E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piktorja Ester Samarxhia: Të rriturit të mësojnë të pikturojnë si ne

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Shumë blu, shumë jeshile”; kështu titullohen diplomat që piktorët e vegjël nga Shqipëria morën në Bienalen e Polonisë mes 25 mijë fëmijëve nga e gjithë bota. Çmime artistike për shpirtin ekologjik të vogëlushëve shqiptarë, që me nuancat e mrekullueshme të hedhura në fletë treguan se si e duan botën; të bukur, të shëndetshme. Por, a do ta dëgjojë këtë dëshirë të zemrave fëminore, shteti shqiptar, për ti dhënë më shumë oksigjen mushkërive të tyre që ngarkohen çdo ditë me smogun e qyteteve tona?... Por le të ndjekim rrëfimet e sinqerta të tri prej fëmijëve fitues: të medalistes Ester Samarxhia 8 vjeçe dhe të dy të diplomuarve Eglon Bregu 11 vjeç dhe Hermes Muço 10 vjeç.

“Jam 8 vjeçe, shkoj në shkollën Dora DIstria, jam nxënëse e mirë, (nuk pranon të vetëcilësohet shumë e mirë)- kështu nis të flasë, Ester Samarxhia.-Nuk kisha qenë asnjëherë në një konkurs pikture. Është një kujtim shumë i shtrenjë,- për mua”, thotë befas me një solemnitet të rrallë për një 8-vjeçare. Që nga ajo ditë, dashuria e Esterit me lapsin është shtuar. Babai i saj thotë se po ta lësh, ka për borxh të rrijë tërë natën duke pikturuar. A do të ndalet ndonjëherë ky fëmijë? “Jo,- thotë ajo vetë.- Për mua piktura është jeta ime”
-Ester, tani ti je një piktore e famshme. Cilën ke pikturën tënde të preferuar?
Peizazhin, më pëlqen të pikturoj gjëra të ndryshme, qershi, ftonj, peshq, natyrë…
-Ti nuk ke pikturuar vajza me taka?
Jo, akoma
-Pikturon ti aktorë të kinemasë, gjëra që i shikon në televizor?
Jo, ato nuk më pëlqejnë, vizatoj gjëra që i shikoj në realitet dhe më pëlqejnë. Vizatoj edhe nga fantazia
-Endërron që të kesh në të ardhmen, një kambalec ku të vendosësh telajon tënde?
Jo, nuk e kam menduar akoma. Unë pikturoj në tavolinë. Unë jam akoma një vajzë e vogël.
-Ester, na trego për piktorët e tu të zemrës
Unë nuk kam asnjë.
-Ester, ti me siguri që ke vizatimet më të mira në klasë. E kupton mësuesja pikturën tënde?
Po e kupton, se ajo na jep titullin e pikturës si përshembull, peizazhe, qyteti me dritëhije...
-Të pëlqen më shumë të vizatosh ndërtesa, makina, trena, fshat, fëmijë që luajnë, fëmijë lypsarë, gjyshër?
Peizazhe të bukura pëlqej më shumë. Ndonjëherë portrete.
-Për pikturën që ti paraqite në konkurs, me përzgjedhjen e profesor Bashkimit, a kishe bërë ndonjë parapërgatitje se si do ta bëje këtë?
Jo, unë nuk e dija se kjo pikturë e imja do të shkonte në konkurs, e kisha bërë më përpara.
-Ester, ti e pikturon natyrën vetëm të bukur? Çfarë do të thotë kjo për ty?
Se më pëlqen shumë. Unë desha tu them të rriturve që kështu duhet të jetë bota, si e bëj unë.
-Cilat vende të bukura ke parë ti Ester?
Deri tek Kodrat e Liqenit kam parë, por kam edhe libra me figura.
-Ester me cfarë bojërash punon ti?
Me lapsa druri, me bojëra uji, ndonjëherë me penela
-Si do ta shprehje ti kënaqësinë tënde për atë që Zoti ka krijuar?
Unë e falenderoj Zotin duke pikturuar ato gjëra të bukura që ai ka bërë.
-Çfarë ngjyre ka Zoti në fantazinë tënde? Si mund të jetë një gjë e mirë, e bukur, e madhe?
Se di, por them me të gjitha ngjyrat, me sa më shumë, me ngjyrat më të bukura
-Ti pikturon me mend, i shikon gjërat me hollësi kur je duke ecur rrugës dhe nuk e ke para fletoren?
Po i shikoj dhe mendoj se si mund ti bëj. Shikoj gjethet, ngjyrat, shikoj të çarat e trungjeve, ngjyrën e rosave në ujë, ngjyrat dhe format e reve, herë si male me akullore, herë si triko.
-Ti Ester mendon se të rriturit arrijnë të bëjnë gjëra më të bukura se fëmijët?
Jo, ata nuk pikturojnë më mirë
-Mendon se e kuptojnë dhe e çmojnë pikturën e fëmijëve si duhet, të rriturit që janë ose nuk janë piktorë?
Ata e pëlqejnë pikturën tonë, por ata nuk pikturojnë dot si ne. Të mëdhenjtë na kanë zili.
-Do të vij keq, nëse një ditë do ta ndryshosh dorën dhe nuk do të pikturosh më si një fëmijë, por si një vajzë a grua e madhe?
Jo, nuk do mërzitem. Se prapë do pikturoj si kam qejf. Ndoshta ndonjëherë do ndihem pak e mërzitur, se do mundohem të pikturoj prapë si tani, por kam frikë se nuk do ta bëj dot më.
-Më thuaj peizashin tënd të dashur: Me shi, me borë, më ujëra, drita në rrugë, fruta në degë, gjethe të thara, kuaj, bletë, qiell...
(Mos na dil tek kuajt,- thotë babai). Frutat në pemë, kuajt po ashtu, i pëlqej më tepër nga të gjitha. Kuajt kanë trup shumë të bukur, kurse frutat që fshihen në degë, më argëtojnë.
-Cili është kombinimi yt më i dashur?
Bojqiellja me rozën, ngjyra për goca për rrobat. Ndërsa në pikturë i pëlqej të gjitha.

Piktorët e vegjël shqiptarë në Bienalen e Polonisë 2009

Eshtë i mirënjohur tashmë reputacioni i fëmijëve tanë të talentuar, piktorëve të vegjël të Grupit “Gëzimi i Syrit” në arenën ndërkombëtare. Medalje, Diploma si dhe Çmime nga më të rëndësishmet në garë me shtetet më të fuqishme janë bërë prej kohësh trofe të arritshme për këta artistë të vegjël. Lajmi i ri vjen nga Polonia, në Bienalen e 15-të të së cilës morën pjesë fëmijë nga 56 shtete të të gjitha kontinenteve. U paraqitën për konkurrim 25500 piktura me tematikë “Të mbrojmë mjedisin e planetit tonë”, në gjini dhe teknika të ndryshme të përshtatshme për fëmijë. Komisioni ekspert përzgjodhi nga ky numër i përgjithshëm dhe ekspozoi 1129 më të mirat. Më në fund, pas një ekspozimi të sukseshëm dhe që pati mjaft jehonë në mjedisin artdashës polak si dhe në media, Juria Ndërkombëtare e Bienales caktoi fituesit. Nëntë fëmijë shqiptarë, Ester Samarxhia, Alicia Pema, Hermes Muço, Nensi Osmani, Eglon Bregu, Sheila Qirjazi, Uesla Subashi, Alton Idrizi, Mishel Bardhi ranë në sy me krijimet e tyre të talentuara mes fëmijëve nga 56 shtete. Këta fëmijë u vleresuan me Diploma, sikurse edhe pedagogu i tyre, themeluesi dhe drejtuesi i Grupit “Gëzimi i Syrit”, Prof. Bashkim Dervishi, i cili u laurua me Diplomën e Bienales për shkollat e artit. Rekordmenia shqiptare e kësaj Bienaleje 2009 Ester Samarxhia, vajza 8- vjeçare nga Tirana, iu imponua Jurisë me tablonë e saj “Liqene në Alpe”. „Medalja e Nderit të kësaj Bienaleje, marrë nga Esteri dhe krijimi i saj, krahas pak krijimeve të përzgjedhura të Bienales botuar në katalogun përkatës, është një motiv krenarie dhe inkurajim për të gjitha talentet e reja të këtij trualli të begatë me potencial artistik si dhe një inkurajim për këta fëmijë, që janë e ardhmja e sigurtë dhe e shkëlqyer e artit modern shqiptar:, shprehet prof. Bashkim Dervishi.

Eglon Bregu, 11 vjeç

Blunë kam të parën. Në kombinime pëlqej dy-tri lloje jeshilesh, një kombinim tjetër e kuqe-rozë, një tjetër blu- rozë. Por ka shumë, ka edhe të tjera që dalin bukur

Pikturat tona kanë më shumë fantazi se ato të të rriturve
“Të rriturit ose imitojnë realitetin, ose bëjnë rrathë dhe vija, gjëra pa kuptim”

“Unë mësoj në shkollën “Fan Noli”. Jam shumë i dhënë pas pikturës. Përveç pikturës pëlqej edhe futbollin. Ndërsa në shkollë pëlqej gjuhën”. Kështu prezantohet pikturi i vogël i nderuar me diplomë në Bienalen e Polonisë, Eglon Bregu. Ja edhe intervista që zhvilluam me Eglonin, rreth këtij pasioni si piktura.
-Eglon, ti pëlqen hartimet dhe pikturat. Emocionin tënd si e shpreh më mirë; me anë të fjalës apo të ngjyrave?
Them se nëpërmjet ngjyrave. Aty ndihem më mirë, më i pavarur. Ngjyrat më japin një emocion që nuk e gjej tek fjalët.
Na trego se si e prite lajmin se ishte fitues i konkursit në Poloni. Festove?
-Lajmin e parë e mora kur isha tek kushërirat. U gëzova shumë. Kisha disa ditë që rrija aty. Nuk është se e festova, por vetëm u gëzova.
-Zakonisht për ngjyrën pyeten edhe njerëzit e tjerë, por sidomos piktorët. Ti si piktor, cilën ke ngjyrën tënde të preferuar dhe kombinimet e preferuara?
Blunë kam të parën. Në kombinime pëlqej dy-tri lloje jeshilesh, një kombinim tjetër e kuqe-rozë, një tjetër blu- rozë. Por ka shumë, ka edhe të tjera që dalin bukur.
-Piktura jote e parë në cilën moshë daton?
Mbase 5 vjeç
-Nga i gjen pamjet e pikturave të tua: Nga filmat, librat me figura, nga kompjuteri, apo i shikon në natyrë?
Mund ta shikoj edhe nga televizori përshembull sportin, ndërsa peizazhet i shoh në realitet. Në konpjuter nuk kam parë.
-Kur ti pikturon, kush është në atë mjedis: Je vetëm ti dhe piktura jote, apo ka edhe të tjerë? Ti i thua babit, gjyshit, shikoni çfarë po bëj”?
Jam komplet i pavarur kur pikturoj. Edhe kur nuk jam vetëm në shtëpi, nuk dëgjoj dhe nuk shikoj asgjë tjetër përveç asaj që imagjinoj. Por ndonjëherë i pyes prindërit për ndonjë gjë.
-Pikturat e tua të preferuara janë ato të të rriturve apo të fëmijëve?
Më shumë, të fëmijëve. Ato më tërheqin se secili fëmijë ka mënyrën e tij, ndërsa të rriturit kopjojnë realitetin. Fëmijët nuk e bëjnë këtë gjë, bëjnë një gjë që nuk e kanë parë asgjëkundi
-Me çfarë pikturon ti Eglon?
Edhe unë pikturoj me lapustila dhe me bojëra uji me penel.
-Nëse një piktor i vogël si ti, takon një ditë Zotin, çfarë do ti thoshte?
Do ta falenderoja për këtë dhunti që më ka dhënë në shpirt, edhe pse është e çuditshme sepse unë nuk kam asnjë në familje që të pikturoj.
-Eglon , nëse do ta vizatoje, si do ta vizatoje ti Zotin?
Me ngjyra të hapura se simbolizon Paqen.
-Nga se nisesh ti Eglon, kur vendos të pikturosh diçka?
Në fillim unë e shoh, e marr me mend nëse mund ta bëj dot. Nëse nuk e bëj dot, nuk e provoj. Bëj një parashikim
-Cilat janë gjërat e vështira, që mendon se ende nuk i bën dot dhe ato që mendon se i ke arritur?
Nuk mendoj se mund të realizoj portrete, më duken shumë të vështirë, ndërsa tek peizazhet jam më i fortë.
-Eglon, ku ndryshon një pikturë fëmije nga piktura e një të rrituri?
Unë mendoj se piktura e një të rrituri mund të përqëndrohet në një vend për disa kohë, kurse fëmija ka më shumë fantazi. Kjo dihet.
-Ti mendon, fëmijët pikturojnë më bukur apo më keq se të rriturit? A duhet që fëmijët të bëjnë pikturat e të rriturve apo të pikturojnë kështu?
Edhe fëmijët pikturojnë një ditë si të rriturit. Mendoj se duhet ta arrijnë kur të rriten. Por edhe piktorët e mëdhenj duhet të mësojnë nga ne, të jenë më të lirshëm.
-Ti thua që ata kopjojnë realitetin. Po kur ata bëjnë rrathë, katrorë, fasha ngjyrash pa forma reale? Këto të pëlqejnë?
Jo, as këto nuk më pëlqejnë. Nuk kanë asnjë kuptim. Më pëlqejnë pikturat ë fëmijëve që janë me fantazi, por janë edhe të realitetit

Hermes Muço: Ja pse i pëlqej Pikason dhe Da Vinçin

“Jam 10 vjeç dhe shkoj në shkollën “Vatra eDijes”. Mund të them se jam djali më i mirë i klasës. Motër dhe vëlla nuk kam, por kam kushërinj që i dua si motra dhe vëllezër”. Piktori i vogël, Hermes Muç, i nderuar me diplomë në Bienalen e Polonisë, flet në një intervistë për emocionin që i jep piktura dhe për vlerësimet që i bën pikturës së të rriturve.

-Hermes, kur ti e more vesh se kishe fituar, të erdhi e papritur ? Kujt ia the të parit, kë qerase?
Po, më erdhi e papritur, sepse nuk e mendoja këtë gjë. Lajmin e parë nuk e hapa unë, mami ia tha tërë shokëve të punës, dhe ata u gëzuan dhe më dërguan urime me mesazh. Pastaj festuam.
-Çfarë do të bësh me pikturën kur të rritesh?
Pikturën mendoj se do ta kem një hob fëmijërie, se të them të drejtën, nuk e kam vendosur se çfarë do të bëhem kur të rritem. Edhe pse për mua është hera e dytë që marr pjesë në një konkurs ndërkombëtar piktorësh të vegjël.
-Çfarë të shtyn të pikturosh atëherë, kur nuk e mendon këtë si profesion të së ardhmes?
Piktura më jep një ndjesi gëzimi, me lapsin shpreh çfarë kam në zemër
-Atëherë ti je një djalë që flet pak me fjalë, meqenësë flet shumë më ngjyra. Kështu?
Jo, nuk është e vërtetë. Unë flas shumë, pikturoj shumë, i bëj të dyja shumë.më pëlqen sidomos të bisedoj me shokët e mi
-Cila është piktura e parë që ke bërë dhe a e ke ruajtur?
Po, e mbaj mend. Kam qenë 6 vjeç, kam pikturuar një qen dhe e ruaj akoma.
-Ke dalë ndonjëherë të pikturosh në natyrë?
.Po, kam provuar njëherë të pikturoj nga liqeni, por nuk i kam pasur mjetet shumë të mira. Kam qenë me lapsa me ngyra. Atë pikturë ia kam lënë kujtim nënës nga mami. Dhe tani ata, sa herë që vjen dikush, i thonë: “Shiko se çfarë ka bërë Hermesi”
-Cilat janë raportet më të dashura të ngjyrave për ty?
-Kombinimet e mia të preferuara janë disa lloje blurash (blush), më pëlqen edhe kombinimi i jeshiles me të verdhën ose me të kuqen ose me blunë. Edhe blu me të verdhë.
-Pikturat e tua janë të gëzuara?
Disa janë të gëzuara e disa të shqetësuara. Përshembull, është një lojë kompjuteri dhe unë e kam hedhur në letër, është me të vrarë.
-Hermes, çfarë piktorësh të talentuar njeh ti, shqiptarë dhe të huaj?
Shqiptar nuk njoh ndonjë, por njoh të huaj, që janë më të njohur si Pablo Pikaso, Mikelanxhelo, Da Vinçi e të tjerë...
-Pse të pëlqen ty Pikaso, Mikelanxhelo...?
Pikaso më pëlqen se ka dy mënyra të shprehuri në pikturë. Ka mënyrën që njerëzit i përfytyron në portrete dhe ka edhe mënyrën e autoportretit. Edhe Mikelanxhelo më pëlqen se është i veçantë, i ka pikturat që ngjajnë si skulptura. Ndërsa Leonardo Da Vinçi ishte gjeni. Mona Lizën e tij asnjë nuk e bën dot.
-Hermes, më thonë se ti bën karikatura. E vërtetë? E nëse po, pse i bën? Çfarë kënaqësie është kjo?
Po, bëj. Njëherë bëra babin. Një herë tek berberi bëra një grua aty. Kam bërë mamin e të tjera. Unë bëj karikatura se më pëlqen humori dhe karikatura më bën të afrohem më tepër me njerëzit. Ne fëmijët e duam shumë humorin.
-Çfarë është Zoti për ty, një piktor që ti e kopjon?
Më mirë e mendoj Zotin jo si piktor, por si skulptor, që ka prodhuar trupat njerëzorë dhe gjithë natyrën. E mendoj si shkëlqim, si ujë ose si të tejdukshëm
-Hermes, cilat piktura të shijojnë ty; të të mëdhenjve apo të të vegjëlve?
Mua më shijojnë pikturat e fëmijëve dhe u them edhe piktorëve të mëdhenj, të mësojnë të pikturojnë më mirë, si ne. Sepse ne kemi më shumë fantazi, ngaqë ata, atë që bëjnë e kanë reale. Ata nuk e përdorin shumë imagjinatën.
-Por ka edhe piktorë që fantazojnë...
Po, ka, por nuk më pëlqejnë të gjithë. Disa përshembull, i përfytyrojnë njerëzit lakuriq, dhe kjo gjë nuk më pëlqen aspak.

Prindërit-OPINIONE
Babai i Hermesit, Hektor Muço

Hermesi që i vogël ka qenë i lidhur me pikturën, gjithmonë kishte dëshirë të shkarraviste në letër, të linte gjurmë me laps. Duke u rritur, ai kishte dëshirë edhe që të diskutonte për këto gjëra. Hermesit i pëlqente të merrte përshtypjet e të tjerëve dhe fillonte dhe u shpjegonte atyre atë që kishte bërë. Sepse shpesh, piktura e fëmijës kërkon një përkthim, nuk është gjithnjë e deshifrueshme. Ishin gjëra fëmijësh, por atë e entuziazmonin ato që bënte. Herë pas here ne e pyesim se çfarë është ajo që ka bërë, çfarë tregon dhe kur dëgjojmë shpjegimin, befasohemi. Atëherë e kuptojmë se vlera e pikturës ndryshon. Duhet të jesh i vëmendshëm kur sheh një vizatim fëmije, edhe një vijë e vetme për të do të thotë diçka. Ndodh që ne kuptojmë diçka tjetër nga ajo që ai tregon me pikturën. Ky është dallimi mes botës sonë dhe asaj të fëmijës...Por Hermesi ende nuk përdor dhe nuk studion stile të të rriturve edhe pse e çoj nëpër galeri, nëpër ekspozita. Ai ende nuk ka ide për stilet e të rriturve. Ai pikturon në stilin e tij fëminor, edhe pse ka momente që tregon interes ndaj shprehjes së të rriturve në pikturë dhe diskuton për piktorë të mëdhenj”.

Babai i Esterit, Arjan Samarxhia

Esteri kur pikturon, harron të hajë dhe të flejë
Esteri që në moshën 5 vjeç ka nisur shenjat e para të vizatimit. Pashë që kishte pak dorë dhe fjala më e goditur e Esterit ishte: “Babi mua më ecën dora vetë” Dhe unë u befasova vetëm me këtë shprehje dhe pastaj mendova se talenti i vajzës sime duhet të merrte një drejtim. Kështu më adresuan tek profesor Bashkimi. Esteri pikturon çdo gjë që i pëlqen me fantazi; në verë plazhin, në dimër borën. Esteri është një fëmijë që harrohet pas pikturës: harron të hajë, harron të flejë. Pikturon deri në 12 të natës, sa ne ndonjëherë shqetësohemi. Pikturat e Esterit, që nga 5 vjeç e deri sot, i kemi ruajtur në një dosje. Janë rreth 100 copë. Esteri ka edhe një motër që ka nisur ta kopjojë, ajo është 5 vjeçe. Por Esteri nuk punon vetëm me lapsat, punon edhe me plastelinë me ngjyra. Miqtë e familjes i pëlqejnë punimet e saj prej plasteline edhe më tepër”

Baba i Eglonit, Agron Bregu

E mendojmë të ardhmen e Eglonit një profesion artisti
“U bënë tri-katër vjet që Egloni vazhdon kursin e pikturës. E ka ushtruar që në kopshtin privat. Kur ai ishte në shkollë, mësuesja na tha se ai vizatonte bukur. Shpresojmë që rruga e Eglonit me pikturën të jetë e gjatë. Ne do ta dëshironim që jeta e tij të vazhdonte me pikturën, me një profesion që ka lidhje me pikturën. Të kesh një fëmijë të talentuar është një gjë shumë e bukur, aq më shumë që kjo dhunti që Egloni ka, nuk na shkakton ndonjë obligim të veçantë, nuk kërkon ndonjë trajtim të kushtueshëm. Egloni rritet si të gjithë fëmijët. Shpenzimet për pasionin e tij, për lapsa, bojëra, fletore vizatimi na shkojnë tek 10-15 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk është ndonjë gjë e madhe
për gëzimin e tij, aq më shumë kur konkretizohet edhe me sukses”.

Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›