Mbledhja e këshillit, vendimet që u morën dje
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi dje një fond të posaçëm për tu ardhur në ndihmë banorëve të Gërdecit. Pas shumë diskutimesh anëtarët e këshillit ranë dakord për fondin por nuk përcaktuan shumën se sa do të jetë ajo. Sakaq një nga vendimet unanime që është marrë nga këshilli bashkiak ka qenë dhënia e titullit “qytetar nderi” të emirit të Kuvajtit. Ndërkohë anëtarët ranë dakord që këtë mbledhje mos të vendosej për familjet që do të përfitojnë nga bonuset për strehim. Shkak është bërë fakti që nuk është tërhequr në kohë nënhuaja për projektin e ndërtimit të banesave për qëllim social. Anëtarët e këshillit kanë shpjeguar se duke qenë se familjet e përcaktuar në fund të dhjetorit nuk kanë mundur dot të përfitojnë nga këto bonuse, atëherë për momentin të mos miratojnë të tjera. Lista me 28 familjet që priteshin të përfitonin nga këto bonuse u ra dakord që të diskutohet në një mbledhje të afërt sapo të tërhiqet nënhuaja përkatëse. Po kështu këshilli miratoi projektvendimin mbi gjobat për bizneset që do ndotin ajrin në kryeqytet për shkak të ndërtimeve të ndryshme.
Çështjet
Këshilli Bashkiak i kryeqytetit në mbledhjen e djeshme diskutoi për nëntë çështje. Anëtar diskutuan për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës, Madhërisë së tij, Emirit të Kuvajtit Sheik Sabah Al Ahmad Al Jabar Al Sabah. Për vendosjen e gjobave për shkeljet e kryera nga shoqëritë e ndërtimit. Në rend të ditës ishte përfshirë edhe miratimi i marrëveshjes së nënhuasë ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Financave për kredinë e marrë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB) për projektin “Ndërtimi i banesave për qëllim social”. Anëtarët diskutuan edhe për detajimin e programeve të investimeve, si dhe të fondit rezervë, në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2008”. Po kështu një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua ishte edhe projekt vendimi për përfundimin e procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit”. Anëtarët e këshilli këtë mbledhje iu duhej të vendosin për ta caktuar zonën e ish-bllokut si zonë me trafik të kufizuar.
12 Prill 2008