E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, Berisha mbledh sot qeverinë në Shkodër

Kryeministri Sali Berisha ka angazhuar edhe grupin parlamentar të PD-së në emergjencat civile deri në përballimin e plotë të situatës së krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në ultësirën e Nën-Shkodrës. Secili nga deputetët e PD-së duhet të mbledhë ndihma në zonat e tyre elektorale për t’i dërguar përmes helikopterëve të ushtrisë në zonën e prekur nga përmbytjet. Të parët që e kanë nisur këtë proces solidarizimi, janë vetë ministrat, anëtarë të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, të cilët po ndjekin prej 10 ditësh në terren hap pas hapi situatën e përmbytjeve. Janë ministrat Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Arben Imami, Genc Ruli, Petrit Vasili, Dritan Prifti të cilët kanë mbledhur kontributet e elektoratit të tyre në Elbasan, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Tiranë etj. Të njëjtën gjë po bën orët e fundit edhe pjesa tjetër e grupit kuvendor të partisë në pushtet, të cilët ndihmat më pas duhet t’i grumbullojnë në fshatrat e dëmtuara nga shirat e shumta. Disa deputetë të grupit të PD-së pritet të dhurojnë rrogën e tyre mujore në ndihmë të familjeve të dëmtuara. Gjatë 12 ditëve të përmbytjeve, përveç ministrave, në zonat e prekura janë nisur edhe deputetë të shumtë të PD-së, kryesisht ata të zonave veriore, por edhe pjesa tjetër e grupit parlamentar. Ashtu si qeveria, edhe deputetët po ndjekin nga afër gjendjen e rëndë të reshjeve në zonën e Lezhës, Kurbinit dhe Shkodër. Ndryshe nga ministrat, ata nuk kanë një grafik të caktuar të shpërndarjes së tyre në këto zona, ndërkohë që anëtarët e kabinetit qeveritar qëndrojnë në terren sipas ndarjes që u ka bërë Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile. Drejtuesi i këtij komiteti, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, po ndjek nga afër çdo ditë situatën në zonën e Dajçit nga ku po inspekton shpërndarjen e ndihmave. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ndodhet në Velipojë, ai i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, në komunën e Bushatit, i Bujqësisë, Genc Ruli, në Gur të Zi etj. Përveç qeveritarëve qendrorë janë edhe ata vendorë, të cilët janë të angazhuar prej ditësh në procesin e mbledhjes së ndihmave për të prekurit nga moti i keq me shi. Ata i premtuan Kryeministrit Sali Berisha para dy ditëve gjatë mbledhjes së emergjencave në Shkodër se do të mbledhin të gjitha përkrahjet e ofruara nga komunat e tyre për t’i sjellë ato në ndihmë të banorëve të qarkut të Shkodrës. Madje, shumë prej tyre janë shprehur të gatshëm se do të vënë në dispozicion të tyre edhe rrogat mujore përmes hapjes së llogarive bankare. Nga ana e saj, qeveria ka mobilizuar të gjitha strukturat e saj qendrore dhe vendore për kapërcimin sa më të shpejtë të gjendjes së emergjencës, ndërkohë që falë këtij angazhimi, mundi të shmangte katastrofën njerëzore, duke përqendruar tashmë punën tek sfida me katastrofën ekologjike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›