E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skeletët e të ekzekutuarve nga regjimi, gati identifikimi

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Skeletët e gjetur rrëzë Dajtit vetëm pak kohë më parë i përkasin dy periudhave të ndryshme. Grupimi i parë i eshtrave, dyshohet të jenë pushkatuar më herët dhe grupi tjetër dyshohet të jenë pushkatuar vite më vonë, por jo në të njëjtën kohë. Besim Ymaj, kreu i Institutit të Mjekësisë Ligjore konfirmon për gazetën “Ballkan” se shumë shpejt Instituti i Mjekësisë Ligjore do të dalë me një përfundim në lidhje me identifikimin e eshtrave. Ymaj shprehet më tej se deri ditën e djeshme janë formësuar 13 skeletë. “Nëpërmjet metodës së antropologjisë mjekoligjore, disa nga skeletet mund të identifikohen pa qenë e nevojshme kryerja e analizave të ADN-së, e cila kërkon shumë kohë. Ne kemi listën e personave të pushkatuar vite më parë, ndërsa i kemi ndarë skeletët në grupime, ku për identifikimin na shërbejnë disa komponentë, siç janë gjatësia, mosha, etj. Disa prej tyre mund të identifikohen pa qenë nevoja e kryerjes së analizave të ADN-së, pasi mund të krahasohen me të dhënat që disponojnë autoritetet apo dhe familjarët e të pushkatuarve. Një gjë është e sigurtë që viktimat nuk janë vrarë në të njëjtën periudhë kohe, ata janë vrarë në periudha të shtrira në kohë, thotë drejtori Ymaj, në lidhje me këtë çështje. Ymaj pohoi më tej për gazetën se, është fakt që këto skelete janë zhvarrosur pa kujdes dhe nga njerëz jo specialistë. Kështu që ka ndodhur që pa dashje eshtra që i përkasin njërit person të futen gabimisht në të njëjtin thes plastik me eshtrat e dikujt tjetër. Po kështu janë vërejtur edhe skelete të paplotë. Sipas tij formësimi i këtyre eshtrave është edhe pengesa kryesore, me të cilën janë hasur mjekët. Sipas tij, për të arritur në identifikimin përfundimtar të tyre do të duhet ca kohë. Pasi të përfundojnë proceset e mësipërme, pritet që familjarët e personave të zhdukur, që pretendojnë se të afrimit e tyre kanë pasur të njëjtat karakteristika me ato që do përcaktojmë ne do të thirren për identifikim. Në këtë moment do të kryhet analiza e ADN-së për ato raste që do jetë e nevojshme. Ymaj shprehet se në kafkat e tyre ka nga një plumb pas koke. Plumbat janë të armëve të kalibrit të vogël dhe do të dërgohen për ekspertizë në laboratorin e kriminalistikës, në Ministrinë e Brendshme. Edhe pse ka disa ditë që grupi i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të përbërë nga katër mjekë po punon me këta skeletë ende nuk dihet numri i saktë i tyre. Në fillim u deklarua se bëhej fjalë për 19 viktima. Për eshtrat e gjetura pak kohë më parë rrëzë malit të Dajtit, në periferi të kryeqytetit, ka nisur edhe një hetim nga Prokuroria e Tiranës, e cila pret rezultatet e ekspertëve mjeko-ligjorë për të nisur nga puna për identifikimin e tyre. Sipas burimeve nga kjo prokurori, bëhet me dije se është kërkuar zyrtarisht nga arkiva e Ministrisë së Brendshme lista e personave që dyshohet se janë pushkatuar në zonën e Dajtit, kryesisht që pas vitit 1970, ndërsa këto të dhëna pritet të krahasohen më pas me rezultatet që Mjekësia Ligjore do të nxjerrë pas përfundimit të procesit të ekzaminimit të skeleteve.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›