Mbledhja e Qeverisë, Berisha: Platforma marksiste e Ramës e bazuar mbi inate personale, për të shkatërruar mijëra vende pune

Kryeministri kundërshton dhe njëherë programin ekonomik të lidershipit socialist, duke e quajtur atë si projekt të motivuar nga ndjenja personale dhe inate personale, që në thelb synon shkatërrimin e qindra e mijëra vende pune. Ndër të tjera kryeministri trajtoi në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave edhe programin e qeverisë “brain gain”
Dy ishin çështjet më të rëndësishme që trajtoi sot kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë, programi për “kthimin e trurit” (Brain Gain) dhe ai ekonomik. Berisha sulmoi sërish programin e Partisë Socialiste për vendosjen e taksës progresive, duke e cilësuar si marrëzinë e radhës të kryetarit të opozitës dhe si taksë marksiste. Për Berishën, kreu i opozitës, Edi Rama sulmon programin ekonomik të qeverisë pasi është i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës të të parëve. “Ky sulmi që bën shoku Rama me taksën marksiste tek fidelët e tij është i tëri i motivuar nga ndjenja personale, inate personale dhe atavizma të klithmës së të parëve, sepse statistika fakton se në vendin tonë 40% e vendeve të punës janë të krijuara nga 1% e bizneseve dhe hajde tu biem me topin marksist këtyre që të shkatërrojme me qindra vende pune. Ky njeri ka lindur për të dënuar veten e tij, kaq mund të them. Sepse kalon nga marrëzia në marrëzi”- u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, programi ekonomik fiskal i Shqipërisë për mandatin që vjen, 2012-2014, parashikon rritjen e të ardhurave dhe uljen e papunësisë. Duke kujtuar afrimin e vitit 2013, Berisha ka bërë me dije se qytetarët do kenë shansin e madh të votojnë për këtë program, që parashikon rritje të rrogave dhe pensioneve, optimalizim të plotë të treguesve makro ekonomikë, jo rritje të taksave, por lehtësira progresive.
Ndërkaq, kryeministri ka kërkuar sot që t’i jepet një dimension i ri programit për thithjen e trurit ose i njohur ndryshe si programi “Brain Gain”. Sipas tij, është e domosdoshme që ky progam krahas shërbimit civil dhe universiteteve të shtrihet edhe në nivelin e këshilltarëve të ministrave, drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe në raste të caktuara edhe të agjensive kryesore të ngritura me ligj. “Programi ka ardhur duke u konkretizuar dhe në këtë program kanë përfituar rreth 140 studjues të shkolluar në shkollat më të mira dhe me rezultate të mira. Kjo përbën një arritje dhe tregon se programi funksionoi por është e domosdoshme që ky program të njohë një dimension të ri”. Sipas kryeministrit është shumë e domosdoshme që të gjitha universitet e vendit duhet të ndërmarrin një përpjekje të re të madhe për thithjen e trurit pasi sipas tij shqiptarët të cilët pavarësisht se ku kanë lindur duan që nëpërmjet këtij programi të kontribuojnë në Shqipëri. “Kjo duhet të ndodhë edhe për administratën pasi është e domosdoshme të zgjerojmë pozicionin që mund ti ofrohen këtij kontigjenti. Një përpjekje e madhe është bërë dhe sot në administratë ku mbi 21 përqind e është e diplomuar në universitetet e huaja, nga 1 përqind që ishte 5-6 vjet më parë por prap se prap mundësitë janë të mëdha”- tha ai.