E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria civile: “Kriza politike po bllokon reformat”

Autori i Lajmit: Redaksia

Shoqëria civile i kërkon politikës të zgjidhë krizën dhe të zhbllokojë reformat. Kjo ishte çështja kryesore e diskutuar dje në tryezën e shoqërisë civile me temë “Shteti demokratik në Shqipëri”. E organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, forumi kishte për qëllim të analizonte shkaqet që çuan vendin në krizë. Në diskutimin e tij, drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi, ka theksuar se kriza politike po tregon një shkallë të ulët maturie të politikës, e cila do të ndikojë shumë në procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane. “Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo situatë do të ndikojë në shumë reforma që po ndërmerr vendi, qofshin këto ekonomike apo politike, duke nisur që nga procesi i liberalizimit të vizave, proces të cilin po e presim të gjithë”,- u shpreh Rakipi, i cili ishte dhe moderator i forumit. Drejtori i Transparencë International Albania, Lutfi Dervishi, ka deklaruar se ky konflikt politik është një betejë e humbur e imazhit të vendit. “Ndërmjetësimi i misioneve të ndryshme të huaja, të cilat kanë zbarkuar në Tiranë, në zgjidhjen e krizës politike, të jep idenë se në Shqipëri po zhvillohet një konflikt i thellë, në një kohë kur për probleme të mëdha aktuale të vendit, siç ishte ngjarja e përmbytjeve në Shkodër, nga ana e dy partive ka pasur konsensus”, - u shpreh Dervishi. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që politika të fokusohet tek problemet kronike, për të cilat duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë.
Në diskutimet e tyre, drejtuesit e disa organizatave jofitimprurëse në vend, të cilët operojnë në fusha të ndryshme të jetës sociale, ekonomike e politike kanë kërkuar që politika të dëgjojë sugjerimet e saj dhe të respektohen normat e një shteti demokratik, vlerat e të cilave kjo krizë e krijuar po i vë në diskutim duke cenuar në të njëjtën kohë imazhin e vendit.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›