Mbledhja e Qeverisë, Berisha: Raporti për konkurrencën globale, kemi progres ekonomik – meritë e reformave të guximshme

Shefi i ekzekutivit vlerëson raportin Global të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), mbi konkurrencën ekonomike, i cili e rendit Shqipërinë mbi vendet e rajonit dhe ndër vendet me ekonominë më kompetitive të ekonomisë Evropiane, duke deklaruar se progresi ekonomik i Shqipërisë vjen si rezultat i reformave të guximshme të qeverisë. Për nga progresi, Shqipëria lë mbrapa vende të zhvilluara dhe përsa i përket treguesit ligjor vendi ynë renditet në vendin e tetë në botë. Shqipëria futet në 10 vendet e para për fillimin e biznesit. Gjithashtu, Shqipëria ka ndjekur skemë të suksesshme në rritjen e pagave dhe pensioneve
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave se vlerësimi i treguesit global të kompektivitetit të publikuar një javë më parë nga Forumi Ekonomik Botëror, ku Shqipëria renditej në vendin e 78-të duke ngjitur 10 vende nga viti i kaluar, se ky tregues do jetë një analizë pune për ministritë dhe institucionet. Berisha tha se në bazë të vlerësimit të studimit, secili ministër do të shohë analizën e punës së dikasterit që drejton. “Treguesi i ri i kompetivitetit që llogaritet duke vlerësuar gjithë veprimtaritë që ju mbuloni zotërinj ministra. Ka 12 shtylla, është tregues që bazohet në një sërë treguesish të tjerë. Aty janë treguesit e agjencive që ju mbuloni, fushat janë të palëvizshme. Ndalem këtu se është e rëndësishme që ne në dritën e kësaj analize të analizojmë punën tonë, secila ministri, agjenci. Në analizën sipas sektorëve, ministrat do gjejnë të dhëna që janë tejkaluar dhe kjo është në meritën e reformave, por do gjejnë të tjera ndaj të cilave duhet të mbahen qëndrimet agresive për t’i ndryshuar”- u shpreh kryeministri Berisha. Duke iu referuar treguesit të raportit vjetor për Konkurrencën Ekonomike 2011-2012, kreu i qeverisë theksoi se renditja e Shqipërisë në vendin e 78-të është mjaft shpresëdhënëse për ekonominë e vendit. “Përveç kësaj ngjitje të admirueshme që ka bërë Shqipëria ka disa të dhëna të tjera që janë vërtet shumë domethënëse. Janë një seri treguesish me të cilat Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore. Ne jemi në 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore dhe kjo përbën një arritje të madhe”- theksoi kryeministri. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje gjithashtu se qeveria shqiptare renditet në grupin e 20 qeverive më të mira në përpjekjet e saj për ta lidhur në raport të drejtë prodhimin me prosperitetin. “Kjo renditje dëshmon zemrën e dhimbsur të kësaj qeverie, dëshmon fytyrën sociale të reformave tona. Ne jemi nga më të paktat vende që ka rritur me 3 përqind të GDP-së faturën sociale”- tha Berisha. Ai deklaroi se treguesi i raportit global të kompektivitetit e pozicionon Shqipërinë në vendin e 9-të, për sa i përket nisjes së biznesit dhe në vendin e 15-të, në mbrojten e investimeve në tërësi ndërsa ka shtuar se politika e rritjes së pagave ka dhënë rezultatet e saj.