E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e Qeverisë Berisha: Privatizimi goditje fatale ndaj korrupsionit

Autori i Lajmit: S.T

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje gjatë mbledhjes së radhës së Qeverisë reformën e privatizimit si ndër më të rëndësishmet për të luftuar korrupsionin. Komentet e tij janë bërë pas akuzave të vazhdueshme të opozitës për abuzime me privatizimet. “Me procesin e privatizimit i jepet goditje fatale korrupsionit, por nga ana tjetër, në këtë proces, duke ndryshuar pronësi dhe menaxhim krijohen vlera shumë më të mëdha sesa këto prona të mbeteshin në duart e shtetit”, - tha ai. Reformat, sipas Berishës, duhet të bëhen pasi është vjelë mendimi më i avancuar në çdo fushë. Në këtë kuadër, kreu i Qeverisë theksoi se Ekzekutivi po bën përpjekje shumë të mëdha dhe për të lehtësuar klimën për biznesin.
Reformat
“Një seri reformash të shumanshme janë në proces e sipër. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që në programin dhe në agjendën tuaj të parashikoni konsulta në tërësi për të gjitha problemet që vendosen në këtë mbledhje, për të gjitha reformat që ne ndërmarrim. Konsultat duhet të përfshijnë grupet e interesit, të cilat, për shkak të profilit të tyre, kanë një ekspertizë të shkëlqyer. Konsultat duhet të përfshijnë detyrimisht qarqet akademike të vendit. Në asnjë rrethanë nuk duhet të shkëputemi nga mendimi akademik, në asnjë rrethanë nuk duhet të shkëputemi nga vështrimi kritik i mendimit akademik, nga oponenca e tij, e cila është e domosdoshme”, - tha dje Berisha. Sipas tij nuk mund të bëhet asnjë hap pa u marrë mendimi i ekspertëve. “Ka pasur një diskutim të gjerë dhe shumë të mirë të organizuar për strategjitë dhe siç edhe e dini strategjitë janë në zbatim nëpërmjet reformave. Pra, nuk mundtë thuhet se debati u mbyll me diskutimin e strategjive. Përkundrazi, debati më intensiv hapet me zbatimin e tyre. Ndaj kërkoj nga ju që të programoni një seri të pasosur debatesh e konsultimesh me shoqërinë civile, botën akademike, katedrat respektive, me qytetarët, grupet e interesit dhe sigurisht me bizneset, sepse në këtë mënyrë do të garantohet një zbatim më i sigurt i reformave”, - tha ai. Më tej kryeministri përmendi reformat e përfunduara apo ato që janë në proces që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike, reforma të inspektimeve, të investimeve private etj. “Në proces e sipër është edhe privatizimi dhe nuk ka më të rëndësishëm, sesa ky proces. Ky është një proces me të cilin jo vetëm i jepet një goditje fatale korrupsionit dhe, në mënyrë absolute, ky është qëllimi parësor i kësaj qeverie, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shtet sesa integriteti i administratës publike, por, nga ana tjetër, duke ndryshuar pronësi dhe menaxhim krijohen vlera shumë më të mëdha, sesa këto prona të shkapërderdhura të mbeteshin në duart të shtetit”, - deklaroi ai. Duke komentuar më tej dhe akuzat e opozitës për privatizimet e mëdha ai shtoi se këto politika janë politika të tregut të lirë, të cilat kanë të bëjnë me konsolidimin e sistemit mbi pronën private.

Rrëshqitja e tokës, Qeveria fond për varrezat në Paskuqan

Qeveria miraton një vendim për një shtesë fondi për reabilitimin e varrezave të Paskuqanit të cilat janë dëmtuar nga rrëshqitja e tokës. “Këshilli i Ministrave vendosi që komunës Paskuqan të qarkut të Tiranës, në buxhetin e vitit 2010, ti jepet një fond financiar shtesë prej 18 000 000 lekësh, për zbatimin e projektit emergjent, “Rrëshqitja te varrezat në Paskuqan, për marrjen e masave rehabilituese dhe mbrojtëse. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, - thuhet në vendim.

Studimet bërthamore, Agjencia 13 milionë lekë shtesë

Ekzekutivi shton fondin për Agjencinë Kombëtare bërthamore e cila është krijuar pak kohë më parë. Menjëherë pas deklaratave për kthimin e Shqipërisë në një fuqi bërthamore Qeveria miratoi dhe ngritjen e kësaj agjencie e cila po zgjeron aktivitetin e saj. “Këshilli i Ministrave vendosi që Agjencisë Kombëtare Bërthamore, në buxhetin e vitit 2010, në programin “Shërbime të tjera”, të institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave (grupi 87), i shtohet fondi prej 12 980 000 lekësh, përkatësisht, 12 500 000 lekë, për shpenzime korente, dhe 480 000 lekë, për shpenzime kapitale. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, - thuhet në vendim.

Inspektimi i tatimeve e doganave, Kryeministri kërkon plan veprimi

Duhet të hartohet një plan i saktë veprimi për mënyrën e funksionimit të inspektoratit qendror dhe inspektimit të më tej të të gjitha degëve, në dogana, tatime etj. Kjo ka qenë kërkesa e Kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Task Forcës për Reformën e Inspektimit. “Modeli i diskutuar dhe aprovuar më pas nga Task Forca, ka në bazë implementimin e praktikës më të mirë evropiane, çka do të mundësojë përmirësimin e klimës së biznesit në vend, luftën kundër informalitetit e korrupsionit, si dhe rritjen e efikasitetit të inspektimeve në të gjitha fushat. Çlirimi i biznesit nga barra e inspektimeve, rritja e transparencës në raportin e shtetit me ta, garantimi i cilësisë së produkteve e shërbimeve në treg, janë gjithashtu pasoja të menjëhershme të kësaj reforme”, - tha dje Berisha sipas të cilit sistemi i inspektimit duhet të pësojë një reformë të thellë dhe duhet të dalë nga modeli aktual, i faktuar si joefiçent. Si një çështje tejet të rëndësishme Kryeministri shtroi dhe krijimin e sistemit E-Inspection, që mundëson krijimin e një data base të inspektimeve, të përqendruar në inspektoratin qendror dhe të lidhur me link me data base të trupave të tjerë si dogana, taksa, QKL, QKR etj. Në fund të takimit Kryeministri kërkoi hartimin e një plan veprimi të saktë, që do të diskutohet në takimin e radhës së Task Forcës për Reformën e Inspektimit.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›