E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stonestreet: Reforma zgjedhore, është koha për hapa konkretë

14-09-2011 / Gazeta 55

Shefi i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet mbyll vizitën në Shqipëri me mesazhin drejtuar klasës politike në vend, për nisjen e bashkëpunimit politik për reformën zgjedhore. Ai ripërsëriti përsëri sot para mediave, nevojën për nisjen sa më parë të punës, duke nënkuptuar kështu ngritjen e komisionit parlamentar, me qëllim hartimin e reformës zgjedhore. “Tashmë është koha për hapa konkretë”- u shpreh Stonestreet, duke theksuar se në takimet e zhvilluara me krerët e politikës, ka përsëritur mesazhin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, për përgatitjen e kuadrit zgjedhor, për t’i paraprirë kështu zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Tashmë zgjedhjet quhen të përfunduara dhe ka ardhur koha për nisjen e hapave konkretë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës zgjedhore, duke nisur nga reforma elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”- tha ai. Stonestreet tha se ndihej i kënaqur që të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë mirëpritur raportin e misionit ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit, me vlerësimet dhe rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme. “Të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë mirëpritur raportin përfundimtar, rekomandimet tona dhe janë dakord me to. Ne punuam shumë gjatë procesit të zgjedhjeve që të kishim një raport faktik e të besueshëm dhe rekomandime që do të vlenin. Besoj se është shumë e rëndësishme se për derisa ky raport mirëpritet nga të gjithë ai është një platformë e mirë për atë se çfarë do të bëhet tani e tutje”- deklaroi Stonestreet, në konferencën e shkurtër për shtyp, në mbyllje të vizitës në Shqipëri. Shefi i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, solli në vëmendje se në takimet e zhvilluara me përfaqësues të spektrit politik, të gjitha partitë janë të interesuara për të nisur procecin e reformës zgjedhore. “Ata na konfirmuan gjithashtu se janë të interesuar të fillojnë pa u ngutur nga puna që të kenë kohë të mjaftueshme deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ranë dakord që reforma zgjedhore të jetë një proces gjithëpërfshirës, që duhet të përfshijë jo vetëm partitë parlamentare, por dhe ato jashtë tij, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështjet zgjedhore”- tha më tej kryetari i misionit të vëzhguesve të ODIHR. Duke theksuar se ka ardhur koha që të merren hapa konkrete në drejtim të reformës zgjedhore, ai konfirmoi gatishmërinë e ODIHR për të dhënë asistencën e tij, për sa kohë kjo do të kërkohet nga institucionet shqiptare. “Asistenca që mund të japë ODIHR mund të jetë në formën e rishikimit të ligjt, të draft amendamenteve apo me ekspertizën e ofruar në tryeza të rrumbullakëta që mund të organizohen në Shqipëri. Besoj se të gjithë ndërkombëtarët janë të interesuar të bëjnë sa të munden që të rritet besimi i publikut tek zgjedhjet. Ky është vetëm fillimi, por e shoh si një shenjë pozitive”- nënvizoi Stonestreet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›