E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare, Shqipëria 4 të prekur me AH1N1

 

zirina llambro

Shqipëria është zyrtarisht e prekur nga gripi i derrave. Gjithçka është konfirmuar dje në mbrëmje pas përgjigjeve të analizave nga laboratorët e Rumanisë. Nga 10 monstrat e personave të dyshuar  që ishin çuar për verifikim në këta laboratorë, 4 kanë rezultuar pozitiv për virusin A-H1N1. Njëri prej të infektuarve është një   student 21 vjeçar nga Gjirokastra, i cili studion në Tiranë. Ai është paraqitur rreth një javë më parë me simptoma të gripit në spitalin infektiv të kryeqytetit. Specialistët e ISHP-së konfirmojnë se virusi ka qenë i një forme mjaft të lehtë e për rrjedhojë pacienti është shëruar tërësisht. Mësohet se studenti nuk ka ardhur nga jashtë. Ky fakt tregon se virusi është i pranishëm në Tiranë e gjetkë. Sa u përket tre të infektuarve të tjerë, ata janë shtetas filipinas. Pas shfaqjes së simptomave ata janë paraqitur në spitalin e Durrësit, ku edhe u janë marrë analizat. “Tre marinarët filipinas tashmë janë larguar nga Shqipëria, por ne na intereson të evidentojmë rastet që kanë hyrë në Shqipëri me këtë virus”, sqaruan specialistët. Gjithashtu, ata pohuan se priten përgjigjet edhe për dy foshnjat nga Greqia, që u trajtuan në spitalin e Vlorës. Të gjitha gjasat janë që edhe ato të kenë virusin A-H1N1.
Ministria e Shëndetësisë
Ndërkaq, rreth orës 22.00 të mbrëmjes gjithçka u konfirmua edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Kreu i këtij dikasteri Anila Godo sqaroi se prezenca e virusit ishte e pritshme. “Jemi në një periudhë ku kemi lëvizje masive të emigrantëve dhe virusi i gripit të derrave ka prekur të gjithë rajonin. Pritej nga dita në ditë konfirmimi”, tha Godo. Ajo shtoi se të dyshuar gjithashtu janë edhe dy persona të tjerë që kanë ardhur nga Greqia. Ministrja u bëri apel qytetarëve që të mos neglizhojnë shenjat e gripit. “Për çdo simptomë  të tipit dhimbje koke, temperaturë e vështirësi në frymëmarrje duhet të drejtohen menjëherë te mjekët tanë. Qoftë në pikat kufitare qoftë në spitale”, tha Godo. E pyetur nëse ne mund të zbulojmë vetë rastet me grip derrash në ISHP, ministrja sqaroi se kjo do të realizohet vetëm në muajin gusht. “Me përfundimin e laboratorit të ri ne nuk do kemi më nevojë t’i çojmë përgjigjet në laboratorët e Londrës dhe Rumanisë me të cilët kemi aktualisht bashkëpunim”, theksoi Godo. Sakaq, ajo shtoi se nuk ka vend për panik. Është një pandemi që ka përfshirë gjithë botën dhe vendi duhet të jetë i përgatitur ta përballojë. Sa i përket tamiflusë, ministrja e Shëndetësisë pranoi se sasia është e kufizuar, por pa përmendur shifra. Ndërkaq, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik theksuan se tashmë është domosdoshmëri që në vend të sillen rreth 30 000 doza tamiflu. “Ne do të përpiqemi të sigurojmë vaksinën në muajin nëntor. Ditët e fundit kemi marrë një informacion se laboratorët që e kanë prodhuar do t’i dhurojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 150 milionë vaksina për vendet në zhvillim. Ne shpresojmë që të përfitojmë nga ku fond”, tha Godo. Në udhëzimin e nxjerrë vetëm disa ditë më parë nga dikasteri që drejton thuhet se punonjësit e shëndetësisë, të cilët dyshojnë për pacientët e tyre, se janë prekur nga viroza të vështira dhe të rënda, duhet të marrin kampionë gjaku dhe t’i dërgojnë më pas ato për ekzaminim. Instituti i Shëndetit Publik bën analizat dhe specifikon nëse kemi të bëjmë me virus të tipit A apo të tipit B. Kur analizat dalin pozitive për të parin, ato çohen në laboratorët e Londrës apo Rumanisë për të saktësuar nëse kemi të bëjmë apo jo me virusin A-H1N1. 

Gripi i derrave

Simptomat.

Temperatura:
Kalon të 38 gradët

Frymëmarrja:
Të kollitur,
Teshtima,
Ftohje
Vështirësi në
frymëmarrje

Sytë:
Skuqje e syve

Kockat
dhe muskujt:
Dhimbje kockash,
muskujsh
ndjesi dobësie 

Barku:
Mungesë oreksi,
të vjella
dhe diarre

Kurat
Medikamente antiviralë:
Dy tipa medikamentesh (Tamiflu dhe Relenza), janë efikase në mposhtjen e gripit të derrave

Vaksinat falas
Specialistët sqarojnë se ndaj virusit A-H1N1 duhet të vaksinohen patjetër gratë shtatzëna, të gjithë ata persona që më parë kanë paraqitur sëmundje kronike sidomos të mushkërive. Kjo pasi këta persona janë më të prirë, që një virozë të tillë ta kalojnë shoqëruar me komplikacione. Më tej, kontingjenti i popullatës me moshën 15-45 vjeç që janë personat më aktivë, si dhe të moshuarit. Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se tashmë ka gati programin e vaksinimit për kategoritë vunerabël. Pjesa tjetër e popullatës duhet ta sigurojë vetë vaksinën.

Pandemia
Të paktën 6 muaj. Në këtë hark kohor vendi ynë do të shënojë çdo ditë raste të infektuarish me gripin e derrave. Por se sa do të zgjasë në të vërtetë pandemia, këtë specialistët e kanë të vështirë ta thonë. Gjithsesi, OBSH-ja ka paralajmëruar se 1 ndër 5-6 persona mund të preket nga gripi, por një pjesë e mirë nuk do të shfaqin komplikacione. Më të rrezikuarit për to janë të sëmurët kronikë tek të cilët në rast se simptomat neglizhohen pasojat mund të jenë edhe fatale. Sidomos për këtë kategori mjekët bëjnë apel që të tregohet shumë kujdes qoftë edhe për një rritje temperature.

Mali i Zi, 18 të prekur
Arrin në 18 numri i personave të prekur me virusin e gripit të derrave në Mal të Zi. Të dhënat i ka bërë publike Ministria e Shëndetësisë të këtij shteti, e cila sqaron se dy prej të infektuarve janë të izoluar në spital, ndërsa dy të tjerë mbahen nën kontroll në kushtet e shtëpisë. Ndërkohë nga katër rastet e reja të së infektuarve me virusin A (H1N1), dy prej tyre kishin qenë në festivalin muzikor Exit në Novi Sad, njëri në universiadën në Beograd, dhe një person kishte udhëtuar nga Gjermania. Dy ditë më parë janë shënuar dhe tre të prekur të tjerë nga virusi  në Maqedoni. Në këtë mënyrë numri i të infektuarve nga gripi i derrave në këtë shtet ka arritur në 13.

Virusi në Botë, 96 mijë të prekur
Në të gjithë botën numri i personave të infektuar nga gripi i derrave ka arritur në 96 mijë vetë. Shtetet që kanë konfirmuar praninë e virusit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë mbi 135. Edhe në rajon, Mali i zi, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Maqedonia e Greqia, tashmë janë në hartën e vendeve me AH1N1. Me konfirmimin e djeshëm edhe vendi ynë është pjesë e këtij grupi. Numri i të prekurve nga gripi i derrave po rritet frikshëm. Specialistët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë parashikojnë se përmasat e kësaj pandemie gripi mund të jenë shumë të mëdha.

Karantina, vetëm një dhomë në infektiv

Rastet e prekura nga gripi i derrave që paraqesin komplikacione do të futen në karantinë. Çka do të thotë se trajtimi i tyre do të bëhet në dhomën e posaçme të spitalit Infektiv të Tiranës deri sa t’ia hedhin sëmundjes. Kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në spital në varësi të gjendjes mund të arrijë deri në dy javë. Burime nga Ministria e Shëndetësisë pohojnë se ambiente të tilla do të ngrihen edhe në spitalet e rretheve nëse paraqitet nevoja. Por bluzat e bardha saktësojnë se ambientet e spitalit infektiv janë të pamjaftueshme në rast se do të kemi fluks të prekurish. “Për të gjitha sëmundjet që transmetohen kollaj me anë të ajrit nga një person tek tjetri ndiqet ky protokoll mjekimi. Gjithçka për të evituar epidemitë. Në rastin e gripit të derrave pacienti mbahet i shtruar për aq kohë sa vlerësohet se është shëruar”, sqarojnë mjekët infeksionistë. Ndryshe nga Gripi i Shpendëve i cili preku vendin tonë në vitin 2005 virusi i derrave ka një probabilitet më të lartë për t’u përhapur. Kjo pasi në këtë rast nuk kemi një transmetim të sëmundjes nga shpendët te njeriu, por virusi kalon nga një individ tek tjetri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›