E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti Belg do ta ndryshoje sheshin “Skënderbej”



Emanuela Sako
Përfundon gara për projektin më të mirë për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Projekti Belg që përfaqësohej nga studio “51N4E, fitoi të drejtën për të ndryshuar sheshin kryesor të Tiranës. Unanimisht juria ka vendosur për këtë projekt, ndër pesë të tjerët që u paraqitën. Sipas 11 anëtarëve të jurisë, ky projekt është më i përshtatshëm dhe më i zbatueshëm për sheshin e kryeqytetit. Juria ka vlerësuar cilësitë urbane, strukturën arkitekturale, ndërhyrjet dekorative, hapësirat e lira, lëvizjen e qytetarëve dhe së fundmi koston financiare të realizimit si dhe kohën e realizimit të projektit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht anëtar i jurisë, Edi Rama, deklaroi se sipas këtij vizioni të ri, çdo banor do të ndihet zot i qytetit të tij. Sipas projektit fitues, qendra e sheshit “Skënderbej” do të ngrihet në nivel në formë piramide, nga kulmi i së cilës mund të shihet sheshi i qytetit. Brenda qendrës do të ndërtohen shatërvanë ku uji do të jetë i ngjyrave dhe sasive të ndryshme. Ndërtesat ekzistuese nuk do të preken, por do të ndërhyhet në Pallatin e Operas dhe të Baletit, ku do të ndërtohet një hyrje e re, me qëllim që t’i jepet më shumë jetë kësaj godine. Po kështu, projekti parashikon ngritjen e disa ndërtesave të njëjta, të cilat do të shërbejnë si qendra tregtare. Kostoja për rehabilitimin e sheshit, do të shkojë në 10 milionë euro dhe puna pritet të nisë menjëherë. Projekti mendohet të mbarojë në vitin 2009.
Përzgjedhja
Gjashtë studiot bënë prezantimin e projekteve të tyre dy ditë më parë. Të gjitha paraqitën një vizion të ri për sheshin, por gjithmonë duke ruajtur edhe tradicionalen. Ndërsa dje, u përzgjodh përfundimisht projekti i studios belge, të cilët do të fillojnë të aplikojnë menjëherë projektin e tyre. Megjithëse fitues u shpall studioja “51N4E”, nga 11 anëtarët e jurisë, qytetarët e Tiranës kanë menduar që fitues të shpallej projekti Amerikan i Daniel Liberskind. Megjithëse qytetarët nuk kanë qenë pjesë e jurisë, mendimi i tyre është vlerësuar, sipas parashikimit që ishte bërë nga Bashkia e Tiranës.
Projekti i studios 51N4E
Në prezantimin e projektit për rigjallërimin e sheshit “Skënderbej” propozoi se do të bëjnë rigjenerimin e operas për perfeksionimin e pamjes së sheshit “Skëndërbej”. Sheshi do të mbushet me pemë, palma dhe brezi i pemëve që do rrethojë sheshin do të jetë i ngjeshur. Ata propozojnë që sheshi të vijë duke u ngritur me rreth 3% dhe në mes të arrijë në 1.5 m më i lartë se te qoshja. Në këtë projekt përfshihet edhe ngritja e një ndërtesë 5-katëshe me dhoma të ngushta, në mënyrë që gjithë njerëzit që shkojnë në Bashkinë e Tiranës të kalojnë nga këto dhoma, të cilat ofrojnë një pamje të plotë të sheshit.

Konkurrimi mes gjashtë studiove të huaja
Gjashtë studiot ndërkombëtare konkurruan për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Secila pati në dispozicion 30 minuta për të bërë prezantimin, ndërsa 20 minuta të tjera kanë qenë pyetje dhe përgjigje. Ndërkohë që 11 anëtarët e jurisë kanë ndjekur projektet e të gjithë konkurrentëve. Kryetari i Bashkisë, Edi rama, njëkohësisht dhe anëtar i jurisë, është shprehur se rehabilitimi i këtij sheshi është sfidë për çdo arkitekt, nisur nga ndryshimet e mëdha që ka pësuar në vite. Në përzgjedhjen e projektit, përveç jurisë, morën pjesë në vendimmarrje edhe qytetarët e Tiranës, të cilët dhanë vlerësimin e tyre për ndryshimin që do të pësojë sheshi në qendër të qytetit. Në këtë diskutim të hapur kanë morën pjesë përfaqësues të politikës, arkitektë, studentë të akademisë së arteve dhe arkitekturës etj.
Studiot e përzgjedhura për konkurrim ishin 51N4E, studio arkitektonike e krijuar në vitin 2000, me qendër në Bruksel, MVRDV është një studio holandeze me një listë të gjatë projektimesh në mbarë botën dhe MAP Architects Barcelona është një studio e cila drejtohet nga arkitekti i njohur Josep Lluis Mateo, i nderuar gjatë karrierës së tij me shumë çmime prestigjioze. Po kështu ishin edhe tre studio të tjera të njohura me një eksperiencë të madhe me disa projekte botërore. Një ndër to është edhe AS.Architecture, që është studio franceze me qendër në Paris, e krijuar në vitin 1973 dhe e përbërë nga 80 urbanistë e arkitektë nga vende të ndryshme. Një tjetër studio ishte, Daniel Libeskind Studio, e krijuar në vitin 1989 në Berlin, si dhe ATENA Studio me qendrën e saj në Romë dhe me eksperiencë në fushën kërkimore, projektuese të arkitekturës dhe projektimit urban. Projektet e paraqitura nga 6 studiot ndërkombëtare kanë pasur larmi ndryshimesh për kryeqytetin

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›