E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis procesi ndaj ish-zyrtarëve të SHIK-ut

Procesi gjyqësor për një nga ngjarjet më të rënda dhe më misterioze ku janë përfshirë strukturat e shërbimeve sekrete shtetërore, pas viteve ‘90 është çelur dje nga gjyqtari Xhelal Elezi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. E njohur me emrin "Dosja Remzi Hoxha", kjo çështje ka vënë në bankën e të akuzuarve katër të pandehur, duke krijuar edhe një precedent të pandeshur më parë në historinë shqiptare: Njëri prej të akuzuarve është aktualisht drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ndërkohë që burime konfidenciale konfirmuan për "Shqip" se prokuroria do të thërrasë për të dëshmuar 103 persona, në përpjekje për të vërtetuar akuzat e ngritura ndaj katër të pandehurve, ish-drejtues dhe zyrtarë të Shërbimit Informativ Kombëtar në vitin 1995.

Për Arben Sefgjinin, ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë, Avni Koldashin, ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit, Budjon Meçen, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë dhe Ilir Kumbaron, ish-kryetari i degës në SHIK, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzat e "rrëmbimit të personit" tri herë dhe të shoqëruara me tortura të rënda. Dy nga të pandehurit, Sefgjini dhe Koldashi u paraqitën në gjykatë të shoqëruar nga avokatët e tyre. Gjatë gjithë kohës që vazhdoi procesi, ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë me njëri-tjetrin.

Seanca e parë e procesit nuk ka mundur të vazhdojë gjatë, pasi që në fillim të saj trupi gjykues ka konstatuar mungesën e dy prej të pandehurve të çështjes, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Gjatë procedurës së verifikimit të pjesëmarrësve gjyqtari Elezi ka vënë re se Meçe dhe Kumbaro nuk ishin prezentë dhe mungonte dokumentacioni i duhur për vërtetimin e vendndodhjes së tyre. Në sallë gjendej avokati Artan Kodheli, i cili deklaroi se përfaqësonte të pandehurin Budjon Meçe. Mbrojtësi ligjor deklaroi se klienti i tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, pasi është goditur nga një infarkt cerebral. Aktualisht, Meçe është në gjendje kome dhe për këtë Kodheli ka paraqitur edhe raportin mjekësor përkatës, që vërteton këtë situatë. Po ashtu ai ka paraqitur edhe prokurën e firmosur nga e motra e të pandehurit, me të cilën autorizohet Kodheli për të mbrojtur Meçen. Por nga ana e trupit gjykues është këmbëngulur që fletëthirrja për në gjyq duhej të firmosej nga ana e të pandehurit, çka ka shkaktuar reagimin e avokatit.

Por më e komplikuar duket mungesa e të pandehurit tjetër, Ilir Kumbaro, për të cilin madje as familjarët e tij nuk duket se kanë marrë dijeni. Kumbaro prej shumë vitesh ndodhet jashtë vendit dhe deri tani nuk është bërë e mundur që të gjendet një adresë e saktë e tij ose e familjarëve të tij të afërt, që të mund ta vënë atë në dijeni për nisjen e procesit gjyqësor. Në këto kushte, trupi gjykues ka kërkuar që nga komisariati i policisë që mbulon territorin ku ndodhet banesa e fundit e Kumbaros dhe konkretisht nga Komisariati Nr.3 në Tiranë të lëshohet një dokument ku të deklarohet se i pandehuri nuk gjendet në Shqipëri. Në këtë mënyrë, procesi do të mund të vazhdonte duke shpallur gjykimin në mungesë të të pandehurit.

Në seancën e djeshme gjyqësore, në sallë ishin prezent edhe mjaft përfaqësues të familjes së Remzi Hoxhës, duke nisur që nga djali i tij, Ardiani, dhe duke vazhduar me avokatin Tom Gashi, e të tjerë. Duke dalë nga ambientet e gjykatës, pas përfundimit të seancës ata janë treguar të gatshëm të shprehen lidhur me fillimin e këtij procesi. Djali i Remzi Hoxhës ka thënë se për ta ishin ringjallur shpresat se drejtësia mund të vihej në vend, por gjithsesi, nuk ka harruar të thotë se bankës së të akuzuarve i mungojnë edhe pesë persona të tjerë që kanë përgjegjësi për vdekjen e babait të tij. Për Ardian Hoxhën, në krye të listës mbetet Bashkim Gazidede, që ka pasur edhe përgjegjësinë kryesore. Ndërsa avokati Tom Gashi ka vlerësuar punën e bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por është shprehur se të pandehurit janë vetëm pjesa më e ulët e hierarkisë së strukturave të SHIK-ut, të cilët janë përfshirë në krimin e 21 tetorit 1995. Sipas tij, e rëndësishme është që familja të mësojë se çfarë ka ndodhur me Remzi Hoxhën dhe ku ndodhen eshtrat e tij, në mënyrë që familja ta varrosë atë me nderimet që i takojnë.

Deklarimet pas seancës

Tom Gashi:

Të akuzuarit nuk janë të vetmit

përgjegjës për krimin shtetëror

Ne mendojmë se zoti Xhevat Hana është duke kryer një shërbim shumë të mirë për Shqipërinë, sepse ai më në fund po tenton të heqë një barrë që Shqipëria e ka pasur për 13 vitet e kaluara. Besojmë se kjo çështje është në rrugë të drejtë, por besojmë gjithashtu, se personat të cilët gjenden në bankën e të akuzuarve nuk janë të vetmit përgjegjës për krimin shtetëror që u krye me 21 tetor të vitit 1995.

A keni emra personash të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje?

Sigurisht që ka edhe emra të tjerë. Ne mendojmë se kjo është vetëm pjesa më e ulët e hierarkisë së strukturave të SHIK-ut, të cilët janë akuzuar. I gjithë opinioni vendor dhe ndërkombëtar është i njoftuar për këtë rast dhe unë mendoj se për bëmat e një pjese të SHIK-ut të atëhershëm me siguri që ky do jetë vetëm një prej gjykimeve dhe shpresojmë që të gjitha rastet të zbardhen, por problemi ynë është të dihet ç‘ka ka ndodhur me Remzi Hoxhën, për çfarë arsyeje ndodhi dhe të gjenden eshtrat e tij dhe të organizojë familja një varrim dinjitoz për një pjesëtar, i cili ka ndikuar që Kosova të jetë më në fund e lirë.

Ardian Hoxha:

Në bankën e të akuzuarve duhet

të ulet edhe Bashkim Gazidede

Më në fund ne na janë ringjallur shpresat për drejtësinë në Shqipëri. Deri në vitin 2003, ne vetëm ishim endur andej-këndej në të gjitha institucionet në Shqipëri. Tani na janë ngjallur shpresat me ndihmën e gjithë dashamirëve, me ndihmën e mediave, me ndihmën tuaj, me ndihmën e burrave të mirë që ende janë në Shqipëri dhe tani shpresojmë se ky proces do të shkojë deri në fund. Janë edhe pesë persona të tjerë që kanë përgjegjësi për këtë ngjarje dhe në krye të tyre qëndron Bashkim Gazidede. Prokuroria i di vetë punët e saj, por do të vijë dita që edhe Gazidede të ulet në bankën e të akuzuarve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›