Pritë para pallatit, vritet babai i tre fëmijëve
Arben Duka është ekzekutuar nga persona të panjohur, ndërkohë që mësohet se nuk ka ende pistë për ngjarjen
KRUJË - Kanë qenë orët e mbrëmjes kur disa krisma kanë tronditur rëndë banorët e lagjes "Seseraj" të qytetit të Krujës.
Pas të shtënave të befasishme që kanë ardhur nga një pritë e maskuar në këtë lagje kur kishte rënë errësira e natës, ka mbetur i vdekur në vend një person i cili në ato momente ka qenë duke iu drejtuar banesës së tij, ku banonte prej vitesh.
Banorët kanë dalë menjëherë të tronditur, pasi krismat kanë pasur jehonë të madhe në atë orë dhe kanë vënë re një trup të shtrirë, i cili ishte i gjakosur dhe pa shenja jete. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia e Krujës, e cila ka konstatuar se personi i qëlluar disa herë me arme zjarri ishte 50-vjeçari Arben Duka.
Ai ka humbur jetën si rezultat i plagëve të marra, ndërkohë që policia ka filluar që të mbledhë informacionin e duhur mbi ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës me ndonjë person, i cili me pas mund të jetë hakmarrë duke realizuar këtë vrasje.
Megjithatë duke qenë se ngjarja ka ndodhur në orët e vona dhe autorët e mundshëm mund të jenë larguar menjëherë në lagjen me terren të thyer pa lënë gjurmë të dukshme, policia ka preferuar që të mos japë asnjë pistë të mundshme mbi këtë ngjarje, duke saktësuar vetëm identitetin dhe moshën e viktimës.
Nga burimet e rastit mësohet se viktima kishte 3 fëmijë. Vrasja ka ndodhur, sipas të dhënave të policisë rreth orës 20:15. Duka, i cili mësohet se ka qenë i papunë ka qenë duke hyrë në hyrjen e pallatit ku kishte banesën e vet, një pallat 4-katësh, i cili ishte pallati i fundit në afërsi të shpatit të malit të Krujës, në zonën periferike të qytetit. Për realizimin e kësaj vrasjeje autorët kanë përdorur një armë zjarri të tipit automatik "kallashnikov" dhe e kanë qëlluar me breshëri.
Krismat kanë jehuar në të gjithë qytetin, por kur kanë dalë banoret te alarmuar nga zhurmat e kobshme të armës, autoret ishin larguar nga vendngjarja dhe policia per të bërë të mundur bllokimin e lëvizjeve të tyre dhe kapjen ka organizuar ngritjen e disa postblloqeve në rrugët dalëse nga qyteti i Krujës. Kjo është shoqëruar nga ngritja e disa postblloqeve edhe në qytetin e Fushë-Krujës, vendkalim i detyrueshëm nëse autorët kërkojnë të largohen për të gjetur strehim në ndonjë rreth tjetër.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po vazhdon kërkimet me qen të specializuar për gjurmimin e personave, gjë që bën te mendohet se policia mund të ketë informacione të rezervuara se autorët mund të jenë strehuar diku në afërsi të vendit të ngjarjes ose se ka informacion për ndonje zonë ku autorët e vrasjes mund të jenë strehuar para se të bënin organizimin e vrasjes në kushtet e errësirës, pasi ata duket se kanë pasur informacion të saktë mbi lëvizjet e viktimës para se të qëllonin për ta vrarë.
Ndërkohë që policia ka filluar të bëjë edhe shoqërimet e para të disa personave për të marrë informacione më të hollësishme rreth motiveve dhe autorëve të mundshëm të kësaj vrasjeje. Banorët kanë thënë se viktima ka qenë familjar dhe me tre femijët e tij bënte jetë të qetë.