Uashingtoni, asistencë Tiranës në projektet e zhvillimit, punësimit dhe ndërtimin e tramit

Mbështetja e garantua gjatë takimit të kryebashkiakut Basha me homologun Gray
Bashkia e Uashingtonit do të ndihmojë Bashkinë e Tiranës në krijimin e zyrës së punësimit, ndërtimin e linjës së tramit, përmirësimin e cilësisë së jetës duke nisur me hapësirat e gjelbra dhe cilësinë ajrit si dhe do t’i vërë në shërbim planin e zhvillimit të Uashngtonit. Një garanci e tillë u bë e ditur pas takimit që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit, Vincent Gray. Gjatë bisedës, Basha e ka njohur homologun e tij me projektet për ta bërë Tiranën një qytet të zhvilluar dhe miqësor për biznesin, politikat e punësimit, përmirësimin e cilësisë së jetës, dëgjimin e zërit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendimarrje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se ai personalisht pret çdo të premte qytetarët sikundër edhe drejtorët. Përveç këtij komunikimi të drejtpërdrejtë, qytetarët komunikojnë me administratën e Bashkisë dhe Kryetarin edhe përmes letrave apo e-mail. Basha theksoi se është i vendosur që qytetarët të jenë pjesë e vendimarrjes për projektet e mëdha dhe në interest të tyre, sikundër do të dëgjohet zëri i tyre siç nisi me buxhetin dhe do të vijojë edhe me Planin Urbanistik. Në vlerësimin e kryebashkiakut Basha punësimi është prioriteti numër një dhe për këtë janë ndërmarrë njësërë hapash që nga lehtësirat e deri në heqjen e taksave për katër vjet për çdo kompani që do punësojnë mbi 40 persona ndërsa së shpejti do të hapet edhe zyra e punësimit e cila do të mbledhë online të dhënat për punëkërkues dhe punëdhënës ku ndihma e Uashingtonit, sipas tij, është e mirëpritur. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Ushingtobnit Gray theksoi se “jam tepër i kënaqur që bashkë me kryebashkiakun Basha ndamë një numër çështje me interes të përbashkët për të dy qytetet tona. Mendoj se do nisim të bashkëpunojmë në çështje që do ti vendosim në vijimësi por ne jemi të lumtur të ndajmë së bashku me ato që kemi për të ecur më përpara”.