka arritur të ketë një impakt pozitiv në lidhje me zhvillimin ekonomik të këtij rajoni. Përkushtimi i OA në këtë zonë për të forcuar komunitetin përtej dhënies së kredive, bëri të mundur zhvillimin e këtij projekti, në mbështetje të mëtejshme të procesit të arsimimit. Fshatrat Shalës, Shëndëlli dhe Vrinë nuk janë të përfshira ende në investimet afatshkurtra të projekteve të arsimimit në Shqipëri. Në këto kushte, krijimi i kabineteve kompjuterike dhe mundësia që u krijohet sot nxënësve të shkollave nga "Opportunity Albania", është një hap pozitiv në përshpejtimin e këtij procesi në kohë. Tashmë të rinjtë dhe nxënësit kanë mundësi të aftësohen në përdorimin e kompjuterit dhe të pajisen me më shumë njohuri profesionale që do t‘ju shërbejnë në të ardhmen. Është bërë instalimi i kabineteve informatike me 18 kompjuterë, dy printerë, si dhe të tjera mjete didaktike për mësuesit. Faza e dytë e projektit, maj-shtator 2008, konsiston në përfitimin e njohurive kompjuterike nga nxënësit, nëpërmjet kurseve verore që do të jenë falas.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›