Mbledhja e qeverisë në Shkodër, Berisha: E keqja mbaroi

Për herë të parë që prej shtatorit të vitit 2005 kur u zgjodh në krye të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar mbledhjen e kabinetit jashtë Tiranës. Situata emergjente e krijuar për shkak të përmbytjeve e ka spostuar mbledhjen e qeverisë në selinë e bashkisë së Shkodrës, ku që në ditët e para të këtij viti është përqendruar e gjithë vëmendja e shtetit shqiptar.
Kjo mbledhje qeverie më shumë se çdo takim tjetër i kabinetit , ka qenë një takim falenderimesh duke filluar nga vlerësimet e larta për suksesin e operacionit tek vlerësimi për banorët e Shkodrës apo edhe për qytetarët shqiptarë që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë situatë.
Kjo mbledhje e qeverisë është përqendruar edhe tek masat që duhen marrë pas kapërcimit të situatës emergjente. Kryeministri Berisha ka kërkuar nga çdo ministri projekte për rehabilitimin e zonës duke filluar nga forcimi i argjinaturave deri tek shndërrimi i lumit Buna në një lumë të lundrueshëm."Duhet të realizohet sa më parë një tender ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe shndërrimin e saj në të lundrueshem si një shekull me parë. Kjo vepër do mbrojë Shkodrën nga motet e mëdha , por edhe do të krijojë mundësinë e një prej udhëtimeve më të bukura turistike.
Të studiohen argjinaturat dhe gjendja e tyre. Po ashtu të realizohet një studim urbanistik në mënyrë që të mos ndërtohet më në zonat ku rreziku është tepër i madh", u shpreh ai.
Ndërkaq kryeministri Berisha ka përsëritur se KESH ka zbatuar plotësisht rregulloren në menaxhimin e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit, duke mos kursyer sulmet ndaj opozitës dhe qendrimit të saj ndaj kësaj situate.
Prej ditësh në Shkodër është zhvendosur Komiteti Ndërministror për Emergjencat, por kjo është hera e parë që qeveria mblidhet në qytetin më të madh të veriut, mijëra banorë të të cilit vuajnë prej ditësh pasojat e përmbytjes.